Jurnalet e së dielës

8 Janar 2011, 20:21Antena TEMA

Në festën e gazetës RD, njeriu më i mërzitur ishte sekretarja e gazetës që ka pasë punuar tek telefoni. Kryeredaktorin, që nuk e mbante vendi nga gëzimi, iu afrua pasi pikasi mërzitjen e saj dhe e pyeti se çfarë kishte.

–   Si ka mundësi, tha sekretarja që Doktori dekoroi Frrokun dhe Ben Blushin dhe më harroi mua. Unë e shkreta kam 20 vjet që mbaj shënim me shpejtësi gjithë shkrimet që Doktori jep me telefon kundër tyre. Të paktën të na dekoronte të dyja palëve.

Një letër tronditëse ka mbërritur në redaksinë e gazetës sonë. Drejtori i Fabrikës së Llullave përgënjeshtron faktin që Frroku ka pasur pseudonimin Llulla tek Sigurimi në raportet që ai i dërgonte kundër tij. Argumenti që na jep ish- drejtori është se “Lulla” është një mjet që thith të keqen dhe e fut në bark, kurse Frroku sipas tij e nxirrte të zezën nga barku i vet dhe ja çonte partisë. Sipas tij, Frroku logjikisht duhet ta kishte pas pseudonimin “Nepërka” dhe jo Llulla. Botonjësi jonë ia pranoi menjëherë vërejtjen dhe vendosi ta botojë.

Rezart Taçi ka filluar e imiton biznesmenët e mëdhenj dhe çdo mëngjes kërkon të ketë mbi tavolinë komentet e shtypit, por pa emra gazetarësh, se i ka bezdi emrat e tyre. Kështu kishte ndodhur dhe para dy javësh. Sekretarja i kishte vënë në tavolinë katër komente njësoj. Rezarti filloi t’u hedhë nga një sy, shkonte tek paragrafi i dytë dhe i merreshin mendtë.

I inatosur thërret sekretaren.

– Idiote, i tha. Me ke sjellë katër komente njësoj, nga katër gazeta, dhe është një shkrim idiot qe nuk shtyhet.

– Më fal shef, tha. Është komenti yt që na porosite dje ta botojmë në katër gazeta me pagesë. Vetë na ke thënë mos ua shkruajmë emrat poshtë komenteve.

Lini një Përgjigje