Sandri, sherr me Flamurin për filmimin e mbesave

10 Janar 2011, 21:33Antena TEMA
Sandri, sherr me Flamurin për filmimin e mbesave

Kryeministri Sali Berisha me mbesën e tij në Dajt

Megjithëse Flamuri bëri kujdes të zhdukë filmimin e mbesave me atë Burrin, Sandri i kishte bërë gjëmën. Ai Burri e paska zakon që sa herë e bënë këtë ngjitjen në maja, vë dhe dikë nga familja ta regjistrojë. Ky detaj i kishte shpëtuar Flamurit. Kur Flamuri i tha atij Burrit se “nuk kam filmime me zë, por vetëm foto”, ai kërkoi kamerën e Familjes dhe ja dërgoi Sandrit.

– Seleksionoji vetëm ato bisedat për interes publik, i tha. Hiqi ato të tjerat se fëmijë janë dhe bëhen kuriozë për gjithçka.

– Mos ki merak, i tha Sandri. E qaj unë këtë pjesë.

Ulet Sandri dhe fillon e dëgjon kasetën. Në fillim u trondit nga bisedat për tokat që ai Burri u tregonte mbesave. Kulmi arriti kur mbesa e madhe vuri dylbitë të shikonte tokën e mamit në Portoromano me Fazlliçin. Këtë nuk dinte si ta hiqte. Thirri montazhierin e TV.

–  Ma merr këtë pjesën kur mbesa shikon me dylbi, tha, se do ta mbulojmë një audio që vjen pak më vonë.

Vazhdonte të shikonte xhirimin. Për një moment ai burri e kishte humbur. Edhe pse i tha që e kam bërë filmimin familjar, prapë e kishte kapur nervi i udhëheqësit dhe ishte drejtuar nga kamera e Familjes sikur kishte për të bërë deklaratë për shtyp. “Pasioni im për majat…çdo vit që ka zgjedhje.”

– Kjo është skandal, tha. Ky më tha që duhet të duket spontan, por ky i paska bërë deklaratë gruas në kamera. Pupupupu, hiqe pak këtë pjesë se e mbulojmë me diçka tjetër. Kur ta thotë ky këtë, ti do futësh pamjen e Malit të Skënderbeut, i tha montazhierit.

– Po kemi një pjesë, i tha, që ky e quan veten Skënderbeu i Dytë…

– Lëre atë lëre, vetëm kur ky pozon para kamerës së Familjes mbuloje me Malin e Skënderbeut dhe fut zërin e tij.

U bë dhe kjo. Megjithë sforcimet, e gjitha mund të shkonte dy minuta. Më tej kishte dhe 20 minuta xhirim. Pasi mbaroi punë, Sandri mori kasetën dhe filloi ta shikonte vetëm. Ishte pjesa ku ai burri po u tregonte mbesave për Rrugën e Arbrit.

– E shikon atë majën atje, i thoshte ai burri mbesës së madhe… Atje do shfaqet rruga, do vijë nga pas Dajtit dhe do zbresë poshtë.

– Ua gjyshi, po pse nuk ke bërë një degëzim për në Priskë tek toka e mamit?

– Do ketë rrugë të dyta të keqen gjyshi, por rruga e madhe do ndjekë këtë drejtim.

– Gjyshi, po kush do ta ndërtojë rrugën…, i tha mbesa.

– Rrugët tani e tutje do t’i ndërtoj xhaxhi Bashkimi, ai që na ka falë shtëpitë që kemi. E ka gjyshja të vetin. Ai i bën mirë rrugët…

Këtu Sandri u turbullua pak.

– Për atë i shkoka mendja, tha, për firmën time s’i shkon mendja.

– Ua sa mirë, i tha mbesa. Po t’i themi xhaxhi Bashkimit të na e bëjë deri tek toka e mamit rrugën.

– S’ka problem se e di vetë ai, të keqen gjyshi. Por do bëj një rrugë tjetër xhaxhi Bashkimi, nga Sauku për tek shtëpia e dajës Shkëlzen në Farkë. Dhe ajo do dalë e bukur. Ja, kthehuni pak këtej, i tha dhe i drejtoi nga Elbasani. Vuri pak dylbitë dhe shiko nga Sauku tek vila e dajës Shkëlzen në Farkë?

– Ua sa mirë, tha mbesa e madhe. T’i themi mamit të na marrë dhe ne një shtëpi në Farkë?

– Patjetër, ua bën xhaxhi Zamiri ato, mos ki merak….

Sandri filloi të turbullohej prapë.

–  Ky Bashkimi po m’i merrka të gjitha rrugët, tha. Saukun ma paska marrë, rrugën e Arbrit e dashka, vetëm Bankën e Shqipërisë më kanë lënë mua, atë tenderin e Fullanit. Lodhu kot unë më duket.

I turbulluar mori në telefon Flamurin.

– Shiko, e redaktova unë atë Burrin dhe kam lënë vetëm dy minuta. Ca ke dëgjuar aty mos e bëj muhabet me njeri se ka qenë bisedë private.

– Unë s’kam dëgjuar gjë, i tha Flamuri, por ti po ke dëgjuar gjë, bën mirë të harrosh.

– Jo, as unë nuk kam dëgjuar gjë, i tha Sandri, se ajo pjesa e tokave dhe e tenderit të rrugës nuk dëgjohej, po kam hall për ty.

– Jo, hallin tim mos e qaj ti, po shiko mos e keqpërdor ose mos e ruan se e përdorni më vonë kur të vijë Rama në pushtet se e dridhni prapë.

– Ik o Flamur mos me ça trapin se s’të marr dorën unë se ç’bëj. Po desh na la pa filmim fare për ngjarjen më të madhe të vitit. E kupton ti apo ajo? Nuk po i dilte mesazhi atij që çdo vit elektoral ngjitet në Dajt, në dëborë, se “zgjedhjet janë të pastra si dëbora dhe fitorja e lartë si maja e Dajtit”.

Lini një Përgjigje