Kur mungon diçka më shumë se një muaj nga përballja me amerikanin Xhonatan Benks, Luan Krasniqi nuk ka kohë as për të ngrënë. Ai tregon se ka intensifikuar përgatitjet për duelin në Gjermani, që shpreson ta përdorë si mënyrë për t’u përballur me ukrainasin Klitçko, i cili aktualisht kryeson në renditjen e WBO-së. 39-vjeçari mendon se ka ende për t’i dhënë boksit. Boksieri shqiptar, i mirënjohur në arenën botërore, flet për Agjencinë Informative Kombëtare “Presheva Jonë”.
Edhe pse keni garuar me ngjyrat e flamurit gjerman, jeni ambasadori më i denjë i boksit, sportit për shqiptarët kudo që janë. Ç’do të thotë kjo për një kampion Europe dhe për ju personalisht?
-Është mburrje dhe krenari për mua që përfaqësoj shtetin, i cili më ka mundësuar të jem ky që jam në sport. Por njëkohësisht, jam tejet i lumtur që kam përfaqësuar me sukses edhe sportin e trevave shqiptare. Mua më gëzon pa masë fakti se kam adhurues në të gjitha meridianet. Kjo më bën tejet të lumtur dhe më nxit të arrij në maja edhe më të larta të sportit. Dje kam boksuar për qejf dhe emër, sot boksoj për Kosovën dhe titullin botëror.
Kur ngjiteni në ring, të gjithë shqiptarët janë me ju. A ndjeni presion?
-Kur ngjitem në ring, jam i çliruar nga çdo ngarkesë. Brohoritja dhe entuziazmi i shikuesve, të cilët, si të thuash, bëjnë luftë të përbashkët me mua, është kënaqësi e veçantë: më japin mbështetje dhe i gëzohen pa masë sukseseve të mia. U jam mirënjohës të gjithëve dhe ndihem keq kur ndonjëherë nuk realizoj atë që tifozët pretendojnë.
Më 26 shkurt ju pret dueli me Xhonatan Benks. Ktheheni pas afro dy vjetësh, a jeni optimist se do të fitoni?
-Nuk mund ta përfundoja karrierën pas një humbjeje… Ky do të jetë një duel kualifikues, i cili i mundëson fituesit të luftojë për titullin e kampionit botëror, që është një dëshirë e hershme e imja. Natyrisht që po përgatitem intensivisht, sepse kam përballë një kundërshtar të fortë. Jam optimist dhe me këtë optimizëm e pres takimin e ardhshëm.
Nëse e fitoni këtë takim, cili do të jetë Luani nesër, synimet ?
-Ky do të jetë një duel kuliafikues, i cili i mundëson fituesit të luftojë për titullin e kampionit botëror, dëshirë kjo e imja e kaherëshme. Natyrisht që jam duke u përgatitur intensivisht, sepse kam punë me një kundërshtar të fortë. Jam optimist dhe me këtë optimizëm e pres takimin e ardhshëm.
Kur dhe kush për herë të pare, e zbuloi talentin tuaj për boks apo si ju lindi ideja të merren me boks? Sikur të mos e kishit emrin Luan, a do të merreshit me boks?
-Angazhimi im në sportin e boksit, mbështetjen e ka në talentin dhe forcën që më dhuroi Zoti, kurse vëllai im, Agimi, që studioi kulturën fizike, më inspiroi që këtë sport ta kem jo vetëm hobi, por pjesë të jetës time. Karierën e fillova në klubin e boksit në Rottweil në Gjermani. Më është dashur të bëjë punë e angazhim intensive, për të arritur këtu ku jamë.
Krasniqi, ndeshja me Lamon Brevster ende mbahet mend si një nga duelet më të forta, i cili të takonte ty, si u bë puna që u dorëzove, Luani s’ ishte kësaj radhe luan?
-Në sport është çdo gjë e mundur. Edhe disfata është pjesë e jetës së sportistit. Përkundër dëshirës, njeriu nganjëherë ndodh të mos e realizojë synimin.
Dhe për fund z.Krasniqi, e dimë se sporti nuk është politikë, e as politika sport. Megjithatë, ju si shqiptar dhe patriot, sigurisht i ndiqni zhvillimet politike në vendin tonë. Zgjedhjet e dobëta, kaosi poltik dhe së fundi, me raportin e Dik Martit, duket se imazhi i Kosoves nuk është si dikur në kohën e Rugovës. Ju si e shihni sot Kosovën, a është në rrugë të mbarë apo ne nuk jemi në rrugë të mbarë për ta drejturar atë?
-Kosova megjithatë ka arritur përparime, është e lirë dhe e pavarur dhe tani varet nga ne se si do të përparojë e zhvillohet më tej. Bota, Kosovën dëshiron ta shohë të përparuar dhe të integruar në mekanizmat ndërkombëtarë, prandaj ka investuar dhe investon energji e mjete materiale. Çdo fillim është i vështirë, ndonëse është e arsyeshme të presim më shumë. Kthim prapa nuk mund të ketë. Kosova, përkundër vështërsive dhe problemeve, një ditë do të jetë ajo që e dëshirojmë të gjithë, shtet modern dhe me demokraci të zhvilluar.
Comments are closed.
Luani eshte vertet perfaqesuesi yne shpirteror dhe luftetar i sportit te boksit. Respekte per Luanin !!!