Sulmuesi spanjoll, Fernando Tores, duke folur për largimin e tij nga Liverpuli drejt Çelsit, ka thënë se nuk është tradhëtar. Ai është shprehur se ishte i detyruar që të kalonte tek Çelsi, pasi Liverpuli është kthyer në një klub të nivelit të ulët dhe që nuk ka mundësi të luftojë për tituj. “Treni i rasteve të mëdha kalon njëherë në jetë dhe kur mësova për interesimin e Çelsit, kam kërkuar nga drejtuesit e Liverpulit që të më lënë të largohem. Ndërsa shokët e mi të kombëtares kanë fituar tituj të shumtë gjatë këtyre dy viteve të fundit, unë kam qenë duke luajtur për vende të ulëta në klasifikim. Liverpuli do të kthehet të fitojë, por në të ardhmen”, ka thënë Tores. Spanjolli është duke u përgatitur të bëjë debutimin e tij më të çuditshëm që mund t’i ndodhtë. Ai pritet që të debutojë gjatë ditës së nesërme pikërisht ndaj ish-ekipit të vet të deritanishëm, Liverpulit.