Rinovimi me Milanin mungon dhe sinjalet nuk janë shumë pozitive se një gjë e tillë mund të ndodhë. Mjafton të dëgjosh fjalët e Galianit, i cili tha se, “të deklarosh dashurinë për klubin është një gjë, ndërsa me fakte është diçka tjetër”. Mesazh i qartë për Andrea Pirlon, i cili në fund të sezonit mund t’i japë lamtumirën Milanit. Për këtë arsye, ekipet e interesuara janë të shumta, mes të cilëve, Çelsi është pista kryesore. Por, gjatë orëve të fundit, siç bëjnë të ditur mediat italiane, është shtuar edhe interesimi i bardhezinjve të Juventusit. Megjithatë, për këtë lëvizje ka dy probleme kryesore: është paga e lojtarit, 4 milionë euro, një shifër që Juventusi nuk ka ndërmend që ta shpenëzojë. Së dyti, janë kushtet e tij fizike, duke qenë se gjatë këtij sezoni Pirlo ka munguar pjesën më të madhe të kohës, si pasojë e dëmtimeve të shumta. Nëse qartësohen dhe zgjidhen këto dy pika, drejtuesit e Juventusit mund të tentojnë seriozisht për të marrë në Torino mesfushorin kuqezi.