MBI DISA PIKËPYETJE E PROBLEME LIDHUR ME LËVIZJEN STUDENTORE (2)

2 Mars 2011, 23:06Politika TEMA
MBI DISA PIKËPYETJE E PROBLEME LIDHUR ME LËVIZJEN STUDENTORE (2)

Nga Shinasi Rama

Nuk ka dyshim se mund t’iu jepet përgjigje të gjithë pikëpyetjeve lidhur me interpretimet e ndryshme të Lëvizjes e të rolit të saj. Për 20 vjet është folur kaq shumë dhe volumi i argumenteve, edhe për ne që i ndjekim me rigorozitet, është i tillë që e bën të vështirë dhënien e përgjigjeve. Ka një numër momentesh të rëndësishme të cilat duhen analizuar për të nxjerrë në pah rolin që luajti Lëvizja Studentore. Ndër të tjera, duhen përmendur përpjekjet për të ngritur studentët në ditët e para të Dhjetorit 1990, ngritja massive e studentëve me 8 Dhjetor, demonstrata e mengjezit të 9 Dhjetorit e përplasja tek Liceu, demonstrata e mbremjes së 9 Dhjetorit në Sheshin Skenderbeg, vendosja e hapur e kushteve politike, organizimi e strukturimi i studenteve, zgjedhjet e para demokratike në shtetin shqiptar në disa dekada, fitimi i pluralizmit, mundësimi e organizimi i opozitës në nivel kombëtar, heqja e frikës, ngritja e ceshtjes të burgosve politikë, përpjekja për ndarjen e shtetit nga kontrolli i partisë, lufta kundër kultit të individit të Enver Hoxhës, aktiviteti i spikatun i Shoqatës Studentore ‘Fan Noli,’ përpjekja për të vënë opozitën në një shtrat vlerash kombëtare e patriotike, lufta për të shmangur Luftën Civile e për të organizuar një Front Kombëtar, shembja e mitit të Enver Hoxhës, ndalimi i gjakderdhjes së 2 Prillit e me rradhë. Këto janë disa ndër arritjet e asaj Lëvizje Studentore.  Këto janë arritje të jashtëzakonshme e historike.

Megjithatë, dy janë pikat kulmore. Njëra është vendosja e pluralizmit në shtetin shqiptar. Tjetra është shembja e mitit të Enver Hoxhës. E në asnjë pikë tjetër dallimet ndërmjet këtyre paradigmave nuk janë më të papajtueshme se në interpretimin e rolit të Lëvizjes Studentore në këto momente historike si dhe në rolin e individëve të vecantë. Mirëpo problemet me narativat e këtyre paradigmave dalin qartë kur ballafaqohen me mospërputhjet me faktet që sillen si nga përshkruesit e që provohen me dokumentet ekzistuese ashtu edhe nga qëndrimet e ndryshme brenda qasjes vetë. Për shkak të hapësirës, do të ndalem në mitin qëndror e më të diskutueshëm, atë të vendosjes së pluralizmit në shtetin shqiptar.

2.1 Miti I Hagjiografisë Zyrtare: Pluralizmi Ishte Ideja E Sali Berishës Dhe U Kërkua E U Fitua Prej “Tribunit Legjendar Të Demokracisë’ Azem Hajdari

Një nga variantet më të promovuara lidhur me vendosjen e pluralizmit mbetet ai që i vendos Sali Berishën dhe Azem Hajdarin, njërin si frymëzues dhe tjetrin si faktorin kryesor të arritjeve të Lëvizjes Studentore, e mbi të gjitha, të pluralizmit politik. Edhe pse i përsëritur pambarimisht gjatë këtyre 20 vjetëve, interpretimi i hagjiografisë zyrtare është përmbledhur qartë në intervistën e Sali Berishës dhënë në emisionin “Opinion” të TV Klan. Kështu, duke e përmbledhur interpretimin e kësaj qasje, Sali Berisha flet me nje krenari të dukshme për rolin e tij të frymëzuesit, të mbështetësit e të dhënies drejtim të Lëvizjes Studentore.  Po marr lirinë për ta dhënë dialogun të plotë.

“Blendi Fevziu: Cfare kerkonte Ramizi nga ju?

Sali Berisha: Ramizi kerkonte te bindeshin studentet qe te shkonin ne takim me te.

Blendi Fevziu: Ju tha se studentet duhet te shkonin ne shkolle me pare?

Sali Berisha: Jo jo. Kaq ishte takimi. Kaq.

Blendi Fevziu: E moret persiper te negocioni me studentet?

Sali Berisha: E mora me kenaqesi te madhe. Une kisha nje qellim ti coja tek ajo cka eshte themelore.Shkuam me Besnikun ne nje kafe aty prane aty takova Azemin per here te pare. U gezuan shume. I them Azemit se me tregoi listen e kerkesave. I thashe leri menjane nje eshte themelore dhe thelbesore pluralizmi. Ata e kishin por kishin kerkesa te tjera jo te ike byroja etj. I thame do te mbeshtesim.

Blendi Fevziu: I thate se vinit nga Ramiz Alia

Sali Berisha: Po i thashe.

Blendi Fevziu: Po qe ai kerkonte nje takim me ta?

Sali Berisha: Po por nuk i nxita une ata.

Blendi Fevziu: Si e priten takimin me Ramizin?

Sali Berisha: Ata me priten shume mire mua po lere RamizinQellimi ishte qe keta te konsolidoheshin ne kerkesen per pluralizem politik. Gjeresisht Besniku u ul me Azemin ne nje qoshe dhe diskutuan per pluralizmin. Me te tjeret po merresha une….

Blendi Fevziu: Po ideja juaj cila ishte?

Sali Berisha: Ideja ime ishte qe te konsolidohej sa me shume kerkesa per pluralizmin politik. Une nuk doja ne asnje menyre qe kjo kerkese te mbulohej nga kerkesa te tjera. Ushtimi ne qytet ishte i domosdoshem. Studentet duhet te kishin mbeshtetjen e Tiranes. Ne shkuam ne darke bashke me Lisien Bashkurtin ne mbledhjen e dyte me studentet. Shkojme ne rektorat dhe ishin prape drejtuesit ata jo te favorshem. Perkundrazi donin te sillnin aty studentet e shkolles se bashkuar dhe te policise. Ata nuk pranuan. Lisjeni mbajti nje qendrim te shkelqyer. Fliste ne emer te rinise u tha ne rektorat se nuk mund te ndodhe kurre qe te rinjte shqiptare te perleshen me njeri-tjetrin. …Ne daten 10 dhjetor pasdite kur u be nje mbledhje dukej sikur nuk kishte zgjidhje tjeter vec dialogut. Ndarja me dhune e studenteve ishte pothuajse e pamundur.

Blendi Fevziu: Po ate mbremje ju keni takuar Gramoz Pashkon Prec Zogaj e disa intelektuale te tjere. Apo e shfrytezonit ju kete situate per te krijuar nje formacion politik?

Sali Berisha: Pa diskutim. Filluam te mendonim per nje parti politike qe ne ate moment. Ne donim te theksohej pluralizmi politik. Para ikjes ne takim me Ramiz Aliaj me studentet ne godinen 15 u be nje mbledhje rreth nje ore ku u diskutua ne kerkesat qe do ti paraqiteshin Ramizit. Fokusimi ishte kryekeput te pluralizmi… Te nesermen qe erdhem te studentet me thote Kujtim Cashku ne e beme punen tone tani te largohemi te ndjekim rrjedhen tone intelektuale. I them jo ne do rrime. Per dy arsye. Se pari ne jemi gjakftohte kemi marre vendimet tona dhe ne mund ti mbrojme studentet se dyti ishte Kosova. I thashe Besnikut keto dy faktore na detyrojne ne te qendrojme. Sepse per Kosoven pluralizmi ne Shqiperi ishte jetik…”

Në këtë hagjiografi ka disa probleme të cilat kërkojnë shpjegim. Së pari, cilët janë ata studentë me të cilët foli z. Berisha dhe që iu tregoi që të kërkonin pluralizmin politik? Takimet për një kohë i ka pasur me një grup shumë të ngushtë, pjesë integrale e të cilit kam qënë edhe unë. Me sa mbaj mend në atë takim që permendet në kujtimet e tij në zyrat e Drejtorisë së Qytetit Studenti kanë qënë edhe Skender Gjinushi, Lisjen Bashkurti, Besnik Mustafaj, Remzi Lani, e Sali Berisha nga një anë, e nga ana e studentëve, Mimoza Zhamo, Arben Lika, Azem Hajdari, Tefalin Malshyti, Shinasi Rama e një a dy studentë të tjerë. Për fat të keq, Saliu nuk është pritur mire, në fakt është pritur shumë keq. Me sa më kujtohet, një nga studentët e pranishëm e quajti ndër të tjera e sistematikisht ‘kodoshi i Ramiz Alisë,’ e me rradhë. Shkurt, Saliu nuk ka gezuar pikë respekti e besimi tek ky grup studentësh që nuk e pranuan as si ndërmjetës e lëre më si frymëzues as atëherë e as më vonë. Prandaj deklarata e tij e mëvonshme se ai erdhi për të mbrojtur studentët, po keta qe e shihnin si armik e si një instrument të partisë në fuqi, është e lindur nga një imagjinatë e ndezur dhe jo reale.

Së dyti, si Sali Berishës ashtu edhe Gramoz Pashkos iu është bërë ftesa nga unë që të vinin e ta kërkonin pluralizmin me gojën e tyre dhe e refuzuan. Kur deshën të vinin e ti bashkëngjiteshin Përfaqësisë, në takimin në godinën 15 për të cilin flet Saliu, si frymëzues i pluralizmit, dihet mirë se po unë i kam përzënë të dy. Kjo mendoj unë nuk flet për dashamirësi, besim e respekt reciprok ndërmjet tij e studentëve, por për dicka tjetër. Kjo mendoj unë, tregon se unë e disa të tjerë nuk kishim asnjë besim tek këta të dy.

Së treti, një nga problemet më të rënda në hagjiografinë zyrtare është i lidhur me rolin e Azem Hajdarit në këtë arritje të Lëvizjes Studentore. Azemi etiketohet si “Tribuni i demokracisë,”(Eduard Selami)“Princi i Mendjeve të Lira” (Bislim Ahmeti), “Tribuni Legjendar” (Fahri Balliu), ose me fjalët e Sali Berishës, Shqipëria ju detyrohet ju sot, studentëve dhe studenteve të 8 dhjetorit ‘90, prijësit tuaj të përjetshëm Azem Hajdari” e më rradhë.

Në se Besnik Mustafaj qenka ulur t’ia shpjegojë Azem Hajdarit se cfarë ishte pluralizmi politik, del se Azemi, edhe pse sa ishte pranuar si kandidat partie, nuk e paska ditur më parë se cfarë ishte pluralizmi. Pra, të gjithë legjendat lidhur me kërkimin e pluralizmit e të demokracisë nga ana e Hajdarit në takimet e mëparshme me Ramiz Alinë bijnë poshtë. Kjo nuk është e vështirë të provohet sepse të gjitha dëshmitë që janë dhënë kanë provuar katërcipërisht se në asnjë takim nuk është kërkuar pluralizmi. Ajo që del nga të gjitha dëshmitë, si të Ramiz Alisë, por edhe të studentëve pjesëmarrës, është se studentët e pranishëm në këto takime s’kanë ditur cfarë kërkonin.

Po ashtu, nëse Besniku e Saliu e paskan drejtuar Azemin që të kërkojë pluralizmin, dhe ky e paska mësuar atëbotë prej tij e prej Besnikut se cka duhej, atëherë kemi një seri pikëpyetjesh të tjera. Njëra ka të bëjë me këmbënguljen e Azemit për vendosjen e kërkesave ekonomike. Tjera ka të bëjë me kundërvënien e hapur të Azem Hajdarit në takimin me Ramiz Alinë ndaj studentëve të tjerë. Verba volant, scripta manent, në videon e regjistrimit të takimit e në transkript, shihet qartë se Azem Hajdari iu kundërvihet hapur shokëve e shoqeve të tjera. Në një moment i thotë Ramiz Alisë duke bërë me kokë nga një student tjetër se “këta që i cojnë dy gishtat, nuk na e duen të mirën ne shoku Ramiz.” Në një moment tjetër, kur diskutohej nëse shtypi i kishte etiketuar veprimtaritë e Lëvizjes si Lëvizje në kundërshtim me politikën e Partisë, i thotë Mimoza Ferrajt, “ Më fal moj ti, se nuk është e vërtetë.”

Edhe më keq, edhe pse ishte rënë dakord që të kërkohej vec pluralizmi politik e të dilej prej atij takimi, edhe mbasi u kërkua pluralizmi politik nga dikush tjetër, Azem Hajdari e Arben Imami vazhduan që të kërkonin Lëvizjen e Studentëve e të Intelektualëve të Rinj. E kur të tjerët iu kundërvunë Alisë e kur pluralizmi ishte kërkuar hapur prej tyre, Azem Hajdari vazhdon e i flet Ramiz Alisë për një Lëvizje  “që duhet tu mbështeti ju si president, presidiumin tonë të Kuvendit Popullor në këto reforma… dhe partinë si inisiatore të parë në këto reforma demokratike.” Në atë takim Azem Hajdari nuk e ka përmendur fjalën ‘pluralizëm’ as edhe një herë të vetme. Pra, Azem Hajdari jo vetëm që nuk bëri atë që pritej por edhe iu doli kundër studentëve të tjerë në takimin me Ramiz Alinë duke u sjellë si krahu i tij i djathtë, e si mund të thuhet, si kolonë e pestë. Prandaj kjo që thotë Sali Berisha lidhur me rolin e Hajdarit si ‘Tribun i Demokracisë” për këshillat që ai vetë u ka dhënë studentëve, e me rradhë ngren më shumë probleme se sa sqaron dhe e bën qasjen zyrtare krejtësisht të pabesueshme.

2.2. Ramiz Alia Synonte Të Vendoste Pluralizmin Partiak: Studentët U Përdorën Nga Sistemi

Një nga mitet që e kanë pasë mbajtur qasjen e dytë si të pranueshme është miti se Ramiz Alia e synonte vendosjen e pluralizmit politik dhe e shpalli atë në mbledhjen e Byrosë Politike. Pra, Lëvizja studentore nuk bëri gjë tjetër por shërbeu si instrument i pastër politik për nxitjen e arritjen e këtij objektivi politik. Pozicionin më të qartë në këtë drejtim e ka mbajtur Skënder Gjinushi. Në një intervistë të tijën të gjatë lidhur me veprimtarinë e tij politike, ndër të tjera përmendet edhe procesi i vendosjes së pluralizmit. Argumenti i z. Gjinushi është se

“Skënder Gjinushi: Te henen kam vajtur tek zyra e Ramiz Alise.

Blendi Fevziu: Cila ishte pergjigjja?

Skënder Gjinushi: Pergjigjja ishte Po takohemi njehere. Pastaj i tha Berishes Si i the ti ne takim Sali. Aty une e kujtova takimin e pare se c’pyeti dhe thashe i ka thene se ndryshimet e koheve te fundit jane me te avancuara sesa psikologjia shoqerore. Berisha u pergjigj se atehere d.m.th. para tre muajsh ndersa tani ka ndryshuar situata. Aty e kuptova se prirja ishte per po pluralizem.

Blendi Fevziu: Ju shkuat pastaj se bashku tek studentet?

Skënder Gjinushi: Po shkuam pastaj te tre une Berisha dhe Lisieni.

Blendi Fevziu: Perse Ramiz Alia vendosi qe te shpallte pluralizmin politik perpara takimit me studentet?

Skënder Gjinushi: Normal ai po e kishte mbledhur mendjen me pare do e bente.

Blendi Fevziu: Me pas ti shkon ne takim i relaksuar.

Skënder Gjinushi: Realisht une para se te shkoja ne takim vajta tek Ismaili qe ne ate kohe frekuentoheshim dhe shkonim pothuajse perdite tek shtepia e njeri-tjetrit dhe ai ishte duke hapur nje shishe shampanje a vere e me tha: Hajde te festojme se u shpall pluralizmi politik. Aty e kam marre vesh une vendimin.”

Te tjerë si Alfred Lela i bien më shkurt “Një prej anëtarëve të Byrosë, kur debatohej mbi atë se a duhej lejuar apo jo pluralizmi politik, e dha “po-në” e tij duke e përforcuar edhe me sigurinë e fitores së PPSH-së. “Po nuk mundëm edhe partinë e Azem Hajdarit, çfarë partie jemi ne?”, e siguroi ai kupolën komuniste.” Kësaj teze I mëshon edhe Blendi Fevziu, kur thotë se: “Ndërsa Koleka shprehej për një kundërveprim radikal, se e kishin marrë pushtetin me luftë e nuk mund ta lëshonin në mënyrë kaq paqësore, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha ishin pro. Ky ishte vendimi që iu komunikua përfaqësisë prej 40 studentësh dhe pedagogësh në takimin e zhvilluar në Pallatin e Brigadave me Sekretarin e KQPPSH, Ramiz Alia. Një vendim, për të cilin as studentët nuk ishin përgatitur se do të merrej kaq shpejt, edhe pse në kërkesat e shpallura nga vetë ata, në pikën 4, kërkohej pikërisht pluralizmi.”

Miti, pra është ky: Ramiz Alia dhe Byroja Politike e deshën pluralizmin politik, e përdorën Lëvizjen Studentore thjesht si mashë, dhe sa u krijua mundësia e lejuan dhe e shpallën pluralizmin politik. Pra Lëvizja Studentore nuk ka asnjë meritë, ajo thjesht u përdor për të nxjerrë në skenën politike intelektualët e Azem Hajdarin dhe pjesëmarrësit e saj nuk kanë asnjë të drejtë për të qënë krenarë për vendosjen e pluralizmit e demokratizimin e sistemit politik.

Ashtu si edhe paradigma tjetër, edhe kjo qasje ka një numër problemesh shumë theksuara që nuk mund të kalohen kaq lehtë. Në këtë drejtim, dokumentari i Blendi Fevziut “Mistere të Dhjetorit 1990” si dhe botimi i librit Dhjetori 1990:Dokumente e Materiale i Prof. Aleksander Meksit ka ndihmuar shumë për nxjerrjen në dritë të materialeve e dokumenteve të cilat provojnë se Ramiz Alia dhe drejtuesit e partisë kishin objektiva të ndryshme prej atyre që u arritën nga Lëvizja Studentore.

Në materialet e mbledhjes së Byrosë Politike shihet qartë se Ramiz Alia ishte i informuar deri në detaje për ecurinë, individët, objektivat e strategjinë e Levizjes Studentore. Nuk ka dyshim se strukturat e atëhershme kishin edhe raporte më të detajuara që jam i sigurtë që do të dalin me kohë.

Sic shihet edhe nga materialet e botuara e nga regjistrimet filmike si të mbledhjeve të Byrosë Politike ashtu edhe të takimit të Përfaqësisë Studentore me Ramiz Alinë, plani i Ramiz Alisë ishte që të vendosej një pluralizëm fiktiv, subjektesh elektorale brenda kornizës kushtetuese ekzistuese.  Krahas Organizatës së Veteranëve, të Frontit Demokratik, e me rradhë do të krijohej një organizatë paralele e intelektualëve të rinj. Ashtu sic kishte ekzistuar Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare me Bashkimin e Rinisë Komuniste, ashtu mund të bashkëekzistonte edhe kjo Organizatë e Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj me BRPSH.

Edhe pse varianti i bisedës së transkriptuar botuar në librin “Dhjetori ’90: Dokumente e Materiale” të Aleksandër Meksit nuk është i plotë, ai ndihmon për të ngritur një seri pikëpyetjesh lidhur sjelljen e pluralizmit. Duke qënë se une e kam te plote transkriptimin e bisedes (shume me te detajuar e te zgjeruar) e te bere nga profesioniste them me bindje të plotë se ka disa pika shumë të rëndësishme qe mungojne e nuk dalin qarte dhe që e kanë errësuar pak debatin. Megjithatë, ky transkript i botuar ne librin e Meksit eshte nje fillim i mire per te diskutuar per shume gjera qe tashme kane vlere vetem historike e studimore.

Së pari, qëndrimi i Ramiz Alisë në takim është konsistent me objektivat që ai kishte përcaktuar në Mbledhjen e Byrosë Politike. Pluralizmi që do të vendosej do të ishte një pluralizëm subjektesh elektorale. Pleniumi i KQ të PPSH shprehte mendimin se “… lejohet krijimi i organizatave të pavarura në përputhje me ligjet në fuqi” d.m.th., me Kushtetuten e vitit 1976. E mbas kësaj, Ramiz Alia e mbylli duke thënë “… duhet ti masim hapat që hedhim, duhet të jemi të kujdesshëm, pa u ndalur aspak në rrugën tonë që kemi nisur, që është rruga e interesave të Atdheut, të socializmit, të popullit tonë. Këto kasha ti thoja kështu në fillim. Tashti do të dëshëroja të dëgjoja nëqoftëse keni juve e ca keni juve… për të më thënë.”

Cdo kush që ka jetuar në atë sistem e din mirë se sa e rrezikshme dhe e frikshme ishte një deklaratë e tillë. E megjithatë, studentët e treguan vetveten me ndërgjegje të lartë politike. Nga një anë, studentët e ndanë rolin e Ramiz Alisë si Sekretar i Parë i KQ të PPSH, nga ai i Presidentit të shtetit. Studentët kërkuan pluralizmin politik, jo atë të subjekteve elektorale që po paraqitej prej Ramiz Alisë. Ata nuk ja kërkuan atë Sekretarit të PPSH-së, por presidentit të shtetit. Së dyti, përpjekja e Ramiz Alisë për të sulmuar studentë të vecantë, që duhej se nuk pajtoheshin me atë qëndrim që ishte përcaktuar nga KQ i PPSH duke iu thënë që, ‘ti fol për vete, lëri këto të tjerët’ dështoi se studentët nuk ja përtuan të flisnin me të si me një të barabartë.

Në një moment të caktuar kur po këto studentë këmbëngulën ne kërkesën për pluralizëm të mirëfilltë partiak, ai u dorëzua dhe tha se mbaroj kjo punë. Arsyeja pse ai veproi në këtë mënyrë nuk është se ai donte të jepte pluralizmin e mirëfilltë politik, por sepse e ndjeu se sa më shumë që zgjatej ajo bisedë, e sa më shumë që ai konfrontohej me studentët, të paktën me ata që ishin të fiksuar në idenë e pluralizmit politik, aq më shumë po zhvlerësohej si ai vetë, si roli që kishte në sistem, si sistemi vete. E vërteta është që ai e kishte paraparë këtë mundësi, dhe kur erdhi momenti që duhej të bënte zgjidhjen, e pranoi pluralizmin politik.

Pra, ky mit i përdorimit të studentëve nga sistemi nuk mundet me qëndrue, sepse studentët shkuan shumë më larg se sa ishte plani për ti lejuar e sa i kishte mundesite Ramiz Alia. Në vend të një subjekti elektoral, ata kërkuan pluralizëm për të gjithë. Kjo donte të thoshte ndrrim i rregullave bazë të sistemit, një sistem i ri, shumë partiak e demokratik. Në bisedat e zhvilluara në Byronë Politike e në Plenium, vecanërisht në ditën e neserme, shihet qartë se Ramiz Alia nuk kishte qënë i përgatitur për të ta lejuar vendosjen e pluralizmit të mirëfilltë. Tensioni i pranishëm në mbledhjet e Byrosë e të Pleniumit tregon qartë e pa kurrfarë dyshimi se pluralizmi u fitua nga studentët, përkundër qëndrimit e interesave të partisë në pushtet.

Argumenti që pluralizmi partiak e i mirëfilltë u fitua nga studentët e nuk ishte i falur nga PPSH shihet qartë nga sjellja e individëve që qysh atëherë konsideroheshin si kolonë e pestë brenda Lëvizjes Studentore si Azem Hajdari e Arben Imami. Edhe mbasi kërkesa për pluralizëm u shtrua hapur, qartë e pamëdyshje, ata vazhdonin avazin e kërkesës për lejimin e krijimit të Organizatës së Studentëve e të  Intelektualëve të Rinj. Shpjegimi për këtë sjellje duhet kërkuar ose tek injoranca e tyre, që mandej ngren pyetjen se pse ishin rebeluar këto individë, ose tek përdorimi nga strukturat e sistemit, se pse nuk merrej vesh per c’arsye ata nuk po pranonin të dilnin kundër skenarit. Akuzat e mëpastajme të Sali Berishës që e quajti Azem Hajdarin e Arben Imamin spiun e me rradhë, janë një argument që duhet konsideruar me seriozitetin e duhur, sepse, në mos tjetër, ndihmon që të shpjegohet sjellja e tyre e pandershme në një moment kritik.

3. MBI DISA CËSHTJE TË TJERA LIDHUR ME INTERPRETIMIN E LËVIZJES STUDENTORE E ROLIN E INDIVIDËVE NË ATË LËVIZJE

Edhe pse fitorja e pluralizmit politik ishte një arritje madhore, periudha e veprimtarisë së Lëvizjes Studentore është e mbushur me ngjarje që meritojnë trajtim të vecantë sepse ishin të vecanta në një moment të caktuar historik e të papërsëritshme. Si edhe e kam përmendur me parë e në shkrime të tjera arritjet e saj ishin historike e vendosnin një precedent që do të mbetet shembull në politikën shqiptare, ndoshta edhe i papërsëritshëm në rolin kritik që luajti.

3.1. A Do Të Kishte Ndryshuar Sistemi Pa Lëvizjen Studentore?

Së pari, a do të kishte ndryshuar sistemi pa Lëvizjen Studentore? Të gjithë analistët që merren me këtë process thonë se sistemi do të binte se nuk kishte rrugë tjetër. Mirëpo, ja ku është Kuba, Koreja e Veriut, Bjellorusia e Moldavia. Nuk është aq e rëndësishme në se po të binte, por edhe se si do të binte, a do të kishte luftë civile, dhe cfarë të ardhme do të kishin shqiptarët.

Duke e pare mbeshtetjen qe kishte regjimi i athershem, qe edhe atehere, por edhe me vone ishte shume efektiv, e shkallen e madhe te legjitimitetit të sistemit ne popull, nivelin e ulet te kurajos qytetare vecanerisht tek intelektualet e Tiranes, injorancen masive politike ne lidhje me rrugen qe duhej ndjekur, e strukturat represive efektive, ka dyshime se sistemi nuk do te binte si ra. Pa këtë lëvizje, mund te kishte ardhur puna qe ndoshta shqiptarët nuk do të hanin bar e parimet nuk do ti shkelnin si Koreja e Veriut por do të sundoheshim nga një Huntë intelektuale që do të ishte maska e fytyra e sistemit te fshehur mbas tyre. Ne ate mocalishte morale qe ishte shteti shqiptar, ngritja e studenteve, politizimi i tyre i shpejte dhe aftesia e tyre per te thithur mbeshtetjen e masave popullore e vuri regjimin para nje dileme te madhe. Zgjidhja qe sistemi gjeti ishte qe te ofronte nje pluralizem subjektesh elektorale, cka ne fakt do ja shtonte legjitimitetin sistemit pa e ndryshuar thelbin e tij. Ma shume do te ndryshonte e ma shume do ti mbeste besnik vetvetes.  Intelektualët u sprovuan të ishin pa shtyllë kurrizore, të persekutuarit iu druheshiun strukturave të shtetit, rebelët e të pakënaqërit u përzunë me ambasada e maleve për në Greqi.

E prapë se prapë, ndodhi që Lëvizja Studentore e detyroi Ramiz Alinë të dorëzohej e të pranonte jo thjesht pluralizmin e subjekteve por pluralizmin e pastër politik, cka është thelbi i demokracisë. Këtë e arriti vetë, pa ndihmën e kontributin e kurrkujt. Studentët që e kërkuan dhe e fituan nuk kishin as besim e as nevojë për intelektualët që filluan të vinin në Qytetin Studenti, as për Sali Berishën, as për Gramoz Pashkon, as për kënd tjetër. Kjo është fitorja e tyre e madhe sepse e arritën vetë ata dhe Levizja e tyre.

Por edhe më e rëndësishme se fitorja e pluralizmit ka qënë Greva e Urisë. Duke e menduar, organizuar, drejtuar e përmbyllur me sukses, Lëvizja Studentore dhe Shoqata Fan S. Noli dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm e historik. Duke sulmuar thelbin e ekzistencës së partisë-shtet, mitin e Enver Hoxhës, duke e detyruar sistemin dhe pasardhësit e tij në pushtet që ta rrezonin me duart e tyre, ne kishim besim se do të shmangnim Luftën civile, do të clironim masat e gjera të popullit e të komunistëve të atëhershëm dhe do të vendosnim vendin në binarët e demokracisë së vërtetë. Ky objektiv u arrit edhe përkundër kundërvënies nga ana e të gjithë partive politike e të veglave të tyre në këtë aktivitet. Ata që e organizuan atë grevë, ata e hapën dhe po ata e mbyllën, plotësisht të vetëdijshëm se kishin ndërmarrë një akt vetëflijimi dhe që mbas atij akti, në shtetin shqiptar ishin të padëshërueshëm e pa të ardhme e siguri për jetën.

3.2. Mbi Rolin e Intelektualëve Dhe Të Azem Hajdarit Në Lëvizjen Studentore

Përpjekja e hagjiografisë zyrtare ka qënë dhe mbetet që Lëvizja Studentore dhe PD të jenë të lidhura në kërthizë e pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën. Nyja që i bën të dy këto formacione, (shumë të dallueshme nga njëri-tjetri) bashkë është figura e Azem Hajdarit. Ai shihet si faktori qëndror në të dyja dhe nyja qe i lidh te dyja formacionet. Mirëpo, PD e Lëvizja Studentore janë dy formacione të ndryshme. Pa e ndare PD nga Levizja Studentore, kontributi i saj nuk ka me dalë kurrë aq i pastër e i qartë ashtu sic është e si edhe e meriton. PD nuk ka qene Levizja Studentore, nuk ka mundur me kene. Eshte e vertete qe une e kam nisur PD-ne duke i bere keta individe si Sali Berisha e Gramoz Pashko bashke. Po ashtu, Azem Hajdari ka një rol të madh në formimin e PD-së por une e disa te tjere, mbas dates 10 Dhjetor nuk i kemi lejuar qe as te na afrohen ma shume se duhet e jo me te na japin mend apo të na kontrollojnë ne si Lëvizje Studentore. Ne kemi dashur që ata të bënin partinë e tyre e ne të ruanim Lëvizjen tonë. Në pika kyce ne i kemi përdorur dhe detyruar që të sillen në një mënyrë të caktuar sa që sot besoj duhet t’ju vijë turp nga vetja. Prandaj me vjen habi kur njerezit i marrin seriozisht fjalet e thena nga njerez qe gjate atyre diteve i kemi trajtuar thjesht si vegla të Ramiz Alisë e si emisare te sistemit, pavaresisht karrierave qe paten gjate tranzicionit e respektit që kanë në masa të njerëzve.

Për të zgjidhur nyjen gordiane duhet te ndalemi me qetesi tek miti qendror i Levizjes, i promovuar kaq shume nga hagjiografia zyrtare, dmth tek figura e Azem Hajdarit. Ai ka vdeke, dhe ne kemi qene shume te kujdesshem mos me e preke me shume se duhet, jo pse e ka merituar por sepse gjithnje e kemi pare si nje nga shoket tane me te afert e me rol te madh ne ate Levizje, e per ne Lëvizja ka kene ma e madhe kushdo qofshin individet e vecante. Ma shumë ka kenë një respekt njerëzor, si thonin latinët, de mortuis aut bene aut nihil, për të vdekurit ose fol mire ose mos thuej asgja.

Mirepo celesi i interpretimit të Lëvizjes nga këndvështrimi i hagjiografisë zyrtare por edhe i palës tjetër është ky individ. E duke mos u marrë me të si njeri por si figure politike, pyetja është se cili ka qene kontributi i tij? Azemi iu bashkengjit turmes se studenteve protestues me 8 Dhjetor, në krye të së cilës ishin Arben Lika, Arben Sula, Spiro Curra, Agim Kasa e shumë e shumë studentë të tjerë. Këtyre u premtoi se nuk do ti tradhetonte. Shumë prej tyre u lidhen me Azemin që u bë figurë qëndrore në mbremjen e 8 Dhjetorit e në mengjezit e 9 Dhjetorit e që nuk mundi kurrë të delte mbi Ben Likën e disa të tjerë. Pavarësisht ku gjindet sot, Ben Lika, për atë Lëvizje është një figurë e jashtëzakonshme dhe e vyeshme, dhe padyshimin me te vogel figure qendrore.

Nga ana e vet, Azemi ishte shume trim dhe studentët e deshën dhe shumë prej tyre i besuan qorrazi. Megjithatë, Azemi ja arriti që të shpërdoronte mirëbesimin e tyre duke i përdoruar e drejtuar, shpesh jo për mirë. Fakti është se mbas demonstratës së 9 Dhjetorit 1990, Azem hajdari gjithkund beri te kunderten e asaj qe duhej bere, duke u sjelle ekzaktesisht si e kerkonte nevoja e sistemit dhe e udheheqesve te tij.

Pse duhet me e quajte kundershtar te regjimit, tribun legjendar, hero të demokracisë etj., dikend qe i bente ‘amin’ Ramiz Alise e puthadoreve te tij si Sali Berisha?  Ketu duhet theksuar se Azemi nuk ka gisht për mirë ne asnjeren prej ketyre arritjeve qe u permenden me lart, e te atyre arritjeve të tjera të Lëvizjes Studentore, me numërimin apo përshkrimin e të cilave nuk ia vlen që te zgjatem ne kete shkrim te shkurter, bile eshte me mire ta them troc se keto jane arritur ne kundershtim me vullnetin e deshiren e tij.

Personalisht s’kam pasur pikë respekti për të. Pse e kemi toleruar ato dite? Sepse nuk donim qe te kishte percarje, nuk donim qe fillonte sherri midis studentëve. Per sa kohe qe arritem te impononim mendimet e rrugezgjidhjet tona, Azemi nuk ishte problem për ne. Kur bahej problem, e gjenim rrugen me fole me te, ose i merrnim vendimet pa e pyetur fare.

As ai nuk na ka besue ne, e as ne nuk i kemi besue atij. Si shembull po kujtoj se kur rame dakord me kerkue vec pluralizmin politik, ai jo vetem qe me la ne balte por edhe i tha Ramiz Alise duke bere me krye nga une se “keta qe i cojne dy gishtat nuk na e dune te miren ne shoku Ramiz.”  Ai qe sot e quan ‘Tribun te Demokracise” e ngren turmat me kembe me  “Azem ti je gjalle!” nuk thote se si e vrane e si ja perdoren deri edhe kufomen. Nuk thote se dikur ia botoi edhe dosjen si spiun i Sigurimit ne RD.  Jeta e mepastajme e Azemit i ka sprovue tane fjalet qe ia kemi thane ne te tjeret e qe i kane dale te verteta. Prandaj të bësh si bën Mustafa Nano e të barazosh Lëvizjen Studentore me Azem Hajdarin e Sali Berishën është e pafalshme dhe tregon injorance historike. Levizja Studentore nuk ka kene Azem Hajdari, ai u promovua si fytyra e saj por ai nuk ka kene as mendja, as zemra e as shpirti i saj.

Nje fjale te fundit ne lidhje me kete figure shume te dyshimte e per lidhjen e tij me Levizjen Studentore. Para e mbas zgjedhjes si Kryetar i Komisionit Nismetar te PD-se, Azemi u tregua një individ egoist, instrumenti kryesor qe i solli veglat e Ramiz Alise ne Qytetin Studenti, i ktheu studentet ne auditore. Si atehere edhe me vone,  Azemi u be armiku i betuar i drejtuesve te asaj Levizje, qe nen umbrellen e Shoqates Studentore “Fan S. Noli” ia arriten te organizonin me sukses greven e Urise qe ia hoqi legjitimitetin PPSH, por edhe shmangu Luften Civile. por hagjiografise zyrtare i duhet Azemi si hero i Greves se Urise. Këtu hyn edhe emisoni i z. Fevziu. Duke e paraqitur një pamje rozë të gjendjes e të rolit të Azem Hajdarit, deri edhe si profetik, Fevziu po bën dezinformim. Kur Azemi erdhi e tha se shtatorja e Enver Hoxhës do të bjerë, ai praktikisht erdhi që të shtynte student që të linin protestën, se pse simbas tij, shtatorja do të bjerë vetë nga koha. Eshte nje merite e atyre studenteve qe nuk e degjuan por vazhduan protestat.

Asokohe Azemin e kam quajtur hapur si spiun e provokator, cka edhe vetë Saliu nja katër vjet më vonë e mbeshteti dhe e provoi me dosjen qe ia botoi në RD. Nuk po merrem me të tjerët se gjithkujt i vjen koha e vet, por mjafton me thanë se kaq shume e pat humbur respektin tone Azem Hajdari, sa kur erdhi me prishe Greven e Urise, disa studente e shkulen nje dere banjoje ne katin e dyte dhe e vune me ndenje aty te dera ndersa ne banjo hynin e dilnin studentet greviste. E ky i ashtuquajtur ‘Tribun Legjendar i Demokracisë’ nuk mundi me durue për shumë kohë aty e iku. Kur erdhi herën tjetër, erdhi me mission për me prishë Grenëvne Urisë duke përhapur fjalët se universitëtit i ishte hequr emri i Enver Hoxhës, një sjellje prej provokatori të vërtetë.

Pra, Levizja Studentore që bani shumë ma shumë e zgjati shumë ma shumë se pesë ditet në Dhjetor kur ishte i pranishëm ai, nuk ka kene Azem Hajdari. Lëvizja nuk ka kenë Azem Hajdari as ato pesë ditë. Incidentet e shumta midis tij e studentëve të tjerë gjatë atyre ditëve, që nuk përmenden sot, janë aq të shumta e aq domethënëse sa ngrejnë hijen e dyshimit të thellë për të si njeri e si person publik. Me e thanë hapur, mbas drekës së 9 Dhjetorit 1990, Azem Hajdari s’ka asnjë gisht ne arritjet e lavdishme të Levizjes Studentore as në ato ditë qe viuan e as me pas. Mbi të gjitha ai ka kenë armiku jonë kryesor për vdekje si përpara, si gjatë Grevës së Urisë ashtu edhe më pas. Ai ka kene armiku i jonë për vdekje, provokatori i lidhur me sistemin, njeriu që na kërcënoi me jetë e vrasje. Natyrisht e ka marrë përgjigjen që duhet prej meje e disa të tjerëve si atëherë ashtu edhe ma vonë.  Këto janë gjëra që dihen, por që duhen theksuar më fort.

Pse ka nje vend kaq qendror ne kujtimet e njerezve? E para, Azemi u ba nje simbol per studentet qe ishin te lidhur mbas tij ne Dhjetor. Shume prej tyne qe kishin qene aktive me 8-9 Dhjetor, as u perzien ma ne veprimtarine e Levizjes Studentore, as ne Greven e Urise, por u perdoruan pa meshire prej Azemit e prej PD-se.

Nder te tjere, edhe une e kam mbeshtete, per aq kohe sa na sherbente me mbrrite qellimet tona por egoja e tij ishte ma e madhe se mendja qe kishte e shume ma e madhe se vlerat qe duhej te kishte e që si kishte. Se dyti, sistemi vendosi me dhane e me marrë me Azemin, sistematikisht e pa mëdyshjen ma të vogël. Për më tepër, te gjithe intelektualet qe u afruan me Levizjen ishin ose te lidhur me Azemin ose armiq me armiqte e Azemit ne Levizje. Keshtu qe tash e vetmja legjende urbane qe duhet e qe ka mbetur per me iu dhane legjitimitet intelektualëve, me zhvlerësue Lëvizjen Studentore, e të tjerët asht lidhja e tyre personale me Azem Hajdarin. Me thane qe cka arriti Levizja eshte e lidhur me dikend tjeter e me grupe te tjera don me thane me minue legjitimitetin e tyne si kontribues sepse si unë ashtu edhe disa të tjerë, nuk kemi pasur pikë respekti për këto individë, i kemi luftuar pa ndonjë iluzion. I kemi mbështetur kur është dashtë për të mirën e kombit por iluzione nuk kemi patur asnjëherë, për asnjë moment per asnjerin prej tyre.

Prandaj si Saliu, ashtu edhe Eduard Selami, Ben Imami e të gjithë të tjerët janë gati të vdesin  por ata do ta mbajnë Azem Hajdarin si hero, edhe përkundër të vërtetës se dokumentuar e perkunder dëshmive tona sepse pa atë nuk kanë asnjë pikë legjitimiteti politik por dalin ashtu sic edhe kane qene, kolone e peste e sistemit. Identifikimi me Azemin ju jep ketyre legjitimitet ashtu si edhe PD-se e në të njëjtën kohë e minon kontributin, pastërtinë, idealizmin e lavdinë e Lëvizjes Studentore.

3.3. Problemi i Vlerave Ideologjike dhe Objektivave të Lëvizjes

Problemi kyc këtu është ai i vlerave e mendësisë ideologjike të Lëvizjes e të individëve që dolën në krye të saj. Pyetja që shtrohet shpesh, ne kete kontekst, është se a kishte qartësi ideologjike Lëvizja, në përgjithësi por edhe udhëheqësit e pjesëmarrësit? Cfare bene studentet e atij brezi idealist, në sensin e shërbimit publik, jo të mungesës së vlerave të zbatueshme ideologjike, qe ne duhet ti nderojme?

Përgjigja është e pamëdyshje dhe shumë positive. Masa studentore mbeshteti zgjidhjen e ofruar nga disa studente që të luftohej per pluralizem te paster politik e vetem e vetem per ndryshimin e rregullave baze te sistemit politik. Pra, me ba nji krahasim te thjeshte, nuk do te luhej ma volejboll por futboll. Topi tashma nuk do te prekej ma me dore por vetem me kembe. Rregulla te reja, loje e re, sistem i ri politik. Lëvizja nuk ishte vec me iu kundërvue sistemit, ajo kërkonte me vue baza të shëndosha për një fillim të ri për të gjithë, një hap i jashtëzakonshëm përpara në krahasim me protestat e Shkodrës të 14 Janarit 1990, të Kavajës e me 2 Korrikun. Vetedija politike se ndryshimi i rregullave baze te lojes politike ishte kyci i punes dhe perqendrimi i studenteve ne kete pike eshte nje kontribut i jashtezakonshem politik qe mbetet i pakrahasueshem edhe sot. Kjo ishte nyja gordiane e athershme dhe ne ishim ata që e këputëm. Asnjeri nuk diti se si me e zgjidhe ate problem. Me ndryshimin e parimit baze te sistemit politik, ndryshoj edhe loja politike. Kjo është një meritë e padiskutueshme e Lëvizjes Studentore dhe e gjithsecilit prej atyre pjesëmarrësve në atë Lëvizje.

Shprehje e kesaj vetedije te larte politike kane qënë veprimet e sjellja e studenteve gjate protestave te fillimit cka ilustrohet me organizimin e zgjedhjeve te para demokratike ne shtetin shqiptar ne mengjezin e 11 Dhjetorit. Por duhet thënë se që me 10 Dhjetor, une e te tjeret u morëm me nje turme studentesh te ciles i dhame strukture, udheheqje e objektiva te qarte politike. Nga ana e vet, Levizja Studentore pati vetedijen te sillej me dinjitet shembullor dhe te zgjidhte perfaqesuesit e vet ne menyren ma demokratike te mundshme. Nder gjerat qe ia vlen te permenden eshte edhe toleranca e madhe karshi njeri-tjetrit, vetedija politike e larte dhe drejtimi qe iu dha levizjes nga individe te vecante, por edhe nga masa studentore.

Levizja ishte nje levizje kunder sistemit por ne i dhame nje karakter te theksuar nacionalist, duke ndjekur me koherence e vetedije te plote ideologjine nacionaliste e vlerat e saj. Kushdo qe e ndjek ate Levizje e din se ideologjia e atyre qe i dhane shpirt, mendje e zemer ka kene nacionalizmi shqiptar. Edh atë parullën e deformueme “E Duam Shqipërinë si Gjithë Europa” e kemi parë si nacionalistë e jo si kozmopolitanë.  Ne qe kemi qene pjesë e asaj Levizje, e kemi dite se cka duem dhe e kemi kerkue per te miren e te gjithe shqiptareve. Mitingjet qe ma vone u quajten anti-komuniste etj, ne i kemi fillue e mbarue me himnin kombetar. Greven e urise e kemi fillue e mbarue me ndjenjen e sherbimit kombetar. Kemi kerkue nje shtet kombetar demokratik shqiptar e nuk kemi heke dore prej atij objektivi as atehere e as sot. E meqe ra fjala, shume prej nesh kane kene tejet aktive ne lufterat e ndryshme te shqiptareve ne te gjitha trojet amtare. Na s’kemi kene vegla, s’kemi pranue me u ba vegla dhe iu kemi ndenje besnike idealeve tona. Koha po provon se kemi pasur te drejte si ne rrugen qe kemi propozuar ashtu edhe ne gjykimet qe kemi fhene per individet e proceset, te cilat, fatmiresisht jane te dokumentuara.

PËRMBLEDHJE

Duke e njohur këtë sjellje e duke e pritur se do të ndodhte pikërisht kështu edhe këtë herë, nuk duhet habitur shumë që përkujtimi i 20 vjetorit të fillimit të protestave të Lëvizjes Studentore të viteve 1990-1991 por edhe më shumë se aq, përkujtimi i Grevës së Urisë këto ditë nxori në dritë ndarjen e thellë midis grupimeve të ndryshme si dhe interpretimet e papajtueshme në vlerësimin e në interpretimin e saj. Duke gjykuar nga interpretimet, kujtimet, dokumentarët, e opinionet e paraqitura këto ditë, vlerësimi i duhur dhe i saktë i kontributit të asaj Levizje të rëndësishme në historinë e vonë shqiptare a prima facie duket se është thuajse i pamundur. Jo vetëm ata që nuk dinë gjë, as për sistemin totalitar e as për Lëvizjen Studentore, sidomos brezi i ri për të cilët pika kulmore e jetës së tyre është viti 1997, por edhe organizues e drejtues të saj e gjejnë veten të habitur duke degjuar e lexuar kujtimet e atyre qe duan të nxjerrin kapital politik prej saj, si për interesat e ditës, ashtu edhe në shërbim të dikujt.

Sic shihet edhe nga trajtimi i saj në këtë periudhë disa mujore në shtypin e Tiranës, Lëvizja Studentore dhe roli i saj në ndryshimin e sistemit është krejtësisht i paqartë. Edhe kur ndodhitë janë të dokumentuara, të regjistruara apo të sprovuara me dëshmi të shumëfishta gojore, prapë shohim se si në të shkuarën, ato momente por edhe Lëvizja debatohet vec për interesa politike të momentit, sensacionalizohet e interpretohet simbas interesave të castit, e në këto deformime shndrrohet në një instrument të një njeriu, partie a grupi të caktuar. Kështu ndodhi edhe këtë përvjetor; shtypi e media iu kushtoi shumë hapësirë si disa personave e kujtimeve me vlerë, ashtu edhe disa shkrimeve pa vlerë por që shiten si të thella apo sensacionale edhe pse qartësisht delirante apo vetëlavdëruese. Në këtë mënyrë, doli sërish në pah se kemi disa ‘të vërteta,’ që të gjitha të papajtueshme me njena-tjetrën.

Në përfundim të këtij shkrimi që nuk mundet të përfshijë gjithcka që është thënë e që duhet thënë, do të thoja se për mue e shokët e mi nuk ka asnjë pikëpyetje në lidhje me rolin e LSSH. Ne dimë se rruga asht e gjatë, e s’dihet ku do dali, por të paktën, ne kemi lanë një shembull nderi, kemi kthye përsëmbari një fletë të historisë shqiptare, e kemi vra frikën, kemi luftue për një të ardhme ku të kenë pjesë të gjithë e jemi sakrifikue për të mirën e të gjithëve. Prandaj shqiptarët, që të gjithë, kanë pjesë në atë Lëvizje studentore, në kontributin e saj kombëtar, sepse ajo ka kenë e vetmja shpresë e pastërt në atë llum politik që ishte Tirana. E në fund, dështimi i përplotë i parisë së Tiranës tash 20 vjet po e vërteton bindjen tonë se e ardhmja iu përket idealeve të shpalosuna prej asaj Lëvizje Studentore, e bindjeve të pandryshueme të atyne që dinë me ju qëndrue besnikë si kombit ashtu edhe bindjeve të tyne. Ajo që ka rëndësi është se ne mendjen e studentëve e të organizatorëve të saj ajo ishte një lëvizje që përqafoi një pozicion politik e një ideologji që edhe sot ofron shpëtimin e kombit nga kriza e gjithanshme.

Emisionet, intervistat, opinionet e shkrimet e të tjerëve janë për nji moment oportunist. Historia e kontributi i asaj Lëvizjeje janë përgjithmonë. Le ta përballin atë me faktet që dihen e të shohin se ku asht e vërteta. Ne do ta mbrojmë kontributin tonë e të asaj Lëvizje deri në fund. Historinë në Tiranë le ta bajnë kushdo, ne do ta themi fjalën tonë. As gjahtarët, as hienat nuk do të marrin meritat e Lëvizjes Studentore. Ndoshta do të shkruhen tri histori, por njena prej tyne do të jetë e vërteta, e besimi i jonë është se historia e vërtetë do të jetë ajo që themi ne.

4 komente në “MBI DISA PIKËPYETJE E PROBLEME LIDHUR ME LËVIZJEN STUDENTORE (2)”

  1. dymi says:

    Nuk mund te konfirmoj e as te kundershtoj keto qe thuhen ketu, por mund te them me ze te larte se po qene te verteta keto, atehere cdo gje qe eshte thene deri tani duhet kthyer kokeposhte. Si eshte e mundur qe 20 vjet eshte brohoritur per genjeshtra te medha? Nuk jane ngjarje qe kane qene te mbyllura, pa jehone e midis 2-3 njerezve qe tani nuk jetojne me, atehere si jane shtremberuar e eshte pranuar trillimi si vertete?
    Te gjithe ata qe kane qene pjesmares e qe kane patur dijeni duhet te mbajne qendrim dmth te prononcohen pro apo kunder ketij shkrimi. Njerez zbrazeni shpirtin, hiqeni baren ne se e keni!

  2. raimondi says:

    Diku aty ai thote qe :”…… po t e mos ishte kjo levizje Studnetore Shqiperia mund te ngelej si Koreja e Veriut apo Kuba,sepse kishim nje injornace t e madhe per pluralizmin …..”

    Kjo eshte nje genejshter e Trashe
    sepse Shqiperia ishte nje vend i vogel, me armatim te vjeter, ne krye nuk kishte ndonje personalitet karizmatik si Enveri,
    dhe njerezit e njifnin pluralizmin shume me mire se sa kujton ky,sepse gjithe diten shikonin Rai tv, dhe te gjithe pa perjashtim diskutonin per politken shume partiake , biles edhe vete komunistet dhe sekretaret e partive flsinin per sistemin shume partiak
    dhe e fundit fare:
    Shqiperia eshte ne zemer ter Europes dhe nuk mund te qendronte dot e vetme ne komunizem, mos permendim qe ekonomia
    ishte ne renim dhe donte s’donte -,pluralizmi do vinte edhe nga brenda ,nga Ramizi dhe njereizt e tij qe dihej dhe flitej ndene ze qe ishin pro reformave perendimore
    Por si kushdo, Ramizi donte qe Partia e tij te qendortne vete ne krye , kjo eshte semundje e te gjitheve ne kete planet

    Persa i takon asaj qe ky thtoe per Azemin edhe mund te jete e vertete ajo qe thote ky zoteria , por problemi qendorn ketu ,

    Se Azemi qendroi ne Shqiperi, luftoi dhe punoi per te Ndertuar te pakten ate qe enderronte ky qe shkruan ,sistemin pluralist

    ……Ndersa ky me te tjeret , Iken nga Shqiperia ,e lane vendin mbas pa pyetur per fatin e Atdheut , dhe krijuan mudnesine per te regulluar jetne e tyre personale ,

    –Pra edde nqs ky dhe te tjeret ishin krijuesit e levizjes , keta me vone iken dhe ja mbathen pertej oqeanit
    Nuk pyeten me per fatin e atdheut ,___dhe kjo i ul shume ne syte e Kombit Shqiptar keta …..Dezertore
    Kjo tregon se keta e perdoren pjesmarjen ne kete levizje per te regulluar punet e tyre personale dhe jo per ti sherbyer Shqiperise

    Perse ky Shinasiu nuk qendroi ne Shqiperi dhe te luftonte atje per idealin e tij demokratik ,nqs ka pasur ideal
    , se nga sa del , ky dhe te gjithe keta qe iken aq shpejt kane pasur vetem Interesa ,dhe keta kur e pane qe ne grupimin e ri demorkatik ishin te parendesishEM iken……
    …….Nuk qendruan te luftonin edhe per vete,per idelain e tyre demokratik , por edhe per Shqiperine

    Pra do thosha qe Azemi edhe nqs ka qene kunder kesja levizje ne fillim , me qendrimin e tij ne Shqiperi ,
    dhe luften e tij politike per idealin demokratik, dhe me luften e tij te papajtuar kunder veprimtarise se grekve ne Shqiperi
    prape qendorn shume me larte se keta qe e Krijuan kete levizje dhe pastaj fryne nga syte kembet ,

    Se ka edhe dicka
    —Njeriu esht nje qenie ne progres,nqs ne fillim nuk eshte shume i qarte per dicka , ose mund te jete edhe kudnra,
    me vone piqet, me kalimin e kohes dhe lufton per ate ideal ——-E tille duhet quajtur edhe veprimtaria e Azem Hajdarit ne sistemin e ri demokratik

    —–Ndoshta ne fillim Azemi nuk ka qene pro asaj levizje, por me vone ai u be promotor i saj edhe ne parlament ,
    dhe luftoi per ato ideale me shume se keta qe bejne referate tani pas 20 vjetesh ,dhe shrkuajne memuaret e tyre ,
    kur keto 20 vjet per te cilet Shqiperia kishte nevoje te jashtezakonshme per ta
    ata shikonin rehatine e tyre dhe te familjes se tyre …………….ndersa Azemi luftonte ne Shqiperi per ti materializuar ato ideale
    —-Nga ana tjeter duhet thene se Azemi ne veprimtarine e tij poltike ka qene jashtezakonisht patriot
    dhe ishte pikerisht existenca e Azemit qe i mbante larg synimet e politikes greke ne Shqiperi

    —–Asnje politikan sot nuk eshte si Azem Hajdari ne aspektin e luftes kudner synimeve greke
    Po t e ishte Azemi gjalle ,
    edhe Sala me te gjithe keta politikanet qe i bejne leshime grekut , nuk do guxonin dot ti benin ato leshime
    …………ndaj dhe e elminuan ……. dhe tani kemi greket qe e bejne Shqiperine pershesh

    1. vangjush says:

      Kam degjuar nga njerez te cilet mund ti besoj para dhe pas vrasjes se Hajdarit se ai ishte i ngaterruar me shume pislleqe sidomos pasi erdhi nga U.S.A. dhe ishin nga keta lloj njerzish ata qe e vrane.Nuk e di mbase ka njerez te tjere te cilet dine me shume dhe mund te na ndihmojne por shume pak njerez kane mbetur qe kane pasur kontakte me te dhe ata nuk flasin pasi ato klane ku ai bente pjese jane akoma te rezikshem.

      1. raimondi says:

        Azemin e vrau Nano—-
        Sepse ata tropjanet qe vrane Azemin ishin disa rugecer qe kur erdhi Nano ne pushtet ata rugecet i beri Shefa Policie she shefa te SHIK-ut ne Tropoje
        Dhe te gjithe e dine ate qe Azemin e vrane ata rugacet e Tropjes qe Nano i kishte veshur me pushtet
        Sepse kur ata vrane Azemin atje kishte lokale dhe njerezit i pane vrasesist
        —-Pra dihet kush e vrau Azemin ——Te gjitha keto hamendjet qe thuhen lart e poshte jane bomba me tym
        ———-Por Azemi ishte shume patriot dhe ju prishte pune interesave greke ne Shqiperi
        Interesant eshte se ai qe e vrau Azemin ,JahoSalihi , ishte punonjes i SHIK-ut–,por SHIKU jone atehere edhe tani ishte ne bashkepunim me CIA-n amerikane ne lufte kunder terorizmit dhe ata te CIA-s ishin edhe ne Tirane–
        ——–Ata patjeter e kane ditur
        por kane bere indiferentin ,sepse ne krye te CIA-s ishte XHorxh Tenet, dhe Ambasada Amerikane atehere ishte kthyer ne nje Ambasade greke numer 2

Comments are closed.

Lini një Përgjigje