UPDATE- Deputetja socialiste, Arta Dade, në emër të grupit të saj parlamentar, u shpreh në seancën e sotme se është e turpshme që është shtuar monitorimi mbi Shqipërinë nga ana e Këshillit të Europës. Sipas saj, kjo tregon se vendi ka probleme. Dade tha se ndërkohë që në vendet e tjera zyrat e Këshillit të Europës janë mbyllur, në Shqipëri po kërkohet që të hapet një zyrë e re nga KiE për të monitoruar shtyllat e demokracisë. Dade tha se është paradoksale kjo gjë në një vend që pretendon që të anëtarësohet në BE dhe që ka dy vite në NATO.
“Fakti që zyra e Tiranës do të vazhdojë të kryejë detyra të shtuara vërteton katërçipërisht shqetësimin tonë dhe të vetë Komisionit të Monitorimit për Shqipërinë se në vend që Shqipëria pas 16 vjetësh të anëtarësimit në Këshillin e Europës të kishte plotësuar kriteret politike nga zgjedhjet e lira e të ndershme e deri te klima politike normale, nga respektimi i të drejtave të njeriut deri te respektimi i institucioneve të pavarura, nga respektimi i autonomisë vendore deri te konsolidimi i demokracisë parlamentare duke respektuar vetë parlamentin, i cili është shndërruar në mjet dhune kundër opozitës, e dhunuesi rekord i Kushtetutës së vendit, nga respekti për pavarësinë e medias deri te respekti për publikun nga media publike, vazhdon të mbahet e mbërthyer prej 2 vjetësh në kriza të rrezikshme të demokracisë ku dhunohen në mënyrë flagrante parimet dhe vlerat bazë, mbi të cilat është ngritur vetë Këshilli i Europës dhe organizmat e tjerë euro-atlantik, si OSBE, NATO dhe mbi të gjitha vetë Bashkimi Europian që na refuzoi statusin e vendit kandidat për përgjegjësitë ekskluzive të Sali Berishës,” tha Dade.
“Zhvillimet tragjike të 21 janarit alarmuan Këshillin e Europës. Sekretari i Përgjithshëm Jagland dënoi përdorimin e armëve me pasojë humbjen e jetëve të katër demonstruesve paqësorë, i kërkoi politikës të mos ndërhyjë në hetimin dhe të bashkëpunojë me Prokurorinë, si dhe bëri thirrje për dialog politik për të zgjidhur krizën dhe qetësuar situatën. Përkundrejt këtyre sugjerimeve dhe këshillave Kryeministri dha dhe njëherë dëshmi të pakontestueshme se ai vetë është në konflikt permanent me opozitën, me institucionet e pavarura, me median, dhe me shoqërinë shqiptare. Këshilli i Europës pas masakrës se 21 janarit ka dërguar komisionerin për të drejtat e njeriut, z. Thomas Hammarberg, si dhe përfaqësues të Komiteti Kundër Torturës në Këshillin e Evropës, të cilët bashkëpunuan me një sërë institucionesh vendase dhe evidentuan shkelje flagrante të konventave të ratifikuar nga ky Parlament,” vijoi më tej Dade.|
Comments are closed.
PS do bej gabim fatal n.q.s. e ha tekun dhe hyn ne zgjedhje. Ai elektorat qe e mbeshteti ne protesta nuk ka per ta mbeshtetur ne zgjedhje. LIRINE nuk ta sjell njeri ne tabaka duhet ta fitosh me lufte ( jo domosdoshmerisht me arme) Edhe nje ushtri me monitorues te vije nga keshilli i europes nuk bejne derman se pari sepse eshte KY keshill europe qe po i jep oksigjen skizofrenit dhe se dyti perbindshi nuk vrau kot ne 21 janar per te lene pushtetin kaq kollaj me vote.