“Superhëna” nuk ka lidhje me tërmetet

19 Mars 2011, 21:09Politika TEMA

-VËSHTRIM MBI TËRMETET DHE ORIGJINËN E TYRE

Nga Prof. Dr. Besnik Ostrosi

Tërmeti shkatërrues dhe cunami që pushtoi Japoninë 1 javë më parë (11 mars) kanë shkaktuar panik në mbarë botën, jo vetëm për pasojat e rënda akoma të pallogaritshme, por edhe për mundësinë e përsëritjes të të njëjtit fenomen në ato rajone të globit tokësor të përfshira nga aktivitete sizmike. Specialistë të degëve të ndryshme të shkencave natyrore përpiqen të japin shpjegime dhe të ngrenë hipoteza nga më të larmishmet. Nuk mungon dhe përfshirja në debat e parashikimeve apokaliptike, bestytnive, astrologjisë, legjendave të vjetra,..etj që flasin për afrimin e fundit te botës apo për “Super Hënën”. Aktualisht, flitet shumë për këtë të fundit si shkaktarja e mundshme e katastrofës natyrore që ndodhi në Japoni. Super Hëna është një nga ciklet e Hënës që shfaqet më 19 mars, kur Hëna e plotë ndodhet në pikën më të afërt të orbitës së saj (perigjeja hënore). Kjo dukuri nuk ka asnjë pasojë të rrezikshme kudo qoftë ne botë duke përfshirë dhe vendin tonë. Tërmetet e shumta, cunamet, shpërthimet vullkanike e dukuri të tjera gjeologjike nuk ndjekin ciklin hënor. Efekti i vetëm pa pasoja që njihet shkencërisht prej ciklit hënor është tërheqja e ujit të deteve e oqeaneve ose ndryshe e quajtur batica-zbatica. Lartësia e baticës që lëkundet nga 1 deri në 18 metra është më e madhe në gjire dhe më e vogël në dete e oqeane. Ne bregdetin tonë shqiptar ajo lëkundet nga 20-40 cm.

Sizmologët deri më sot nuk kanë gjetur asnjë provë që vërteton ndikimin e perigjesë hënore në rritjen e aktivitetit sizmik. Tërmeti dhe cunami i shkaktuar prej tij që ndodhën një jave para një fenomeni astronomik janë thjesht një rastësi.

Po atëherë cila është origjina e tërmetit të fuqishëm të Japonisë apo e tërmeteve në përgjithësi?

Sipas teorisë së pllakave, litosfera (shtresa e jashtme e Tokës që përbehet nga korja e Tokës dhe një pjesë e mantelit të sipërm) formohet nga pllaka të ngurta, të madhësive të ndryshme, të cilat notojnë mbi astenosferën e deformueshme (pjesa midis litosferës e mezosferës) dhe zhvendosen shumë ngadalë njëra përgjatë tjetrës nën ndikimin e forcave termike të brendshme. Janë pikërisht këto lëvizje origjina e dukurive gjeologjike. Gjatë zhvillimit gjeologjik të globit tokësor, pllakat kanë shkaktuar hapjen dhe mbylljen e baseneve oqeanikë, krijuar malet e vargmalet, favorizuar grumbullimin dhe formimin e mineraleve dhe të naftës, si dhe kanë ndikuar në ndryshimin e klimës. Fërkimi i pllakave midis tyre (njëra kundrejt tjetrës) ndalon lëvizjen e vazhdueshme dhe grumbullon energji e cila çlirohet në mënyrë të çrregullt dhe provokon lëvizje të papritura. Këto të fundit përbëjnë origjinën e tërmeteve. Gjithashtu, pjesa më e madhe e vullkaneve ndodh në kufirin midis dy pllakave që përplasen.

Tërmeti i fuqishëm i Japonisë ishte tipik tektonik d.m.th i një origjine tektonike. Dihet që Japonia ndodhet në një zonë kufitare të pllakave tektonike dhe 3 zona të subduksionit e karakterizojnë. Dy nga këto zona të subduksionit janë paralele me pjesën perëndimore të Japonisë. Në jug, pllaka e Filipineve zhytet nën pllakën euroaziatike, ndërsa në veri, pllaka e Paqësorit zhytet nën pllakën e Amerikës së Veriut. Me këtë aktivitet të lartë tektonik ku këto pllaka tektonike janë në lëvizje të vazhdueshme, e që zhyten njëra poshtë tjetrës apo fërkohen, nuk është surprizë që Japonia të ketë një  Paraqitje e elementeve kryesorë të lëvizjes tektonike (rasti i subduksionit).

vazhdueshmëri tërmetesh katastrofike. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm 8.9 balle shkallë Rihter nuk erdhën kryesisht nga lëkundja e parë, por nga cunami që e shoqëroi më pas. Fuqia e vërtetë shkatërruese e cunamit nuk qëndron tek lartësia e madhe që arrin, por tek gjatësia e valëve që përhap. Sizmologët e nënvlerësuan fuqinë e tërmetit, ato parashikuan një tërmet të shkallës 7.5 shkallë Rihter. Në fakt, nuk ekziston ende asnjë mënyrë për të parashikuar saktësisht kur një tërmet mund të ndodhë.

Përsa i përket vendit tonë, ai është një vend me lëkundje tektonike të konsiderueshme. Këto lëkundje lidhen kryesisht me aktivitetin e theksuar të pllakës dytësore të Adriatikut në kufirin me vijën Shkodër-Pejë, ku ajo zhytet në thellësi të detit Adriatik me një kënd rreth 70-75°C. Në Shqipëri njihet dhe veprimtaria e një pllakë më të vogël kontinentale që ngjitet mbi zonën kontinentale me një kënd të butë 50-65°C. Kjo pllakë përfshin vijën Elbasan-Vlorë-Shkup, ku gjithashtu lëkundjet tektonike janë të ndjeshme por më pak të fuqishme sesa ato të pllakës Adriatike. Vendi ynë njeh tërmete të fuqishme si pasojë e aktivitetit në kufijtë e pllakës Adriatike, sidomos vlen

të përmenden ato që lidhen me vijën Shkodër-Pejë. Kështu, ai i vitit 1905 ne Shkodër me 9 ballë shkallë Richter që shkaktoi dëme në njerëz e materiale. Thuhet që në atë kohë, njerëzit kanë qenë të detyruar të qëndrojnë jashtë banesave të tyre për një muaj të tërë (muaji i zerzeles). Duhet theksuar se pllaka e Adriatikut bën pjesë në grupin e pllakave të vogla apo dytësore. Pllakat e mëdha apo parësore (afrikane, antarktike, australiane, euroaziatike, veri-amerikane, paqësore e jug-amerikane) jo vetëm që janë shumë aktive (karakterizohen nga breza tektonikë të fuqishëm), por ajo që është e rëndësishme për të përmendur, është fakti që këto pllaka gjatë aktivitetit të subduksionit pozicionohen vertikalisht me kënd afërsisht 90°. Në këtë rast, tërmetet që shkaktohen në “vertikalen” e subduksionit kanë efekte katastrofike.

2 komente në ““Superhëna” nuk ka lidhje me tërmetet”

  1. Bardhyl Qirjaku says:

    Toka dhe sateliti i saj natyror Hena kane disa miliarda vjet qe bashkejetojne. Kur pranojme se si rezultat i terheqjes midis tyre shkaktohen baticat e zbaticat, pra levizin miljona e miljona tonelata uje, pse te mos pranojme se kjo terheqje ndikon edhe ne levizjen e pllakave, Paska disa aresye qe pllakat levizin qe mund te jene levizija e Tokes rreth boshtit te saj dhe rreth Diellit, fakti qe ato pllaka notojme mbi astenosfere, e plot aresye te tjera. Por fakti qe terheqja Toke – Hene merr vlera te ndryshme ne varesi te largesise se tyre nuk mund te neglizhohet ne notimin e pllakave kur kjo terheqje behet deri 20% me e madhe (kur kemi Super-Hene largesia Toke – Hene zvogelohet deri 10%). E verteta eshte se deri me sot akoma nuk eshte arritur qe te parashikohet notimi i pllakave sepse jane shume faktore qe ndikojne ne levizjen e tyre, por qe terheqja Toke -Hene ndikon kjo nuk duhet dyshuar. Pikerisht sepse akoma nuk mund te parashikohet lindin interpretimet e pseudoshkencetarve e pse jo edhe te sharlataneve qe vetem perhapin panik per fundin e Botes.
    Ju faleminderit

  2. erik74 says:

    cdo gje eshte e mundur ne kete bot, por perderisa nuk ka prova te vertetuara shkencerisht qe sherbejne per te themelu nje teori ath dyshimet, hipotezat e nuk e di cfare duhet me i hedh tek plenat. nese dikush dyshon se ”fluturon gomari” ta vertetoje qe ai fluturun :))) keshtu eshte edhe muhabeti i henes
    mesa di dhe autori e thot qe ka nje teori te pllakave qe shpjegon qe pllakat levizin prej forcave ne brendesi te tokes dhe ne te nuk flitet fare per ndikimin e superhenes ne levizjen e tyre.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje