Gazeta Sporti Shqiptar prej dy ditësh po denoncon skandalet e korrupsionit me kombëtaren. Bëhet fjalë për dy raste flagrante. Sigurisht nuk është e lehtë të denoncosh korrupsionin në sport, ku interesat mafioze janë shumë të mëdha dhe të frikshme. Madje edhe në kampionate të vendeve ku ligji funksionon shumë më mirë, frika për të denoncuar këtë krim është shumë e madhe. Bëhet fjalë për një industri që qarkullon miliarda euro. Dikur kryeministri Sali Berisha pati folur për këtë problem, por tani është bërë ortak me kreun e FSHF dhe e ka mbyllur gojën.
Rasti i Kristi Vangjelit
Futbollisti i kombëtares ka denoncuar rastin kur i është kërkuar para për të luajtur me Kombëtaren U-21. “Në fillim jam grumbulluar në skuadrën kombëtare U-21 (Shpresat) e Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit Hasan Lika. Ishte nder dhe kënaqësi për mua që të luaja për ngjyrat kuqezi, pasi për ne shqiptarët, që luajmë në emigrim, është tepër e rëndësishme fanella e kombëtares, për më tepër që jam rritur në Greqi. Por gjërat nuk ishin të gjitha “bahçe me lule”. Trajneri Hasan Lika nuk kishte aspirata për të nxjerrë sa më shumë talente, që t’i shërbenin përfaqësueses së Shqipërisë. Ai mendonte për anën individuale. Në një moment babai im ka pasur një debat të vogël me të, pasi i ndodhur në Korçë, Hasan Lika, në njëfarë mënyre kërkonte shpërblim, kuptohet financiar, që të më mbante në përfaqësuesen e Shqipërisë U-21, mua dhe vëllanë. Gjatë një bisede, ai i thotë babait tim, Kristaqit: “Ti i ke gjërat në vijë, pasi i ke dy djemtë në kombëtare, jeton edhe në Greqi, por për ne të tjerët si i bëhet hallit?” Përgjigjja e babait ishte e prerë: “Nëse do dreka apo darka, të afrojmë sa të duash, edhe respekt, por unë para për djemtë e mi nuk jap, pasi gjithçka duhet ta meritojnë në fushën e blertë e jo jashtë saj,” thotë Kristi.
Rasti i Çlirim Bashës
Kurse futbollisti shkodran ka rrëfyer për një rast që i ka ndodhur atij në vitin 2001. “Ndodhesha në Gjermani, atje ku edhe luaja futboll, dhe një ditë më bie telefoni. Në fakt, prisja të ishte ndonjë numër shqiptar, sepse ishim në prag të një ndeshje që do të luanim me kombëtaren tonë dhe prisja ftesën për të marrë pjesë në të, sepse unë tashmë isha pjesë e ekipit, apo edhe për të më lajmëruar se kur do të merrja shpërblimin që më takonte nga shuma e 11 mijë dollarëve që federata kishte akorduar për fitoren 2-0 me Greqinë. Por në ekranin e telefonit tim konstatova se numri nuk ishte shqiptar. Ishte një numër telefoni belg. Pra, më telefononin nga Belgjika. Ajo çfarë dëgjova në veshët e mi ishte vërtet e turpshme. Nëse do të luash në formacion në ndeshjen ndaj Gjermanisë në Leverkusen, duhet të paguash 5 mijë dollarë! U trondita,” thotë Basha.