Flamuri dërgon turistë në fshat të vet

19 Mars 2011, 19:54Antena TEMA

Një varg i gjatë makinash u shfaqën dje paradite në rrugën që lidh Kukësin me fshatin Shishtavec. Vargu i makinave, të gjitha 4×4, disa dhe me flamuj shqiptarë të zbukuruara, tërhoqi vëmendjen e banorëve të zonës. I pari që i pikasi sapo kaluan grykën që të fut për në drejtim të Shishtavecit bëri telefon në fshatin Novosej.

– Ej, po vjen Feimi or taj, i tha  kryesorit të fshatit në telefon.

– Ku e di ti që po vjen Feimi, i tha kryeplaku.

– Po vjen një varg i gjatë me makina, i tha fshatari. Vetëm Feimi mund të sjellë kaq makina në fshat.

– Jo or taj se nuk vjen dot Feimi ktu se s’na e ka kry rrugën. Ka pasë thanë që e keni rrugën gati për një vit, kanë kalu tri vjet e s’ka nisë hala.

– Or taj, s’di gjë unë veç ai po vjen me një grumbull makinash.

Lajmi mori dhenë dhe Novoseja doli e gjitha tek klubi i fshatit. Prit e prit, prit e prit, dhe më në fund makinat u shfaqën. Të zbukuruara dhe me disiplinë ashtu siç i kishin paralajmëruar.

Ndaloi makina e parë afër kafesë.

– A flisni shqip, e pyeti një vajzë flokule nga makina.

– Po or taj, flasim. Ne s’jena goranë. Goranët janë në Shishtavec. Ktu jena të përziem.

– A, shumë mirë, i tha vajza. Nga duhet të kalojmë ne tani, nga vazhdon rruga?

– Oj ti, zbrit prej makine një herë pastaj na kërko nga do me shku. Le që s’dum me u marr me gratë, po thirr Feimin të zbresë e të merremi vesh.

– Ne e kemi rrugën për Shishtavec, i tha vajza. S’kemi asnjë Feim me vete.

– A keni ardhë për miting oj cucë, i tha kryeplaku i zemëruar.

– Jo, jo, i tha vajza, po bëjmë xhiro. Ne jemi ca të rinj që bëjmë gara me makina në rrugë të prishura. E vendosëm me ardhë këtu se na thanë që kjo rrugë s’ka me u rregullu.

– Ej nanën, shau me vete kryeplaku. Ky Feimi mirë që na gënjen për rrugën, por na gënjen dhe për mitingun tani.

– Si asht puna, kush është Feimi, pyeti vajza.

– Asht nji djalë nga katundi jonë, që ju në Tiranë i thoni Flamur..

– Ku punon ky, pyeti vajza.

– He, as me këtë emër nuk e njeh a? Po asht Flamuri moj, Dyshi pas Berishës. A s’e ke ndigju a?

– Hahaha, filloi të qesh vajza. Pse, i vërtetë është ai? Unë e di që e sajojnë gazetat.

– Jo bre, krejt i vërtetë asht. Qe ku e ka shpinë, aty poshtë, qe ajo me banjë në bahçe, ktu e ka ba shkollën dhe deri sa iku nga fshati e kanë pasë qujt Feim. Pastaj shkoi për infermier dhe e bani Flamur. Veç ne Feim i thona.

Vajza s’e mbante dot të qeshurën.

–   Oj cucë, s’ka gjë me kesht ktu. Se na e ka sjellë në maj të hundës. Na ka thënë ua bëj rrugën, s’na e ka ba, na ka thënë ua shes patatet në Tiranë, s’na i ka shitë, na ka thënë ua fus në Kosovë pa doganë, s’na i ka futë, i kena futë me mushka malit.

Vajza vazhdonte të qeshte dhe u shpjegonte të tjerëve diçka në vesh. Gjithë djemtë shofera nisën me qeshë.

– Ça ka bre me qesh ktu se s’po e marrim vesht, tha kryeplaku. Na e thoni dhe ne të qeshim.

– Jo, asgjë, i tha vajza. Por thjesht nuk e dinim që ishte njeri prej vërteti ky Flamuri.

– Heu, ç’ka po thu moj cucë. Po ne e dimë që krejt Shqipnia e njeh atë si Dyshin pas Doktorit, e ju s’e njihni krejt. A jeni prej Tirane a prej katundeve?

– Shumica prej Tirane, i tha goca. Ka dhe nga ndonjë rreth tjetër, por nuk merremi me politikë dhe nuk e njohim.

– As ne bre s’merrena me politikë, por krejt gjanat ai i ka në dorë në këtë vend. Don, s’don, do merresh me politikë. Ja qetash më njoftun që po vjen një karvan me makina e mendum që vjen ai. Kekeni ju, s’po di cv’të them ma. Gazetat shkrujnë që ai ka krejt paret e Shqipnisë në dorë, e s’na e ndreq këtë rrugë 17 km është.

Vajza vazhdonte të qeshte. Kryeplaku u bë nervoz.

– Shiqo ktu, i tha kryeplaku. Kam me e pyet Flamurin kur të vijë për ju, dhe ka me ua hek dokumentat e këtyne makinave se po talleni me ne.

– Jo, tha vajza e trembur. Nuk po tallemi, por na vjen për të qeshur që është njeri i vërtetë. U bëri shenjë djemve të niseshin. Vargu i makinave u nis. Kryeplaku po i sodiste i çuditur gjithë ato makina pa Feimin në krye. Ndërkohë bie zilja e telefonit. Ishte ai vetë, Feimi.

– Dëgjo, i tha, pa i lënë ti thoshte asgjë. Kam rregullu të vijnë nja 30 makina sot me djem e goca të reja në fshat nga Tirana, për turizëm. Do ta gjallërojmë pak zonën. Fola dhe me atë Burrin dhe më tha shumë mirë ke mendu Flamur.

– Ashtu a, tha kryeplaku i hutuar nga gjithë ata turistë që Feimi u kish dërgu nga Tirana.

1 komente në “Flamuri dërgon turistë në fshat të vet”

  1. kolaqi says:

    hajde dru me pre or tajjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjjj

Comments are closed.

Lini një Përgjigje