Flamuri pezullon titullin Doktor Honoris Causa për Pacollin

21 Mars 2011, 21:01Antena TEMA

Flamuri u gjend dje para një fakti të papritur. Presidenti Pacolli, i cili po viziton Shqipërinë pa leje të tij, paskësh dhe një pjesë të dytë të vizitës së tij në një universitet privat ku do merrte titullin Doktor Honoris Causa. Ky lajm në fillim e çuditi shumë, derisa mësoi kuptimin e vërtetë të fjalës.

-E pamundur, tha. Këtë nuk do ta lejoj. Mirë që ka ardhur i ftuar nga Presidenti dhe jo nga ai Burri, po dashka të behet dhe Doktor njesoj si unë, pa bërë asnjë ditë shkollë. Në asnjë mënyrë nuk e lejoj.

U lidh me universitetin privat që do t’i jepte titullin.

– Si guxoni t’i jepni titullin Doktor dikujt, ndërkohë që ju nuk keni fare degë mjekësie, i tha administratorit.

– Po është titull simbolik, i tha administratori, s’ka të bëjë me mjekësinë.

– Si mor burrë s’ka të bëjë me mjekësinë dhe i thënkeni Doktor?! Unë e kam bërë shkollën 11 vjet dhe mezi dola Doktor. Ai Burri atje lart ka punu një jetë të tërë dhe s’ka marrë akoma titullin Doktor nderi.

– Po jo mo zoti Flamur, i tha administratori, ma lër të të shpjegoj.

– S’ke çfarë më shpjegon, i tha. Do pezullohet urgjent sa të flas unë me atë Burrin.

Administratori u lehtësua që Flamuri ja mbylli telefonin dhe vazhdoi punën.

Flamuri po ashtu. Donte të pyeste se ç’ndryshim kishte titulli Doktor Honoris Causa nga diploma e tij, por i vinte zor se mos e tallnin. Atëherë vendosi të kërkojë një listë të njerëzve që e kanë marrë këtë titull. Në listë kishte politikanë të huaj dhe personalitete, por ua kishte dhënë universiteti shtetëror. Nga privatët ishte rast i parë.

Mori rektorin e universitetit dhe e pyeti.

– Më gjej ndonjë rast tjetër që ndonjë biznesmen i pasur ka marrë titullin Doktor Honoris Causa?

– Vehbi Alimuça, i tha rektori. Në vitin 1996, një universitet privat rumun i dha titullin Doktor Honoris Causa. U bë festë e madhe tek Pallati i Kongreseve dhe me atë rasti Vehbiu ndau dhe disa diploma mirënjohje për gazetarë dhe politikanë.

– A shkërdhatë, tha Flamuri me vete. Mua më kanë ranë leshtë 11 vjet në fakultet mezi e mora dhe nuk bëhem Doktor Honoris Causa, ky me katër klasë shkollë shkon e bëhet.

Donte të pyeste ç’u bë me urdhrin e pezullimit, por s’dinte kë të pyeste. Kishte frikë se administratori i universitetit nuk e pyeste se e kishte lidhje diskrete me Familjen. Pyeti kë ka këshilltar Presidenti Pacolli. I thanë që është Laçkoja. Prapë ngeci. Nuk e njihte këtë dreq dhe e ngatërronte gjithmonë me atë tjetrin. Apo mos është ai tjetri, tha me vete. Prapë e ngatërroi. Nuk i vinte në mendje kush ishte, dhe Flamuri i kishte ndenjtë larg. Ju kujtua Taqi… Taqi, si e kishte ai që e akuzoi ai Burri për trafikant nafte. E mori në telefon.

– Mirëseerdhe zoti President, i tha zëri nga ana tjetër e telefonit.

– Nuk jam presidenti, jam Flamuri, i tha ky i hutuar.

– E di, e di, ne vetëm një flamur kemi, një komb jemi, i tha.

– Or trap, jam Flamuri të them, ça më thua një komb mua ti?

– Patjetër zoti president. Do të gjej kohën të hamë një drekë bashkë, patjetër. Mos ki merak, i kam rregulluar të gjitha gjërat këtej. Kam folë me Berishën me Topin, me policinë, me të gjithë. Rri rehat. Po deshe eja dhe nga TV se e ke tëndin. Po si të duash, dhe po nuk erdhe mos ki merak se ta mbajmë sikur të jesh vetë.

– Çfarë thua mo idiot, i tha Flamuri. Kë gënjen aty se po flet me Presidentin Pacolli?

– Faleminderit dhe një herë, i tha Taqi. Do shihemi. Kam pak punë dhe sa të lirohem, të marr unë.

Flamuri u shastis fare.

–    Ç’qenka ky mashtrues, tha. Bën sikur nuk e di me kë po flet. Hajt se ja rregulloj unë atij, se mendon se mbaroi me kaq kjo puna e virgines. Hajt se ja rregulloj unë.

U dorëzua dhe mori sërish administratorin e universitetit.

– Dëgjo, tha. Doktor Honoris Causa, unë e di çfarë është, mos më trego mua ti që s’është njësoj me doktorin që viziton sëmundjet se e di para teje. Por po të lajmëroj se i vetmi biznesmen shqiptar që e ka marrë është Vehbi Alimuça. Nuk dua që t’i ndillni dhe këtij fatin e Vehbiut. Ju bëni si të doni, por unë po u lajmëroj.

– S’ka problem, i tha administratori. Kjo diçka honorifike është, s’keni pse shqetësoheni.

– Jo, s’ka problem. Vetëm theksojeni që nuk është doktor si unë dhe ai Burri. Është Doktor nderi, kot d.m.th për respekt. Se ngatërrohen njerëzit. Kemi shumë presion nga njerëzit që thonë si mund të jetë ky i barabartë me ty dhe Doktorin e Madh.

Lini një Përgjigje