Flamuri në sherr me Metën për fushatën

23 Prill 2011, 22:30Antena TEMA

Flamuri kaloi dje një ditë të tensionuar. Doktori do shkonte në Skrapar dhe duhej shmangur me çdo kusht shfaqja e Ilir Metës atje. U nis vetë një ditë parë në Skrapar. Shkoi tek dega e PD-së dhe kërkoi kryetarin. U afrua një burrë i urtë dhe i qetë.

-Problemi i parë që kemi, i tha Flamuri, është se na kanë këshilluar këta ekspertët amerikanë që të mos mbajmë afër ilir Metën. Na kanë thënë që po u shfaq fytyra e tij, humbasin shumë thellë. Ndaj nesër duhet bërë kujdes që në shesh të mos ketë asnjë portret të tij.

-Po si t’ia bëjmë shef se ne e kemi kandidatin e LSI, i tha kryetari.

-Tani ndaj kam ardhur unë, tha Flamuri, se nuk ua thosha dot në telefon. Ti vetë mos ja trego njeriu këtë se hapet llafi dhe i mbetet qejfi Metës…

Ndërkohë që Flamuri fliste, një njeri përballë tij kafshonte buzën dhe bënte me shenjë nga kryetari. Flamuri e thirri të afrohej dhe ju afrua tek veshi.

-Çfarë ka që nuk shkon, tha.

-Kryetarin na e ka vënë Meta, i tha me zë të ulët burri. S’ka pasë PD këtu dhe Meta i ka pasë zgjedhë këta.

Flamuri ngriu. Pa një herë nga kryetari që po rrinte si i hutuar dhe nuk foli.

-Ne nuk kemi gjë me Metën, tha, është vetëm taktikë. Kam folë unë me Metën, është dakord dhe ai. Fola dhe sot që u nisa.

Kryetari miratonte me kokë.

Por pa mbaruar fjala, bie telefoni. Ishte Ilir Meta.

-Flori, unë jam. Dëgjo flori, e di që po bëni shumë lojëra me mua, por të paktën jo në Skrapar. Jo në Skrapar flori se atje nuk ju shkojnë…

-Më vjen keq Ilir, unë s’kam thënë asgjë të keqe, thjesht po u shpjegoja këtyre këtu se është taktikë kjo dalja më vete.

-Ajo dalja më vete flori nuk është taktikë, por pisllëk. Ju keni frikë nga vetja juaj dhe na doni ne vetëm për ato mandatet në parlament. Po jo mo flori se nuk kalohet kjo punë kaq lehtë. Ne po luftojmë në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo shtëpi dhe ju talleni me ne. Ata që po vriten dhe rrihen rrugëve janë njerëzit e mi o flori dhe unë s’i lë dot rrugëve. Dhe mos fol me askënd aty se gjithë kryesinë e PD-së unë e kam pasë emëruar që nga ‘92-shi.

-E di mo, e di, se s’po them ndonjë gjë të madhe, por thjesht po i udhëzoj.

-Mirë flori, por më thanë që ke ndaluar portretet e mia në miting. Po më hoqët dhe mua portretet në miting, është sikur të heqësh fotografitë e tua nga Kukësi o flori, ku ke bërë ndere sa unë në Skrapar. Dy njerëz njihen sot në Shqipëri, skraparllinjtë e Metës dhe kuksianët e Flamurit.

-E di mo e di, por si të betohem që nuk kam thënë gjë.

-Jo flori jo, ke thënë. Ke heqë fotot e mia, flamujt e mi, dhe ata që mbushin sheshin u ke thënë të bërtasin “Berisha, Berisha”, po ata kanë për të thirrë të gjithë “Meta-Meta, e vërteta”.

Flamuri u turbullua krejt. Dhe këtë kishte mangët.

-Dëgjo Ilir, nuk kemi asgjë me simbolet tuaja. Bile Doktorit i pëlqeu slogani juaj “Ndryshimi i vërtetë për Skraparin”, i thashë dhe unë. Ndryshimi i vërtetë për Skraparin është të bërtasin në shesh për Sali Berishën. Ndaj kemi dashë të heqim simbolet e tua.

-Mirë flori, mirë, e kuptoj unë që ke mësuar të tallesh, po mos bëni shaka të tilla. Sheshi do bërtasë për mua. Ti vetëm po i hoqe mikrofonat nga sheshi. Unë o flori nuk zhdukem kollaj nga ekrani se u kanë thënë ju ca këshilltarë b..q.. Unë kam dinjitetin tim, moralin tim, pastërtinë time. Ju vetëm sa më ndotni. Kaq po të them unë.

-Po jo mo Ilir, e kam nga slogani d.m.th që ne jemi ndryshim i vërtetë këtu. Se ke idenë si është ndjerë Doktori atë ditë që erdhi tek konventa e LSI dhe gjithë salla bërtiste Sali Berisha, Sali Berisha. E kupton ti çfarë kënaqësie është ta dëgjosh këtë në shesh të Çorovodës. Na duhet shumë kjo pamje, ndaj kemi zhdukë shenjat e tua.

-Kot e keni vëlla që i zhdukni se atje do tu mbijnë. Me mua mos bëni shaka se unë nuk iki vetëm pa u marrë më vete dhe ju.

Lini një Përgjigje