Flamuri u ftua të shoqëronte të dielën vizitën e Lul Bashës tek Teatri i Kukullave së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Flamurit iu desh të shkonte dy orë para që të merrte masat. Problemi më i madh ishte se mos fëmijët që shkonin aty ishin kundër Lul Bashës për shkak të prindërve dhe prishej shfaqja. E vetmja zgjidhje ishte t’i priste gjithë biletat Flamuri dhe të futeshin brenda militantë të PD-së me fëmijë të tyre.
Flamuri shkoi tek sporteli.
– Më falni, sa kushton e gjithë salla sikur t’i pres unë biletat, i tha sportelistes.
– Ua, tha sportelistja. Por janë disa fëmijë që i kanë prerë biletat…
– Sa janë ata, i tha Flamuri.
– Gjithsej dhjetë vetë, i tha sportelistja.
– S’ka problem se i izolojmë ata. Të tjerat m’i jep të gjitha mua.
– S’ka problem, i tha zonja. Nga ky moment po i bllokoj shitjet dhe do blejnë vetëm ata që vijnë në emrin tuaj pa lek.
Kështu filluan të shkojnë gjithë njerëzit e shtabit të Bashës me fëmijë të merrnin biletat. Flamuri futi një reporter dhe një kameraman brenda kabinës që të filmonte njerëzit që blinin biletat.
I fundit sipas skenarit do vinte Basha me gruan dhe vajzën. Ata zbritën qysh para Ministrisë së Ekonomisë nga makina dhe u afruan në këmbë tek sporteli.
– Mirëdita zonjë, a mund të na jepni tre bileta, i tha Basha.
– Jo tre, po treqind të kam dhënë deri tani zoti Basha, i tha sportelistja. Me këtë rast m’i paguaj pak të gjitha.
Basha u shtrembërua në fytyrë pasi nuk donte që kamerat të kapnin batutën e saj.
-Hë, hë, paske humor, tha.
Gruaja e Bashës u pre në fytyrë dhe nxitoi të paguante.
– Sa kushtojnë, i tha me nxitim sportelistes.
– Sa portofolit tuaj zonjë, i tha sportelistja.
– Më falni, ndërhyri Basha, ku e dini ju sa lek ka gruaja ime në portofol.
– Jo zoti Basha, nuk po flas për ato që ka brenda, por për atë që duket nga jashtë. Gruaja juaj paska një portofol Louis Vuitton që kushton 450 euro dhe nje cante qe kushton 2600 euro. Po të na japë ne portofolin, mund t’i vijmë në fushatë me gjithë teatrin nga pas, pavarësisht se jemi të Bashkisë së Tiranës.
Gruaja u Bashës u zu keq mat dhe uli portofolin.
– E kemi blerë tek tregu çam, i tha Luli me nxitim dhe duke qeshur.
– Aha, dhe këtë fallco e paskeni, i tha sportelistja. U shkoka me fushatën dhe kjo.
Çifti Basha u tërbua dhe u larguan nga sporteli gjithë zemërim.
Flamuri iu afrua sportelistes.
– Çfarë pate me ta, i tha.
– Asgjë, i tha sportelistja. U kërkova lekët e 300 biletave. Më pyetën sa bëjnë dhe u thashë sa kushton portofoli juaj. Me aq sa pashë unë, vetëm aksesorët e gruas së Lul Bashës bëjnë nja dhjetë mijë euro.
– Ashtu ë, tha Flamuri i hutuar. Po si përfundim sa pare bëjnë?
– Bëjnë nja 600 mijë o zoti Flamur, i tha sportelistja, po thashë tu merrja atyre ndonjë lek se ty s’di me se të t’i ilustroj se e ke kravatën Zegna, këmishën kineze, xhaketën Brioni, këpucët e Korçës. Duket që vesh ç’të japin.
– Po pse u nxehën, pse u nxehën, pyeti Flamuri gjithë kuriozitet.
– Po ja më tha ajo gruaja që s’e kam Louis Vuiton origjinale, e kam blerë tek tregu çam, dhe unë i thashë, aha, harrova që e keni fallco se jeni në fushatë. Dhe m’u mërzitën.
– Hallall, i tha Flamuri. Mirë ua ke bërë. Dhe i la dhe një bakshish sportelistes.
Flamuri nxitoi pas Bashës ta shoqëronte tek vendi ku do të ulej. Aty ishte gjithë stafi i Bashës. Vajza e tij filloi t’i numërojë me gishta dhe në fund u kthye nga mami dhe diçka i tha në holandisht.
Gruas së Bashës i erdhi çehrja në vend dhe filloi të qeshë.
-Çfarë ka, e pyeti Flamuri.
-Ja përkthyem vajzës titullin e shfaqjes “Mama dhia dhe 7 kecat” dhe ajo nuk e kuptoi, tha. Tani numëroi deri më 7 këta anëtarët e Shtabit të Lulit dhe më tha që ti je mama dhia, këta janë 7 kecat.
Flamuri bëri sikur nuk e dëgjoi dhe ndenji larg. Të paktën s’e kishin numëruar tek 7 kecat.
Comments are closed.
Ti je njohës i mirë i stanit të Saliut o Mero Baze
Ndaj dhe humorin e atij stanit na i sjell taze