Sandri merr përsipër Bentley-n për fushatë

6 Prill 2011, 20:41Antena TEMA

Lajmi se Doktori bleu një Benz të blinduar 700 milionë lek krijoi një përshtypje të keqe në opinion. Sandri, i cili në fillim ishte shumë entuziast për këtë ide, u vu në siklet. Problemi ishte se në entuziazëm e sipër, kur doktori porositi Benz-in e blinduar, Sandri nxiti dhe Metën të blinte një Bentley.

– Të duhet patjetër, i tha. Doktori me Benz të blinduar, ti me Bentley-n tënd e bën mut Ramën. Se ky popull k… është se nuk e njeh ti. Po të pa me makina të shtrenjta, thotë hapi rrugën këtij se s’ke ç’i bën.

– Po mirë mo flori, e blejmë, tha Meta, po kujt t’i themi se Fanes i kemi rënë më qafë për gjithë ato punë.

– Flas unë me Zamon, i tha Sandri. E bën ai. E blen ai në emër të firmës dhe bën sikur ma jep mua. Unë pastaj ta jap ty në fushatë.

– Po kam frikë se e merr vesh ai Burri dhe thotë mos e merr. Na ka gjetë belaja, i tha Meta.

– Jo mo burrë, s’ke punë fare ti. Ti makinë me qera do marrësh në fushatë. Ke rast të shtosh dhe fatura. Pastaj pas fushate nga amortizimi i shesim sa shiti doktori makinat e kryeministrisë.

– Mirë mo flori, ti e di. Lekët s’ka problem se i gjej vetë unë. I them dikujt që i kam bërë ca ndere të paguajë në Londër. Pastaj Zamoja që të jetë brenda, të paguajë doganën në emër të firmës se i rriten shpenzimet qarr e ka. Po atij Burrit si do t’i themi se e kam merak?

– I rregullon vëllai këto, i tha Sandri. Problemi është që të mos merret vesh që vjen për ty. Se gati është Rama. E pe ç’të tha dje apo jo, Ilir Depozita, tha. Do një përgjigje ai.

– Po ç’t’i them unë o flori? Ai do të bëj fushatë duke treguar barsoleta për ne. Por po të jetë për barsoleta, unë kam Ylli Dylgjerin.

– Po lëre mor atë, po shiko fushatën. Duhet t’i hipësh Bentley-it dhe të bësh një shëtitje në gjithë Shqipërinë. Duhet ta shkatërrojmë këtë radhë. S’kemi më shans po nuk e shkatërruam tani. Sa për Doktorin, e rregulloj unë atë. I them që Ilirit i duhet një makinë e madhe dhe e bollshme për fushatë. Po më pyeti pse i duhet kaq e madhe, do t’ia shpjegoj hapur. E pe ç’i bëri Tan Prifti, do t’i them. Ai atë parti ka. Po s’bëri dot ndonjë pazar, ngel pa lek. Në zyrë e regjistrojnë. Në Sheraton e regjistrojnë. Në Rogner e kanë regjistru. Ai s’ka ku të bëjë një muhabet. Vendi më i sigurt është makina, do t’i them. I duhet një makinë e madhe dhe e gjerë nga pas.

– Rrofsh o flori. E kam hall vërtet se tallesh. S’kam ku të takoj një njeri. Ka shumë biznesmenë që duan të japin ndonjë lek, s’kam ku t’ua marr se më duket sikur më regjistrojnë. Me këtë makinën zgjidhet puna se i fton në makinë, bën një shëtitje, lënë lekët dhe ikin.

– S’ka problem, e zgjidh unë këtë me Doktorin. Them i duhet një Bentley, sidomos pas plagosjes së këtij Tan lepurit dhe Kajës. Makina e blinduar të shpëton kokën. Se ai vetë e ruan kokën. Ka shtu rojet, i ka bë gjashtë roje. D.m.th që ka një rrezik.

– Po si i bëhet mo flori, se mos ma fotografojnë dhe më thonë ku i gjete lekët? Duhen ca fatura  sikur e kam me qera. Po kjo firmë e Zamos e ka dhe administratorin serb, do më thonë të kanë dhënë serbët makinë me qera.

– Hajt mo burrë kush po e rruan se kush ta ka dhënë me qera. Në popull thuaj është imja se të ulet vlera. Problemi është vetëm tek Doktori. Ai s’ka ç’thotë se të vetën e bleu 700 milionë. Jotja 350 milionë lek është. Pastaj po dyshoi, i them unë që ma ka ble Zamoja dhuratë se i kam dhënë fjalën që do të lë TV, do hyj në politikë.

– Mirë mo flori, ti e di. Unë u kam thënë të gjithëve. Këtë radhë do shkrij gjithë pasurinë vetëm të fitojmë.

– Nejse, për gjithë pasurinë mos u nxito se s’ka nevojë të numërohen votat. Japim ndonjë lek këtej nga KQZ dhe na japin ata ca komuna. Puna është që fushata të bëhet e mirë, e fortë, imponuese, që njerëzit të binden që ne e meritojmë të fitojmë. Pastaj votat s’ka problem, i numërojmë vetë.

 

Lini një Përgjigje