Flamuri, telashe me Kushtetuesen e Kosovës

28 Mars 2011, 19:31Antena TEMA

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shpallje antikushtetuese të zgjedhjes së Bexhet Pacollit, e tronditi Flamurin. Nuk e kuptonte se si një Gjykatë mund të hiqte nga detyra presidentin. U bënë dy raste njëra pas tjetrës. Ai burri në fakt nuk ishte mërzitë fare për këtë punë, por Flamuri kishte marrë ca pare për vizitën e tij në Tiranë dhe kishte frikë se tani mund t’ia kërkonin prapë.

-Ça mut gjykate është kjo, tha. Ka rrëzu dy presidenta në gjashtë muaj. Po janë dhe ata presidentë koti. Dhe gjykata jonë ka marrë 22 vendime po s’kemi zbatu asnjë.

Të parin që ju kujtua se i kishte borxhe me këtë rast ishte Taqi i naftës. Ai kishte bërë dhe pagesat për vizitën e tij. Ai s’besoj se m’i kërkon prapë lekët, tha me vete. Po i kërkoi, gati e kemi dosjen e naftës virgine, që bën sikur e shet fallso në Serbi. Po për tu qetësuar, i bëri një telefon. Edhe ai ishte shokuar.

-Po lexoj Kushtetutën Amerikane, i tha, dhe Kushtetutën e Evropës dhe po gjej që Gjykata e Kosovës e ka gabim. Do bëj një artikull, do përkufizoj juristët më të shquar të botës…

-Do citoj thuhet, ndërhyri Flamuri.

-E, do citoj, si thuhet… s’ka problem o burrë se unë mendoj italisht dhe anglisht dhe më ngatërron shqipja. Do bëj artikull të fortë. Do cilësoj gjithë këta juristët që të thashë…

– Do citoj thuhet, do citoj…

– E mirë, do citoj, si thuhet, s’ka problem se ma shkruan Laçkoja shkrimin, e di ai si shkruhet.

– Qenka legena ata, tha Flamuri, po dhe Bexheti ka faj. Jepu ndonjë lek atje mo burrë se s’u bë qameti. Hajt vërdallë kot tani.

– Jo, ai s’ka pse ikën, ai ta hedhë çështjen në Strasburg. Jo, s’ka pse e lë postin. Kemi harxhu gjithë ato lek.

– Mirë vëlla, s’di ç’të them. Unë e bëra timen. Tek ai burri e çova, se nuk është se e kishte shumë qejf. Se mos na kërkon njeri paratë se i kam prishë dhe për fushatë.

– Jo mo vëlla, jo, nuk t’i kërkon njeri paratë, por lermë ta studioj një herë se cilin jurist të, ashtu si i thua ti, … citoj.

– Ç’na hapën telashe trapat. S’di si do vejë puna tani. Duhet me bë pak kujdes se janë legena këta socialistët. Mund t’i kërkojnë të kthejë çelësin e Tiranës që i dha Rama.

– Jo mo burrë se flas unë me ta, u jap ca tollona nafte për fushatë dhe pushojnë.

– Epo s’ka problem pastaj. Ata të UET nuk besoj se ia marrin prapë titullin Honoris Causa. Nuk ka precedent të tillë.

– Jo, nuk e bëjnë dot. Unë di rastin e Alimuçës, që ja dhanë ata rumunët më ’96, dhe nuk ja morën dot. Gjithë paret ia mori qeveria, po titullin s’ia morën dot.

– E mirë, të paktën mos na hapen telashe këtu. Po shumë gjykatë idiote. Mirë të gjitha, po ata nuk morën parasysh që ky i dha intervistë dhe Fevzos, i tregoi shtëpinë, verëra, oxhakun, historinë e familjes së lidhur me Titon. Si nuk e merr parasysh gjykata këtë një herë. Se ai tani duhet të shpallë antikushtetues atë emision. Kjo është skandal. Se duket intervistë fallco.

– Shumë skandal është në fakt. Po unë mendoj se do ta fitojmë, do ta hedhim çështjen në Strasburg, ku të jetë. Ja t’i lexoj unë një herë këtë filozofët që shkruajnë ligje dhe ta gjej ku kanë gabuar.

– Juristë quhen ata, i tha Flamuri, jo filozofë…

– Ah, po, jurist. Se i ngatërroj këta dy tipa.

– Nejse, s’ka problem, i tha Flamuri. Rëndësi ka që mos na hapi ne telashe se kemi dhe fushatën. Se mos na kërkon njeri të kthejmë ato paret se na duhen tani.

– Po jo mo vëlla ça thu ti.

– Dhe ty të bëri dëm vëlla se e kishe me kollaj me e çu naftën në Serbi me këtë, po hajt mo se akoma i fortë është ai. Pastaj ti letrat çon, sikur çon naftën.

– Le vëllai mos hap kështu fjalësh se gati janë këta legenat e prokurorisë, se unë e kam të pastër punën andej. Ata më kanë garantuar të vij kush të dojë për hetim, u tregojmë dhe depozitat po deshe. Po sot janë mërzitë pak me këtë Pacollin dhe s’janë në terezi. Do pres ca ditë të çojë ca bote, se dhe juve u duhet ndonjë lek për fushatë.

– Mirë vëlla, rrofsh. Ja për këtë të mora, se u bëra merak mos na hapen dhe ne telashe.

1 komente në “Flamuri, telashe me Kushtetuesen e Kosovës”

  1. LORA says:

    Nahija e F.Nokes eshte seriozisht e shqetesuar se mos o zot infektohet drejtesia e tyryry-ve nga akti i Gjykates Kushtetuese te Kosoves.Eshte nje shenje e mire ky akt edhe per ne ne Shqiperi.Dua ta quaj kete vendim si ushtrim real integriteti e sovraniteti.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje