Flamuri me Jozin në prezantimin e Bashës

25 Mars 2011, 20:10Antena TEMA

Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Flamuri ju afrua Jozit dhe e tërhoqi mënjanë. Duhet të vish patjetër në prezantimin e Lul-it, tha, se ai buri është nxehur shumë. Thuaju pak dhe këtyre të tjerëve. S’ka gjë, mos duartrokisni, po të jeni aty.

-Pa mar Flamur po vina, pse s’po vina. Marre ashtë me ta pa kush aty, po hajt po vina.

Kështu pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar zunë vendet në Pallat të Sporteve. Bënë kujdes të ishin disa rreshta larg Lulit që të mos e kapnin kamerat. I pari e mori fjalën ai burri. Foli për vlerat e Lul-it si maturant, pastaj si student, dhe më pas për punët e tij në Kosovë si ndihmës i sektorit që hetonte për krimet e luftës në Kosovë. Aty ngeci pak. Duhet ta shmangte patjetër faktin që Lul-i ka punu me mbushë dosjen e Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinaj… -Ka ndihmu me persekutu kasapin e Ballkanit, tha, Sllobodan Millosheviç…

Salla bërtiste ‘Berisha, Berisha, Berisha’…

– E shmangu bukur, i tha Flamuri Jozefinës.

– Po mar, për këta në sallë e ka shmangë me kohë, por puna asht për ata që e dëgjojnë në Kosovë. Na ka nxi faqen se ka hap dhe dosjen e Shtëpisë së Verdhë në Burrel, lene më të atyne në Kosovë.

Salla bërtiste ‘Berisha, Berisha, Berisha’…

Ai Burri vazhdoi fjalimin, vazhdoi të fliste për punën e tij në Kosovë. Kishte një adhurim dhe ngazëllim në fytyrën e tij për ato vite të Lul-it që nuk e fshehte dot. Pastaj erdhi momenti i KOP. Tregoi si Luli la punën në Kosovë… (në fakt e kishin hequr) dhe erdhi t’i gjendej pranë PD-së në zgjedhjet e vitit 2005. Jozi këtu nuk duroi dot ma.

-Akoma me ket prrallë ky? Si me kenë huj gardhi na të tjerët nuk e dijmë ç’ka ba ky plehën…

Salla bërtiste ‘Berisha, Berisha, Berisha’.

-A e shef dhe sallën, s’do me ja ditë fare për kënd po flet ky. Më duket se nuk e kanë marrë vesh që e kena kandidat.

Më në fund doli vet Lul-i në tribunë. Ishte përpjekur t’i ngjante Berishës në çdo detaj, dhe nga ritmi i zërit, nga ulërimat, nga pasthirrmat dhe nga retorika boshe e fjalive.

Salla vazhdonte ‘Berisha, Berisha, Berisha’.

Flamurit i ra telefoni. Ishte ai Burri.

-Urdhëro ata të fonisë të ulin zërin, tha, dhe bëj një grup të bërtasë për Bashën, jo për mue. Do jetë ai kryetar.

U ngrit Flamuri dhe uli foninë që të mos dëgjoheshin zërat në TV. Pastaj mblodhi grupin e Forumit dhe i këshilloi të bërtisnin, Luli, Luli…

Pas pak gjithçka u normalizua. Salla bërtiste Luli, Luli, ndërsa Luli vazhdonte të fliste se do bënte një park të ri kombëtar në Tiranë (nuk e tha vendin), disa mbikalime dhe nënkalime që do lidhnin Tiranën me botën dhe do hapte 30 mijë vende pune në bashki… Salla gjëmonte Luli, Luli… Pas shpinës së tyre kunati i Lul-it po filmonte sallën dhe thirrjet.

– Do t’i çoj unë në Hollandë, i thoshte dikujt në telefon. Ja sa të mbarojmë dhe t’i nis me internet.

– A ndigjon mar Flamur, i tha Jozefina. Don me çu kët’ video në Hollandë, ku askush nuk kupton ça thuhet, po dëgjohet veç fjala Lul-i Lul-i… ka me na qit bojën krejt.

Flamurin e kapi e qeshura dhe u kthye nga kunati i Lulit.

-Nise në Hollandë, po hiqe këtë pjesën që bërtasin shqip Luli, Luli, i tha.

Kunati u skuq i tëri nga inati dhe nuk i foli. Më në fund erdhi momenti kulminant. Luli do nxirrte në skenë gruan dhe vajzën.

Gruaja u afrua tek Luli dhe i tha vajzës të ngrejë dorën dhe ta tundë. Salla gjëmonte Luli, Luli… Vajza kthente kokën mbrapa e turpëruar.

– Çfarë ka, i tha Luli në vesh gruas.

– Nuk di shqip, i tha ajo, dhe nuk  kupton. Nuk i flas dot holandisht këtu se na e marrin vesh që nuk jetojmë këtu, po në Holandë.

Luli e humbi për një moment dhe si për ta kaluar hutimin lëshoi një britmë.

-Për Tiranën Evropiane, për Tiranën në Evropë. Ju premtoj Tiranë evropiane…

Vajza e tij i tmerruar nga thirrjet Lul-i, Lul-i vazhdonte ta mbante kokën mënjanë si e zemëruar me turmën.

-A e shef mar Flamur, dhe gocën po e terrorizon veç me fitu, i tha Jozi. Gruaja në Hollandë, vajza në Hollandë, ky vetë me korrespodencë në Tiranë, dhe don me fitu në Tiranë. Ku ku për na ç’na ka gjetë me këtë plehën. Të paktën të sillte familjen në Tiranë se na fëlliqi.

Lini një Përgjigje