?Flamuri me Fanen kanë një javë që po merren me negociata për të blerë një stacion TV për zgjedhje. Fania ka ngel keq me kredi dhe siç i thonë asaj fjalës së urtë popullore që “plumbi del me plumb”, ka vendosur ta shfrytëzojë këtë rast për të gjetur ndonjë lek për të blerë TV. Në këtë kurth ra dhe Flamuri. Fania i tha të presë bileta të klasit të parë për në Bari dhe “shkojmë rrimë dy net sa tu mbushet mendja pronarëve që kam Dyshin nga pas”.
Kështu bën. Negociatat ishin të vështira. Ajo që çudiste Flamurin ishte se dhe Fania dhe pronarët nuk diskutonin për çmimin, por për parimet. Ata që e shisnin thoshin që ne kemi merak mos devijon vija e TV, Fania që do ta blinte thoshte se unë do ta blej për ta bërë më parimor se ç’është. Flamuri nuk e kuptonte fare këtë gjë. Sa herë vendosej pauzë, tentonte t’i sqaronte për çmimin, po asnjë palë nuk diskutonte seriozisht për këtë.
– Ore Fane, i tha kur dolën jashtë. Mos përfito nga rasti që s’di italisht unë dhe flet pas krahëve të mia. Jepi paret dhe aq, për çfarë parime flisni se më çmendet?
– Nuk e di lojën ti, i tha Fania. Është lojë e madhe. Ta shpjegoj kur të kthehem në Tiranë.
– Or ti, do ta blesh këtë TV apo jo, se sa herë vijnë zgjedhjet këtë punë ke, na kërkon ca para borxh të blesh TV, i ngrin në bankë, hedh ndonjë hall tjetër dhe pastaj nuk e blen.
– Po ashtu është puna shefo, mos u mërzit. Janë ca gjëra që i dimë ne, t’i shpjegoj në Tiranë.
– Ça do më shpjegosh në Tiranë mo burrë se na ke ngri 7 milionë euro të fushatës dhe s’po bën gjë. Me 500 litra naftë e kisha rregullu me Babon pa lekë fare dhe do e kishim xham.
– Po puna është të bëjmë diçka profesionale shefo, diçka të mirë, diçka parimore, jo ashtu partizançe. Ai Baboja bën gabim që e ul pazarin. Do tu them dhe këtyre.
– Epo hë bëjeni se na çave trapin, ke dy herë që na merr lek për këtë punë dhe s’ke bërë asgjë.
– Ja shefo, mos u mërzit. Është diçka e madhe kjo, nuk bëhet kaq lehtë. Ta tregoj kur të jemi në Tiranë.
– Ma trego këtu o Fane se plasa deri në Tiranë.
– Shiko si është puna shefo. Dhe mund të mos e blejmë. I ngrijmë ato lekët aty, i përdorim për ndonjë punë në fushatë, ndërkohë TV zbutet pak, bën ndonjë punë për ne në fushatë se hapet llafi që është me ne, dhe pas fushatës secili në punë të vet. Ndaj e bëj gjithmonë këtë punë në fushatë.
– Aha, unë thashë se do ta blesh vërtet ti mo burrë. Më qenke bërë si Taqi që donte të blinte Bolonjën dhe Milanin, dhe sa i zinte në gojë ai, u binte çmimi përgjysëm. Pse s’thu ti që ua paske me hile këtyre.
– Është teknikë kjo shefo. Po ti mos na e ul pazarin me atë Babon, se na shko mundimi dëm. Është lojë e madhe kjo. Pastaj më duhet pak dhe për bankat. Kur shikojnë që kam ngri 7 milionë euro, s’i bien telefonit për këstet një vit.
– Mirë, mirë, kuptova. Po dyshova se flisnit italisht sa herë isha unë aty. Thashë çfarë fshehin këta. Tani e mora vesh. Tani jam i qetë. Po shiko se ai burri e ka marrë seriozisht dhe më ka marrë disa herë në telefon. Më thotë a e bletë a jo? Seç ka një mosbesim të madh në këtë punë. E ka fiksim t’i blejë këto mediet e këtij italianit. Dhe më ‘96 pat dërguar Tritanin t’i blinte gazetën se Tritani ishte Dyshi atëherë. Tani jam unë.
– E di shefo, e di, po është lojë e madhe kjo. Mos u mërzit se s’jemi duke harxhu lek kot që ta blejmë. Puna është ta zbusim mos na bëjë dëm në fushatë. Se ka dhe tri video ai Dritani. Po nuk i dhanë këta dhe Topi, s’ka kush i jep pastaj. Këtu është puna. Mos t’i japin ato para zgjedhjeve. Ka këtë të fundit shefo, që nxehet ai shefi im, është e keqe fare.
– Kush nxehet?
– Meta shefo, Meta. Se atë kam shef unë. Nxehet keq ai dhe shan me rob shtëpie Dritanin në Rogner. Skenë e keqe shumë shefo. Po e dhanë dhe atë para zgjedhjeve, dalim keq. Boll ta bllokojmë nuk është pak.
– Mirë Fane, mirë, po unë e hëngra vërtet. Se më the do ikim dhe në first class për në Bari. Ai avioni i krushkut të Lul Bashës si karrige e parë, si karrige e fundit, njësoj ishte. Tani më gënjeve dhe për blerjen. Dal pak si trap unë, po hajt se po ja shpjegoj atij burrit si është puna. Me të tjerët merru vetë.