Flamuri ishte dje i deleguar nderi tek parti e çamëve. Ishte përpjekur disa muaj për t’i futur ata në koalicion dhe dje ishte dita që ata do shpallnin mbështetjen për kandidaturën e Bashës në Tiranë. Flamuri ishte e ftuari i nderit i tyre pasi kishte negociuar në detaj çdo gjë nga përfshirja e tyre në qeveri. U ngrit problemi që për çështjen çame duhen para, dhe Flamuri i propozoi të marrin policinë ndërtimore pasi aty bëhen lek. “Më gjeni një djalë çam besnik që s’na del llafi, u tha Flamuri, dhe e vëmë aty”. Shpëtimi, i cili mban mend vetëm njerëzit që kanë punuar në kohë të Fatos Nanos, u kujtua dhe vuri të fundmin e tyre në polici të ndërtimit. Për fat ky kishte një gjyshe çame.
Flamuri mendoi se ku do gjendej një vend tjetër me pare që partia çame të bënte ndonjë lek për çështjen kombëtare. Ju kujtuan targat dhe patentat. Shpëtimit prapë iu kujtua një shok dogane që kishte në kohë të Nanos. Për dreq ky s’kish asnjë gjyshe çame, por një komshi i tij kishte pasur një të dashur çame dhe i kish thënë fjalë të mira për Çamërinë. U vendos dhe ai. Vazhdoi më tej me këto drejtoritë e tjera me lek, dhe puna ngeci tek Posta Shqiptare ku Arqile Goreja nuk lëvizte, pasi mbronte teorinë se punën e çamëve e bëjnë më mirë shqiptarët ortodoks se sa ata myslimanë.
Për gjithë këto merita të Flamurit, ai ishte dje i ftuar i nderit i çeljes së fushatës. Para se të merrte fjalën Shpëtimi, iu ul pranë dhe donte të konsultohej për disa pika ku mund ta mbështeste si patriot Lulëzim Bashën. Flamuri filloi t’i shpjegonte.
“Rrjedh nga një familje patriotike, i tha. Një gjyshe e tij nga Peja ishte bërë grua në moshë për tu martuar dhe priti 28 Nëntorin e vitit 1932 që të ikte nga Kosova me këmbë përmes Vuthajt dhe të zbriste në Shqipëri. D.m.th simbolika këtu është që gjyshe e Lulit ka zgjedhur 28 Nëntorin për të ikur nga Kosova si familje patriote”.
– OK, e shënova, thoshte Shpëtimi.
– Pastaj ke një detaj tjetër. Nëna e Lul Bashës ka punu tek ambulanca e udhëheqjes, d.m.th afër shokut Enver, dhe Lulit i ka bërë përshtypje shumë fjalimi i shokut Enver për Kosovën në vitin 1981. Atëherë ishte i vogël në klasë të parë, por që atëherë ai e ka në mendje imazhin e e tij dhe siç thuhet në këto raste, njeriun që e imiton, fillon dhe i ngjan pastaj pak nga pak. Po ta shikosh në profil ngjan shumë me shokun Enver.
– OK, tjetër, tha Shpëtimi, se këtë punën e shokut Enver s’e përmendim dot.
– Jo, mund ta përmendësh se kjo ka ngulitur patriotizmin tek Luli.
Pastaj nga viti 1991 deri në vitin 2005 Luli iku nga Shqipëria dhe jetoi në Hollandë. Që mos të kishin telashe nga klika antishqiptare e Tiranës, gruaja dorëzoi shtetësinë shqiptare dhe u bë qytetare holandeze. Pas kësaj Luli iku i sigurt në Kosovë. Aty u mor me dosjet e shqiptarëve për krimet e luftës.
– Ah, këtu më qëndro, tha Shpëtimi, se unë i kam mbështetur shumë këta të UÇK-së.
– Po ja të them unë, i tha Flamuri. I pari që i doli në shteg ishte Fatmir Limaj. I bëri një dosje nja dymijë faqe bashkë me Argitën dhe Jamarbërin dhe ia nisën në Hagë. I hëngri nja dy vjet burg. Pastaj iu turrën Ramushit dhe dy ushtarëve të tij. I çuan dhe ata në Hagë, i bënë dhe ata nja dy vjet dhe dolën. Pastaj kaloi në Shqipëri, u maskua si teknik rrugësh dhe kërkonte varre masive serbësh në Shqipëri, të vrarë nga UÇK. I çoi në Burrel tek shtëpia e verdhë, pastaj në Bicaj, në Kukës, pastaj në Fushë-Krujë. Nuk gjetën gjë dhe e pushuan për të paaftë. Por në fakt ai e mban për heroizëm se nuk donte t’i tregonte gjithë shqiptarët. Dhe ata që çoi, i mendoi mirë se e dinte që nuk i duheshin Kosovës.
– Edhe këtë s’e përdor dot, tha Shpëtimi, se i kam miq këta të UÇK. Ndonjë gjë tjetër?
– Tjetër ta them un ty. U bë Ministër i Rrugëve dhe do bënte Rrugën e Kombit. I tha atij Burrit fli i qetë se lekët i gjej unë. Nejse, nuk i gjeti dhe u detyrua ai Burri ta niste me lekët tona. Rruga e gjatë 130 km. 60 km e Lulit, 1 miliard euro, 70 km që bënë shqiptarët, 100 milionë euro. Pra, shqiptarët i mobilizoi si patriotë të vërtetë dhe e bënë gjysmën e rrugës me një të dhjetën e çmimit që bënë turqit pjesën tjetër. Vetëm një patriot i madh mund të ngjallë frymëzim të tillë.
– Kjo qenka e bukur, po e them, tha Shpëtimi.
Ndonjë gjë tjetër sa për mbyllje?
– Për mbyllje. Po ku ka më bukur. Ai u bë Ministër i Jashtëm, kishte shans të zgjidhte çështjen çame. Dhe e nisi punën tu merrte krahët grekëve. Kërkuan ata varreza në çdo fshat në Jug përgjatë kufirit të Vorio Epirit në Vjosë, ua dha që nga Dragoti deri në Korçë. Pastaj ata kërkuan ujërat territorialë. Ua dha siç e deshën. Unë e di që ju keni protestuar si parti, po ju nuk dinit përfundimin. Pas kësaj Luli do tu tregonte atyre se ka shok dhe kryetarin e partisë çame në Shqipëri dhe ata i kishin dhënë fjalën se s’do t’ia merrnin për ters. Ja këto ka bërë, ç’të them tjetër unë.
Shpëtimi kishte mbetur një çikë keq.
– Desha ca gjëra më të forta, tha, po dhe këto boll janë. Po them dhe unë dy fjalë pse çamët besojnë tek Lul Basha, pasi gjyshja ime dhe gjyshja e Lulit kanë ardhur në Shqipëri, një nga Çamëria, një nga Kosova. Pastaj ishalla s’dëgjohet tha se nisin duartrokitjet.
Comments are closed.
Si mund te realizohet nje aleance e tille absolutisht joparimore . Saliu shet detin shqiptar dhe jo me Çamerine . Si mund te behet koalicion me nje parti qe drejtohet nga Sali Berisha , i cili vazhdimisht akuzohet per shitje te interesave kombetare. Mos valle vete çamet po ia fusin vetes.
Ehu, o Frederik,sa ka Saliu&Edi hallin e Shqiptarve,aq ka dhe Shpetimi te cameve,bli te parin,pra vendimarresin, i ke blere te tere.
Eshte per te ardhur keq,por camerit jane verberisht te djathte.ata e ngatrrojne PS me komunizmin.Nuk jane shume te afte per politike,nuk bejne analiza,p.sh. e kane inatin me Enverin se u vrau Temen,se u ndrroi kombesine,dhe ate partine e punes te Enverit e ngatrojne me te majten shqiptare.Ua corodit llogjiken Sala..Ai (Sala)bertet si antikomunist per te siguruar pushtetin dhe keta e marrin seriozisht.Xhanem ai Shpetim Idrizi i di me mire keto pune por me qe hyri ne vallen came do e hedh kembet sipas avazit.
Une po te isha ne vend te Idrizit,per te patur rezultat si elektorat dhe si comunitet cam do beja disa kalkulime te thjeshta:SE PARI: ne cilin krahe do merrte me shume vota.Sigurisht me 100% ne se do qendronte ne krahun e majte ! PSE?Sepse populli cam eshte me se shumti ne zona tradionalisht te majta,ku ai do mblidhte votat nga camerit e djathte dhe socialistat e majte!!!!
Se dyti:Le te bej nje liste me FAKTET ku e djathta me ne krye Berishen e ka mbeshtetur ceshtjen Came dhhe me faktet ku e majta nuk e ka mbeshtetur!ne se kandari del me mire nga e djathta ,bukur!andej te shkoje,ama po qe ndryshe lind pyetja e madhe KU PO SHKON?PSE PO SHKON ne drejtim te gabuar,mos ke joshje nga Berisha per ndonje koltuk?Ky eshte misioni juaj?Ne se je serioz per mendimin tim,mos shko nga e majta se ke alergji,por mos shko nga e djathta se asgje nuk ke fituar:Qendro ne mes i pamvarur dhe lufto me te gjitha forcat duke hedhur ne veprim ne barazpeshe te gjithe krahet e politikes shqiptare:Kjo do te ishte e sinqerte dhe me e drejte per kauzen>Pershendetje Z. Idrizi.Sinqerisht nga nje Cam!