Flamuri ka dy ditë që pret militantët në selinë e PD-së, të cilët duan sqarime për deklaratën e Bashës kundër prishjes së Piramidës. Të parët që mbërritën ishin drejtuesit e Shoqatës së Persekutuarve Demokratë.
– Duam sqarime, si është kjo puna e deklaratës së Bashës, i tha kryetari, një burrë i vjetër që ka qenë burgun e Spaçit.
– S’ka problem, mos u shqetësoni, tha Flamuri. Është lojë. Na duhet deri më 8 Maj. Doktori ka bërë sondazhe dhe del që po thamë se do ta prishim, humbasim. Mos u shqetësoni.
– Si mos të shqetësohemi mor djalë, çfarë jemi ne, Sabri Godo që çfarë thotë sot, s’e thotë nesër. Kemi thënë ka qenë varri i diktatorit dhe duhet prishur dhe duhet ta prishim.
– Po pse mërziteni mo burrë se do ta prishim, por pas 8 majit. Nuk është se u tha dhe u bë. Është për fushatë.
– Nuk të besojmë, i tha kryetari plak. Të na e thotë me gojën e tij Doktori. Nuk bëjmë kompromis për Enver Hoxhën.
– Po shiko se dhe nga familja e Enver Hoxhës, d.m.th nga kjo dega që është me PD, ata që kanë dalë në varkë me Doktorin, na u kërkua si nder.
– Cila qenka kjo dega e Familjes Hoxha që është me PD, u hakërrye kryetari.
– Është, është, është e sigurt, i tha Flamuri. Shiko, e ka thënë dhe Doktori në parlament. Enveri ka lënë dy djem. Një djalë dhe nusja e tij janë me PD dhe Doktorin, djali tjetër dhe nusja e tij janë me PS, Ramizin dh Nexhmijen. Ky krahu jonë brenda familjes, janë ata që i ka pasë miq Doktori, që kanë dalë bashkë në foto në varkë, në oxhak. Ata na e kërkuan si nder që të mos prishet para zgjedhjeve. Na e kërkoi dhe Hysni Milloshi.
– Si mor barazoni Hysni Milloshin dhe djalin e Enver Hoxhës me ne të persekutuarit. Mirë lekët e burgut që s’na i dhatë, mirë që s’na gjeni dot as varret e njerëzve tanë ku i kemi, por dhe Piramidën e Enverit do na mbroni?
– Po mos u nxeh o burrë se lojë është, më 8 maj e prishim pa gdhirë akoma. Mbarojnë votimet, kemi bërë gati makinat me militantë që do shëtisin, njëra prej makinave shkon i vë dinamitin Piramidës dhe e hedh në erë. Të nesërmen pastaj bëhet fakt i kryer.
– Ore ti djalë. Ne kemi vajtur në burg ballëhapur, nuk prishim Piramidën e Enverit vjedhurazi. Ne e kemi qejfin t’ia vëmë vetë dinamitin në sy të gjithë popullit. Ky Basha mendon se do marrë votat e komunistëve duke mbrojtur Piramidën. Një mut ka për të marrë. Do humbasë dhe tonat.
– Tani bëni ç’të doni, tha Flamuri. Unë kam udhëzim që tu them se është lojë. Kaq di unë dhe ai Burri. Po bëri gjë me kokë të vet Basha, le të bëjë.
Ikën të persekutuarit, vjen një kryetar grup-seksioni.
– Ça bohet kshtu mer Muli. Ça o ky kandidat mer jahu që s’na ka taku nji herë? Se ç’mban ca njerëz nga pas që s’i kena pa kurrë në PD.
– Mos u shqetëso Fadilo, mos u bë merak. Gjithçka është në rregull. Luli e ka fitoren në xhep. Mos u shqetësoni fare. As mos u mërzitni për fushatë se i kena marrë masat. Luli ka sjellë njerëzit e vet me vete dhe e kanë zyrën tek Torre Drin. Po bëjnë plane sekrete si t’ia vjedhin votat Ramës. Gjithçka e kanë llogaritur. Ne e kena pushim këtë fushatë. Se kena 20 vjet o Fadilo që bëjmë fushatë. Të bëjmë një herë pushim. Më 8 maj e kena të sigurt. E rregullon stafi i Lulit çdo punë.
– Ça thu ti mer jahu? Pse me ç’është ky staf që e rregulloka punën pa e njoftë ne? A jam unë akoma komisioner a jo?
– Jo, jo, asnjë s’do jetë nga ata të parët. Janë stafi i ri të gjithë këta të Lulit. E ka të sigurt Fadilo se i ka bërë llogaritë me kompjuter. Kena shtu 13 mijë vetë, kena heqë 7 mijë vetë nga militantët e tyre, bëjnë 20. Kena dhe ca plane të tjera. E kena të fitume me kompjuter këtë radhë.
– Ça thu ti me jahu. Qenkemi kot ne d.m.th në lagje, lëng me groshë, u zikam kot unë me Sulën me gjithë lagjen që na e shajnë këtë Lulin. Hajt mo po ik të kthej një gotë.
Pas Fadilit e priste një burrë i shëndoshë.
– Nga je ti, i tha Flamuri.
– Nga Saranda, i tha ai.
– Po ti çfarë do?
– Kam digju që nuk do prishet Piramida, tha. Unë jam mik i Fahriut, ai që po ndërton Piramidën për me e bë Teatër. Ne na ka ndodhë një defekt. Kur kemi tentuar të rregullojmë kolonat, na ka ndodhë një krisje dhe ajo mund të bjerë vetë. Mund të shembet. Ne folëm dhe me Jozin atëherë dhe ajo na dha fjalën që do ta shembim që të mos kuptohet. Si i bëhet tani se ky Luli ka thënë nuk do shembet.
– S’di ç’të them. Shiko, ke paguar ndonjë tek partia ti a jo?
– Vallahi pak tek partia, e shumë tek Fahria, i thonë nga anët tona. I kam lënë gjithë lekët duke paguar, se tek Piramida nuk bëmë gjë.
– Mirë, lër ndonjë gjë tani këtu në zyrë dhe ik se e rregulloj unë këtë. Dhe shiko, kë njeh nga PD-ja thuaju Luli e ka të sigurt, s’ka nevojë të punojmë. Se e ka të sigurt vërtet. Ka staf të ri dhe po i llogarisin me Facebook votat.
Comments are closed.
Sa per facebookun le t’i numeroje Luli sa te doje, ato vota me emer e mbiemer nuk te thone te verteten. Eshte njesoj si te shohesh furgonat e Kamzes qe vijne deri tek Zogu i Zi dhe jane te mbushur me flamujte e PD-se. Mund te jene rreth 50 makina qe vijne verdalle neper Tirane me simbolet e PD-se, por po te llogarisesh sa makina ka Tirana e kupton qe keto jane nje minorance per mos t’u marre parasysh. Eshte llogaritje e thjeshtuar, por kuptohet trendi se per ke do shkoje vota ne 8 Maj.
Njerezit me 2 pare mend qe punojne ne administraten e Saliut dhe perkrahin Ramen nuk i bejne Like/Pelqej Edi Rames sepse rrezikojne vendin e punes, madje une njoh socialiste me bindje te forta qe detyrohen t’i bejne like Lul-it, vetem e vetem se jane te monitoruar nga shefat apo kolege militante ne FB. Une jam nje nga ata qe nuk i kam dhene like Rames, vetem per te ruajtur rrethin tim familjar qe punojne ne administrate publike.
Ne te gjitha sondazhet online qe jane anonime, Lul-i me Ramen dalin minimalja 40% me 60 %.