Skandali i Komandantit të RENEA-s me zv/ministrin në detyrë Peka, e vuri në hall Flamurin. Kishte kaq ditë që Peka ia ngrinte nervat rregullisht. Në fillim për sherrin në Dajt, pastaj për sherrin në Kashar dhe të dielën për sherrin në Bathore. Sa herë që e merrte Pekën në telefon, ai transferohej tek një sekretare që thoshte: “Ju po lidheni me Ministrin e Brendshëm në detyrë. Ju lutem prisni pak …” dhe pastaj në sfond futej një këngë me motive patriotike të Hasit.
Flamuri u tërbua. Ideja që Peka kishte bërë gjithë këtë marifet që të mbahej mend si ministër e çmendi. Dhe të mendosh që Flamuri ka qenë kundër edhe që Peka të shkonte zëvendësministër.
Priti derisa mbaroi dhe refreni i këngës hasjane dhe pastaj u shfaq zëri i Pekës.
– Më falni, me kë flas, tha.
– Flamuri jam, tha me gjysëm tërsëllimë. Ç’ishte kjo që tha ky Prençi?
– Asgjë, tha Peka. S’merrem fare me atë plehrë. Fola me kryeministrin që të shtunën. Më tha blindoje mirë Bathoren dhe Kasharin me forca speciale që të mos dalin nga shtëpia këta socialistët. Delegova urdhrin dhe kaq.
– Shiko, ti nuk ke folur në telefon me atë Burrin. Mo të dëgjoj më të flasësh kështu…
– Me çfarë burri thua ti, i tha rëndë Peka. S’kam folë me ndonjë burrë unë, kam folë me kryeministrin Berisha.
– Ore, dëgjo çfarë të them unë, ia priste Flamuri. Atë Burrin mos guxo ta zësh në gojë, se nuk të flas dot as në telefon. S’ke folur me njeri dhe pikë.
– Ore ti, je bërë xheloz pse flet kryeministri Berisha me mua? Po ai mua më ka pasë këshilltar. Për çdo çështje të Sigurimit Kombëtar me mua lidhej. Unë e kam këshilluar atë që nga 2005 rregullisht për çdo punë që ka lidhje me Sigurinë Kombëtare…
– Ore, qenke debil ti, më dëgjon çfarë them a jo? Atë Burrin mos e zër në gojë, aq më keq në telefon.
– Të lutem shumë, mos më fol me këtë ton se nuk dua t’ia di fare kush je. Të ka hipë vetja në qejf, por ne në Has nuk të njohim për të parë. Të parë jemi vetë. Shko mburru aty tek goranët…
– Ore, se kush jam unë, ta tregoj unë ty, po atë Burrin të thashë mos ta zësh në gojë…!
– Po a më the çfarë ndodhi mo zotëri? Ja, kjo ndodhi. Më tha kryeministri të çoja policinë dhe unë përcolla urdhrin. Ti me cafrë mandati më flet?
– Po si mor të paska thënë kryeministri ty të çoje policinë? Po kryeministri më ka mua Dysh. Kur është nevoja të çohen policë, ai më thotë mua dhe unë vij atje dhe u them ju, por jo në telefon dhe as me shkresa. Ti na ke bërë gjëmën, ke mbushur gjithë dynjanë.
– Më vjen keq po nuk të njoh për shef, i tha Peka. Unë njoh vetëm kryeministrin. Atij vetëm i bindem. Ti po do të më tregosh që je Dyshi, më thuaj se çfarë duhet të bëj tani.
– Çfarë të bësh. Të bësh një komunikatë që Prençi është pjesë e shtabit të Partisë Socialiste dhe për këtë shkak duhet të shkarkohet se ka keqpërdorur policinë që duhet të jetë e paanshme.
– Po si ta bëj këtë mor Flamur? Ai ka qenë tre herë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
– Nuk ka qenë jo se unë ja kam shtu votat. I ka kot ato se as atje s’ka fitu. Po bëj si të them unë.
– Atëherë ti nuk qenke as Dyshi, as dhjeta, i tha Peka. Unë sa fola me kryeministrin Berisha dhe më tha bëji një kundër- padi dhe nesër shkarkoje dhe bëji kallëzim për korrupsion. Duket që nuk ke kontakt fare me kryeministrin. E kisha një parandjenjë se ai vetëm me mua komunikon për çështje të sigurisë kombëtare. Se dhe një herë tjetër që isha unë vëllain tim, foli ai me Metën për punën e kandidimit të Ramës pastaj ma tha mua, unë ja thashë kryeministrit, pastaj vëllai im dëgjoi kryeministrin, ja tha Bamirit, ai u çudit, pastaj vëllai im e pa që u çudit, ja tha Ramës, ai i çuditur shumë i tha s’paskeni punë tjetër ju, me mua merreni, pastaj ai ma tha mua, unë ja thashë kryeministrit, ai ja tha Metës, Meta ja tha vëllait tim dhe u bë lajm i madh që Rama do kandidojë se Bashës nuk i del njeri para veç tij. Dhe ashtu ndodhi. Kurse ti thoshe që s’do kandidojë se s’kishe informacion.
– Ore, unë të them na ke nxjerrë bojën, ti vazhdon më thua kush të tha e si i the. Mos e zë në gojë Berishën në telefon, mos thuaj nga këto që më the mua tani, dhe mos bëj që sot e tutje as një veprim pa u konsultuar me mua, tha Flamuri dhe i hipi makinës e mbërriti në zyrën e Pekës.
Sapo hyri brenda, Pekës i ra telefoni… pastaj filloi të transferohej, pastaj sekretarja që thoshte po lidheni me Ministrin e Brendshëm, pastaj një këngë e Dava Gjergji dhe … zëri i Berishës. Peka ju turr menjëherë telefonit dhe e hapi me nxitim. Flamuri nuk e duroi dot gjithë skenën dhe iku pa pritur të dëgjonte. Tek dera ktheu kokën pas të shikonte pse nuk po fliste Peka. Ishte në siklet i gjithi se e kishte shtrënguar aq fort butonin e hapjes sa e kish ngatërru me atë të fikjes dhe e kish fikur celularin.
– E shikon që s’je mësuar të flasësh me atë burrin, i tha Flamuri dhe iku.