Flamuri bën urgjent konkursin e noterëve me Nishanin

20 Prill 2011, 22:38Antena TEMA

?Dje në mbrëmje Flamuri e mori i pari lajmin. Nishani do kthehej sërish në Ministri të Brendshme. Ai Burri pati mirësinë dhe ia tha të parit Flamurit. Edhe pse i ra pak rëndë, Flamuri nuk e dha veten. E vetmja gjë për të cilën u sigurua, ishte nëse e dinte dikush tjetër a jo? Ai Burri e garantoi se e dinin vetëm ata të dy. Kaq mjaftonte. Mori në telefon Nishanin. Sa herë që e merr, ndjen siklet për shkak se ai mezi lëviz dhe i duhet ta ngrejë telefonin tek veshi i djathtë me dorën e majtë. Pas vonesës së zakonshme, telefoni u hap.

– Bujari ju dëgjon, tha zëri përtej telefonit.

Flamurin e kapi e qeshura me përshëndetjen e tij ushtarake, por e mbajti veten. E nisi me një ton të rënd dhe zyrtar.

– Si i ke pasë punët. Mirë…, dhe pa lënë të kthente përgjigje ja nisi. Fola me atë Burrin për punën e Ministrisë së Brendshme. Më tha që e kemi urgjente të vëmë dikë se kemi presione dhe nga Evropa. I dhashë emrin tënd. Më të sigurt se ty nuk kemi. E di që je dhe i sëmurë, por mos u bë merak se punët i bëj unë me atë Burrin. Dhe firmën bëje vulë dhe ma jep mua që të mos të të lodhet dora.

– Flamur, jo Flamur, të lutem. Shiko, ta sqaroj unë pse jo, por të lutem mos e bëni këtë…

– Pse mo burrë, çfarë ke? Kur të bëmë më 2007-ën, mbete duke na uruar.

– Flamur, të lutem jo, të lutem, ashtu e kam një punë urgjente, s’dua talë në mes.

– Çfarë thu mo burrë, çfarë pune ke ti, punën tënde e kam me bërë unë dhe ai Burri kur të ketë kohë?

– Jo, jo, kam një punë këtu në Ministri ku jam. Kam vënë këta të shpisë që merren me këtë punë, dhe më duhet ta mbaroj se thuajse janë duke e mbaruar. Se këta të shtëpisë më ndihmojnë për punën.

– S’ka problem. Këtu të ndihmoj unë me atë Burrin. Po ma thuaj punën?

– Eja se s’ta them dot në telefon, i tha.

Pas gjysëm ore Flamuri ishte në shtëpi të tij.

– Si e ke hallin, i tha.

– Është ky konkursi për noterë, tha. Duhet të bëja konkurs. Në fakt konkurs do bëjmë, por duhej bërë lajmërim. Në fakt lajmërimin e bëmë, e nxorëm në faqe të internetit, pastaj faqja u prish se nuk punoi. Por rëndësi ka të bëhet të nesër herët.

– Po a janë njoftuar njerëzit, tha Flamuri.

– Kemi bërë një listë që do shpallen fitues dhe i kemi njoftuar të gjithë të vijnë të bëjnë dhe konkurs, i tha.

– Si keni bërë listë pa mua, tha Flamuri i nxehur.

– E kam bërë me këta të shtëpisë, këta njohin plot njerëz i tha Nishani, besoj e kanë bërë cilësore.

– Si orë këta të shtëpisë? Po ne çfarë jemi, huj gardhi jemi këtu?

– Nuk e di Flamur, tha Nishani. Dhe Aldoja me ata të shtëpisë e ka pasë bërë. Bile atë e ka pas ndihmu vjehrra, se dhe ajo njihte shumë  që donin të bëheshin noterë. Dhe unë mendova të mos e prish këtë traditë. Ju e dini. Po keni ndonjë njeri, e fusim dhe e njoftojmë. Mjafton ta bëjmë nesër. Se po ika unë, mbetet pa u bërë.

– Jo mo, nuk mbetet pa u bërë se nuk jam kot unë dhe ai Burri këtu. Po s’e bëre ti, e bëjmë ne.

– Jo Flamur se këta që kam futur në listë, i kam bërë dhe për arsye politike. Janë votues të Ramës, por unë u kam premtu që do t’i bëj noterë dhe ata nuk do votojnë për Ramën. Janë gati të dorëzojnë kartën e identitetit.

– Ore, qenke koqe ti, i tha Flamuri. Këtë punë Ilir Meta e bën për 100 euro, ti e bëke për 30 mijë euro.

– Jo Flamur, nuk është 30 mijë, por 50 mijë, i tha Bujari, por unë të betohem që s’marr lek, merren këta të shtëpisë me këtë punë.

– Ou, ia paska kalu dhe Cacit ti se ajo nga 30 u merrte para katër vjetësh, tha Flamuri.

– Nuk e di, se unë nuk merrem vetë. Ti e di që jam sëmurë. E rëndësishme është të bëhet nesër pa ikur unë se më fut në sherr me këta të shtëpisë të lutem.

– Mirë, dakord i tha Flamuri. M’i hiq nja dhjetë copë se më duhen mua. Të tjerat leri ata që janë.

– Po jo kaq shumë, i tha Nishani, se më na ngelen pak dhe mërziten këta të shtëpisë. Mirë, si të duash, por kam frikë se do më hapësh telashe. Se ti e  di unë jam dhe i sëmurë, kam halle, kam nevojë për këta… mos ma bë këtë.

– Mirë, 5, i tha Flamuri.

– Dakord, u bë, tha Nishani.

– Si thua për nga një 50- tshe, i tha Flamuri.

– Çmim i mirë është shef.

– Dakord, tani kujdes tek Ministria e Brendshme. S’ke nevojë t’i bësh punët me këta të shtëpisë. I bëj vetë me atë Burrin atje.

 

Lini një Përgjigje