Flamuri lexon historitë e kazinos së Zhejit

22 Prill 2011, 19:36Antena TEMA

Flamuri ka marrë përsipër që t’i shkojë deri ne fund biografisë së njërit prej kontributorëve më të mëdhenj në këtë fushatë elektorale, Artur Zhejit. I ka ngelur në mendje ankesa publike e Zhejit që po rropatet nga një televizion në tjetrin dhe nuk i del koha as të hajë, por mbi të gjitha i bëri sidomos përshtypje ankesa e tij pse e kishin hequr nga drejtor TVSH-je. Thirri Becin dhe i kërkoi gjithë dokumentacionin e kohës së Zhejit në RTVSH.

– Po ç’e do mo burrë, atë do bëni prapë drejtor, i tha Beci i trembur. Po ça keni me mua mer vëlla, po punoj 24 orë këtu në këmbë, ja, dje gjithë ditën u mora me një gjenerator se s’punonte, pastaj e pamë që s’kishte naftë, sot kam gjithë ditën që merrem me parkun e makinave, se na i kanë marrë këta të PD në fushatë, pastaj do shkoj të merrem me antenat se një prej antenave tona duhet fikë se i bën zhurmë Klanit… ça keni me mua mo burrë?

– S’kemi gjë me ty Bec, po shiko pak nga ato letrat që ke gjetë atje për Zhejin, se mos ka ndonjë pozitive se duhet t’i shprehim një farë mirënjohje.

Beci kërkoi nëpër sirtarët ku kish futur letrat e gjetura nga Zheji dhe gjeti më në fund një letër anglisht.

– Kjo do jetë pozitive, tha, dhe ja nisi Flamurit. Letrën e kishte shkruar një farë Lazlo, përfaqësuesi i Paktit të Stabilitetit, në një projekt në RTVSH kohën kur Zheji ishte drejtor konsensual i RTSH-së.

– Ç’është ky Lazlo, tha Flamuri me vete. I hodhi një sy letrës anglisht, nuk kuptonte gjë. I bënte përshtypje vetëm shifra 5 mijë euro. Epo do ketë fituar ndonjë çmim Zheji si i talentuar, tha me vete. Thirri një vajzë që punon në PD për t’ia lexuar. Vajza e lexoi dhe i bëri një përmbledhje. Me pak fjalë ky Lazlo ankohej pranë Këshillit të RTVSH për Zhejin. Ja si e përshkruante ai.

“Nuk kishin kaluar as dy javë nga ardhja në RTSH e Artur Zhejit si Drejtor i RTSH-së dhe unë mora një takim me të. I thashë se në kuadër të Paktit të Stabilitetit, janë në dispozicion projekte e fonde për RTSH-ne. Atij i ndritën sytë dhe filloi të rrotullojë qafën e të nxirrte shtëllunga tymi, se duhanin e pinte fort. Na porosit nja dy zupa, i tha sekretares, se edhe zupat i hante fort. Hë, më tha, vazhdo. Tani si fillim, i thashë, janë nja 20 mijë euro. Sa, më tha. 20 mijë, i thashë. Me këto unë kruaj dhëmbët, më tha. Unë s’e kuptoja mirë se flisnim anglisht. Mirë, më tha, ik tani dhe me sill nja 5000 euro e të nisim nga puna. Si t’i sjell, i thashë. Merri dhe silli këtu. U ngrita, vajta në bankë, i tërhoqa dhe u ktheva në zyrë. I nxora nga portofoli dhe ia dhashë. Ai i mori, i pa me mospërfillje, u ngrit në këmbë e më tha: Me kaq pare unë as në një dorë ruletë nuk futem. Po ti nejse, ik tani dhe me hodhi dorën në qafë, kokën e rrotullonte si i sëmurë me tik nervor, dhe me cigare në gojë me shoqëroi deri te dera. Hajt se flasim, më tha. U largova i çuditur pasi nuk mora vesh asgjë përse ja dhashë 5 mijë euro dhe çfarë do bënte me to. I dëshpëruar dola në rrugë vetëm dhe shkova të pija një gotë birrë tek një pub i quajtur Luca. Pasi ndenja nja dy orë aty, dola dhe në korridor pashë Zhejin, i cili po lozte tek makinat, i kishte thyer 5 mijë eurot dhe i kishte shpenzuar. Më pa me sy të ënjtur dhe mospërfillje. Po të m’i kishe dhënë të 20-ta, sot do kisha kapë një dorë, më tha. U trondita shumë dhe jam shumë i shqetësuar për fatin e 5 mijë eurove pasi unë mbaj përgjegjësi ligjore për to. Me respekt, Lazlo…”.

Flamuri e lexoi me një frymë.

-Punë dreqi, tha. Paska pasë huq të keq. Çudi e madhe, tha. Kështu duket njeri normal. Këtë shqetësim për të ngrënë e paska pasë dhe atëherë, tha me vete.

Pastaj Flamuri hapi letrën e dytë. Procesverbali i mbledhjes së Këshillit pasi është lexuar letra e Lazlos. Fillojnë diskutimet. I pari e merr fjalën Kiço Blushi, i cili lexon letrën dhe ngre shqetësime për situatën.

E ndërpret Mark Marku.

-Ç’keni me Zhejin, ç’janë këto rregulla komuniste që doni të arkëtohen lekët. Po qe se nuk kemi besim tek Drejtori, më mirë ta heqim.

Zheji miraton me kokë. Blushi tërbohet.

-Po mirë, e heqim, tha, se unë nuk di ndonjë ligj që i lejohet drejtorit të marrë lekët në xhep e të ikë në kazino.

Ndërhyn Abaz…

-Unë mendoj se nuk ja vlen të diskretitojmë shokun tonë për 5000 euro, ndërkohë që ka perspektivë reale që të vijnë pare të tjera. Unë mendoj të dëgjojmë dhe mendimin e drejtorit.

Flet Zheji.

-Dakord, e pranoj atë që thotë letra që kam marrë 5 mijë eurot, e pranoj dhe që kam luajtë në kazino atë natë, por ai mbetet një mashtrues. Nuk është e vërtetë që unë kam humbë atë natë, përkundrazi kam fitu 9 mijë euro dhe nuk e kam problem fare, i kthej prapë ato 5 mijë euro.

Ndërhyn Blushi.

-Mirë, dorëzo paret dhe bëj një deklaratë me shkrim që i ke marrë për kazino se ta tregoj unë.

-E ç’do bësh ti, do bësh qametin, ndërhyn Mark Marku.

-Do ta denoncoj te kryeministri, tha Blushi.

-Mos ma bë këtë, ndërhyn Zheji, se ai mërzitet kur dëgjon që luaj me 5 mijë euro dora. Ai e ka 100 mijë euro dora.

Plas e qeshura. Mbledhja mbyllet.”

Flamuri po e lexonte dhe këtë me një frymë.

“Paska bërë pallë si drejtor, tha me vete. Sa largpamës ka qenë ky Marku, që atëherë është bërë me Zhejin, tha, dhe tani janë të dy me ne. I mblodhi letrat pirg dhe i shtyu tutje. S’po gjente ndonjë gjë të hajrit që t’i jepte mundësinë ta lavdëronte këtë Zhejin.

2 komente në “Flamuri lexon historitë e kazinos së Zhejit”

  1. artemis7 says:

    hahahaha cja bete mir kti legenit-para nja 4 vitesh me thote nje shok,qe skish fare haber nga politika c’do ky bixhozciu ne tv,u cudita ska mundsi i thoja se dukej serioz(athere),ky eshte i tmerrshem betohej shoku im qe kish kalur mbremjet shpesh me zhejin ne ruleta,hahahahahahaha sa e madhe,cja bete mir qe ja nxorret ohh,se besoja kurr qe do arrinte ne kete pozicion qe eshte sot,e pabesueshme, si cirrej ne 2009 Sali Ik.

  2. Nabukodonosor says:

    Zheji eshte kokrra e legenit.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje