Federata e Futbollit, me fytyrën e mafias

25 Prill 2011, 22:59Sport TEMA

Lajmet që vijnë nga Laçi janë të frikshme për integritetin e futbollit shqiptar. Nuk po degjeneron vetëm politika, por dhe shpirti i pastër i tifozëve, skuadrave dhe presidentëve. Kjo katrahurë që po ndodh në këtë sezon kampionati 2010-2011 nuk ka ndodhur kurrë më parë, edhe kur skuadrat i drejtonin presidentë me precedentë të shumtë penalë. Këtë herë mafiozët janë njerëzit me kollare të federatës, që urdhërojnë skuadrat që dhe të gjakosura të luajnë ndeshjet dhe ta konsiderojnë gjakun në fytyrë si një “ketchap” domateje.

Një turp i vërtetë, por dhe një fytyrë hije e mafias që tashmë ka nxjerrë kokën dhe vepron hapur. Po vret të vetmen shpresë të shqiptarëve, që është topi i rrumbullakët. Ajo që më shqetëson më tepër është arsyeja përse presidenti i FSHF-së, Armand Duka nuk e shfaq fytyrën e tij të vërtetë në kamerat televizive dhe të prononcohet për kthimin e futbollit shqiptar në një arenë lufte. Kjo kuptohet nga të gjithë. Sepse ky president futbolli nuk mund të lejojë që kampionati i këtij sezoni të fitohet nga një skuadër që lufton pastër dhe ndershëm, por nga skuadra që ka në ortakëri me një tjetër biznesmen. Si mundet ky president federate të mos japë përgjigje publike miliona shqiptarëve e të flasë rreth biznesit të përbashkët me presidentin e klubit “Skëndërbeu”. A nuk ka konflikte interesi këtu? Përse nuk heton prokuroria kampionatin shqiptar dhe vetë zotin Duka. Përse kryeministri shqiptar mbajti këtë president futbolli pasi e sulmoi për vite me radhë? Apo i shkoi për shtat qëllimeve të tij politike. Por më fatale se kurrë, ashtu siç shkruante një koleg i njohur në median e tij, mbetet fakti se mediat e shumta nuk merren më me skandalet.

Kjo sepse janë të blera politikisht dhe financiarisht. I tillë është dhe sporti, e tillë dhe media sportive. Që nga paketat sportive, tek gazetat dhe televizionet. Nga pas tyre qëndrojnë klanet mafioze të FSHF-së, që për herë të parë po fusin duart hapur në futboll dhe po e ndyjnë atë dhe për të një qindtën herë thurin pazaret. Sigurisht aq kërkoi zoti Duka, votat pas kandidimit për të disatën herë dhe të mbretëronte i qetë.

I rikthehem turpësisë që ndodhi në Laç. Tashmë lojtarët janë kthyer në armiq dhe po kështu tifozët. Të gjithë e dinë se ç’po ndodh në futbollin shqiptar dhe asnjë nuk e denoncon, asnjë nuk shprehet. As emisionet që gjoja hiqen prestigjioze dhe ndikojnë në drejtësi, të tilla si “procesi sportiv” apo “Skaner”. Kjo sepse në fund të muajit duan të marrin rrogat për familjet e tyre, për fëmijët, sepse ndryshe mbeten në mes të rrugës. Por ky është një turp që ka përfshirë federatën si fajtorja kryesore dhe ka ardhur koha që shoqëria shqiptare të reagojë. Të reagojë drejtësia dhe shteti, sepse futbolli po na kthehet në një vatër krimi, në një çerdhe të mafias që pastron para dhe cakton ndere. Uroj të mos jetë e vërtetë ajo që përfaqësuesi i caktuar nga federata në Laç, të ketë urdhëruar përfaqësuesit e ekipit të Vlorës, që edhe pse me portierin në spital e në rrezik jete, të kërkonin luajtjen e një ndeshjeje të vërtetë dhe jo
për publik.

Bëni kujdes zyrtar të kollarisur të federatës, se prej një viti luani me sedrën e tifozëve të të gjithë vendit. Në vend të Flamurtarit mund të ishte një nga 11 ekipet e tjera dhe përgjegjësia këtu i bie edhe presidentëve të shumtë të kusarëve që nuk mendojnë si për veten e tyre. Dhe të mendosh se këta
zyrtarë federate janë të përfshirë të gjithë në zullume korrupsioni të mëparshme duke blerë e shitur ndeshje, lojtarë dhe përfituar nga udhëtimet milionere në turne sportivë, duke jetuar mbi gjakun e djersën e sportistëve. Vini dorën e pastër sot mbi futbollin, sa nesër të mos jetë më vonë.

“AMA-News”

Lini një Përgjigje