Në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë, domethënë në Muzeun e historisë së shqiptarëve, pjesëtarë të të cilit jetojnë jo vetëm në Shqipërinë shtetërore, por edhe në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, në Itali, në Greqi, në Turqi, në një varg vendesh evropiane, në SHBA, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re e në vende të tjera, gjendet PAVIJONI I GJENOCIDIT. Sado nuk e dija saktë se cilën ditë, cilën javë, cilin muaj dhe cilin vit është hapur, këto ditë mësova se është hapur në vitin 1996, kur kryeministri i sotëm i Shqipërisë ishte ende kryetar i Shqipërisë.
Në kohën kur flitej për nxjerrjen e ligjit për gjenocidin komunist në Shqipëri dhe për krijimin e, nuk më kujtohet tani, Institutit, Muzeut a PAVIJONIT TË GJENOCIDIT, në një artikull për një çështje tjetër kisha shkruar disa fjalë edhe për këtë “gjenocid”. Meqenëse ligji për gjenocidin nuk u nxor dhe nuk u nxor sepse, siç u pa shpejt, propozuesit e tij, gjenocidit ia caktonin kuptimin siç donin vetë e jo siç ia ka caktuar OKB-ja, kurse nisma për krijimin e Institutit, Muzeut a Pavijonit të gjenocidit u sendërtua me krijimin e PAVIJONIT TË GJENOCIDIT, unë e harrova gati plotësisht çështjen e “gjenocidit”, që shqiptarët paskan bërë ndaj vetvetes në kohën e komunizmit, dhe vazhdova të merrem me çështje të tjera politike në Shqipëri, me dhunën shtetërore serbe në Kosovë dhe me politikën paqësore, në të vërtetë nënshtruese të disa partive tona, në krye me LDK-në, ndaj asaj dhune.
Tani, rreth pesëmbëdhjetë vjet më vonë, diku në pjesën e tretë të shkurtit të këtij viti, institucioni në të cilin ruhen dëshmitë e “gjenocidit” që paskan bërë shqiptarët ndaj vetvetes, papritmas më del parasysh: në një emision, në njërin prej televizioneve të Tiranës, për Muzeun Historik Kombëtar, shoh se si mbi një derë ishte shkruar me shkronja posaçërisht të dukshme: PAVIJONI I GJENOCIDIT .
E pyes veten: a po shoh mirë? A po shoh mirë apo më bëjnë sytë?
I heq syzet, i fshij kujdesshëm, i vë prapë dhe ngrejë kokën e shikoj prapë televizionin: shoh prapë çka kisha parë pak më parë: PAVIJONI I GJENOCIDIT. Kamera televizive është përqendruar pikërisht në të: në PAVIJONIN E GJENOCIDIT. Dhe, dëgjoj: do të jetë gati, në katin e tretë të Muzeut Historik Kombëtar, deri nga fundi i prillit, kur fillon sezoni turistik; dhe do të jetë gati në atë kohë me qëllim që të plotësojë, që të kënaqë interesimet e turistëve për gjenocidin komunist!
Nuk mund ta di a ka edhe tani gjë dhe në qoftë se ka – çka ka para se të hapet solemnisht, në atë pavijon. E di, ndërkaq, se krijimi i këtij pavijoni, që quhet PAVIJONI I GJENOCIDIT, më parë sesa gjykimit të shëndoshë e larghedhës i detyrohet gjykimit të errësuar, dritëshkurtër politizues. Dhe, e di se krijimi i këtij pavijoni në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë e ballafaqon mendjen, ndërgjegjen dhe etikën kombëtare shqiptare me një sërë pyetjesh, të cilat pashmangshëm kërkojnë përgjigje, natyrisht në qoftë se duam të mendojmë drejt, objektivisht, për përmbajtjen, për domethënien dhe për ndikimin e tij, në njërën anë, në marrëdhëniet brendashqiptare e, në anën tjetër, në mendimet e të tjerëve për ne.
Ja disa prej këtyre pyetjeve.
1. A është shkruar në histori për ndonjë popull, i cili mund të ketë bërë gjenocid ndaj vetvetes?
Deri sot nuk kam lexuar të ketë ndonjë popull të tillë, i cili ka bërë gjenocid ndaj vetvetes. Është shkruar kur e kur në shtypin botëror për gjenocidin e kmerëve të kuq ndaj kmerëve në Kamboxhia gjatë viteve 1975-1979, por në Kamboxhia, në Pnom Pen a në ndonjë qytet tjetër të këtij shteti, nuk e di se është ngritur institut, muze a pavijon në kuadrin e ndonjë instituti a muzeu, për gjenocidin e kmerëve ndaj vetvetes.
Në Rusi, pas rënies së diktaturës komuniste, është shkruar shumë, shumë për terrorin stalinist, për internimet masive të rusëve e pjesëtarëve të kombësive të tjera të Bashkimit Sovjetik në Siberi, për likuidime masive, sidomos për likuidime të shumë intelektualëve, midis të cilëve edhe të shumë shkrimtarëve, shkencëtarëve dhe oficerëve të lartë, por rusët nuk kanë themeluar as farë instituti, as farë muzeu, as farë pavijoni në kuadrin e farë institucioni a muzeu për gjenocidin e rusëve ndaj vetvetes.
Në Çeki, më shumë se në disa vende të tjera ish komuniste, është shkruar për dhunën komuniste, sidomos për dhunën e tmerrshme pas përpjekjeve të dështuara për reforma në vitin 1968, por çekët nuk pranojnë se kanë bërë gjenocid ndaj vetvetes, prandaj kanë themeluar jo institut, jo muze, jo pavijon të gjenocidit në kuadër të tyre, por një muze që e kanë quajtur Muzeu i dhunës komuniste.
Për dhunën në kohën e komunizmit është shkruar shumë në Hungari, në Poloni, në Rumani, por as në Hungari, as në Poloni, as në Rumani nuk është themeluar farë instituti, muzeu a pavijoni në kuadrin e tyre për gjenocidin e hungarezëve, polakëve a rumunëve ndaj vetvetes.
Në histori dihet për popuj që kanë jetuar gjatë, që kanë pasur një qytetërim sado kudo të zhvilluar, por dikur janë zhdukur. Një popull i tillë, i njohur, që kishte një qytetërim pak a shumë të zhvilluar, që kishte shtet një kohë, janë edhe hazarët. Janë zhdukur vonë, diku rreth shekullit XI, dhe janë zhdukur jo pse kanë bërë gjenocid ndaj vetvetes, por pse janë tretur, janë përngjashmuar me popujt e tjerë fqinjë.
Përpos se nuk di për popull që është zhdukur sepse ka bërë gjenocid ndaj vetvetes, historia nuk di as për popull që mund të ketë bërë ndonjëherë farë gjenocidi ndaj vetvetes, ndërsa vazhdon të jetojë sot.
Në qoftë se u besojmë historive të popujve të tjerë, të zhdukur a të gjallë, del, kështu, se shqiptarët janë i vetmi popull në planetin e Tokës, të cilët paskan bërë gjenocid ndaj vetvetes! Shteti i sotëm shqiptar synon që ky pohim tragjik me “të dhëna” të shqiptohet në PAVIJONIN E GJENOCIDIT në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë!
2. A mund të thuhet se në Shqipërinë komuniste kishte program politik dhe shtetëror për zhdukjen e pjesëtarëve të ndonjë bashkësie racore, të ndonjë shtrese shoqërore, të ndonjë bashkësie etnike, të ndonjë bashkësie fetare apo të pjesëtarëve të ndonjë përkatësie tjetër?
Jo. Program i tillë nuk është zbuluar deri sot sepse një program i tillë nuk ekzistonte – kurrë në Shqipërinë komuniste a jokomuniste.
3. A mund të thuhet e të faktohet se dhuna shtetërore në Shqipërinë komuniste ka sjellë gjenocid ndaj shqiptarëve, ndaj ndonjë bashkësie tjetër racore, ndaj ndonjë bashkësie tjetër etnike, ndaj ndonjë bashkësie fetare, ndaj pjesëtarëve të ndonjë shtrese shoqërore a të ndonjë përkatësie tjetër?
Jo. Kurrë. Në Shqipërinë komuniste ushtrohej dhunë ndaj vetjeve të ndryshme, të cilët më pak a më shumë shkelnin ligjet shtetërore, mohonin ideologjinë, politikën a rendin në fuqi, por dhunë masive për dëbim a zhdukje ndaj çfarëdo bashkësie a grupi etnik, racor, fetar, klasor e të tjera nuk kishte. Në kohën e komunizmit kufijtë e Shqipërisë shtetërore ruheshin jashtëzakonshëm, ku e ku edhe me tela të elektrifikuar, sa prej armikut të jashtëm aq për të penguar largimet vetjake a grupore të qytetarëve të Shqipërisë në vende të tjera, që mund të ndikonin në dobësimin demografik të vendit. Hajde, ta krahasojmë sjelljen e këtillë të regjimit komunist, i cili bën çmos që t’i mbajë nënshtetasit në vendin e vet, duke u dhënë punë po thuaj të gjithëve, me sjelljen e regjimit të sotëm, i cili bën çmos që sa më shumë shqiptarë të shpërngulen në botë, qoftë për t’u krijuar ashtu hapësirë punësimi anëtarëve të partive në pushtet, qoftë për të marrë sa më shumë dërgesa financiare prej atyre të shpërngulurve në botë!
Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, si edhe në vendet tjera komuniste, si edhe në një varg vendesh të demokracisë tradicionale, joliberale, shteti shqiptar shumë më tepër kujdesej për të drejtat dhe interesat e shoqërisë si tërësi, për zhvillimin e përgjithshëm të saj, për arsimin, për kulturën, për shëndetësinë, për emancipimin e saj, e shumë më pak për të drejtat njerëzore e interesat e vetjeve të veçanta. Në të vërtetë, në emrin e interesave të shoqërisë si tërësi, cenoheshin, shpesh, pa arsye shumë të qëndrueshme të drejtat e interesat vetjake. Por, e gjithë kjo as nuk mund të ishte politikë, as nuk mund të ishte ideologji, as nuk mund të ishte praktikë e gjenocidit, siç do të donin të bindnin opinionin shqiptar projektuesi, organizuesit dhe merenduesit e PAVIJONIT TË GJENOCIDIT. E gjithë kjo tregon qartë, ndërkaq, se projektuesi, organizuesit dhe merenduesit e PAVIJONIT TË GJENOCIDIT ose nuk dinë se çka do të thotë nocioni gjenocid, ose e shtrembërojnë, e keqpërdorin, e falsifikojnë çdo kuptim shkencor të tij. E nocioni gjenocid, si thuhet, shkurt, në numrin më të madh të fjalorëve të sociologjisë, të politikologjisë a të filozofisë është: “çdo veprimtari për zhdukje ose shfarosje të paramenduar dhe sistematike të krejt një kombi, grupi etnik, racor ose kulturor”.
Ta supozosh një veprimtari të tillë, që sjell gjenocid, në cilëndo periudhë të shtetit shqiptar, Shqipërisë, prandaj edhe në periudhën e komunizmit, është një çmenduri kundërkombëtare.
4.Sa mund të jetë numri i shqiptarëve të përndjekur e të zhdukur në kohën e komunizmit në Shqipëri?
Sa më ka rënë të lexoj, të dhëna të sakta për numrin e shqiptarëve të përndjekur dhe të likuiduar në kohën e komunizmit në Shqipëri ende nuk janë dhënë. Shifrat e botuara në gazeta, në revista, në libra të veçantë deri tani, si e thonë edhe autorët e atyre shifrave, më së shpeshti janë të përafërta, domethënë të hamendësuara. Po të krahasojmë numrin e shqiptarëve të përndjekur dhe të likuiduar në Jugosllavinë komuniste, e cila në Perëndim quhej diktaturë e mëndafshtë, në qoftë se këtë krahasim e bëjmë, natyrisht, duke pasur parasysh numrin e banorëve të njërit vend – të Shqipërisë dhe numrin e banorëve të vendit tjetër – të Jugosllavisë, do të shohim se dhuna në Jugosllavi, sidomos, në njëzet vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ishte shumë më e përshtrirë dhe më e madhe se në Shqipërinë shtetërore. Pas rënies së komunizmit janë botuar të dhëna që dëshmojnë se vetëm në kampet e përqendrimit, siç ishte kampi në ishullin famëkeq Goli Otok, ku çoheshin kundërshtarët politikë, që e kundërshtonin prishjen e marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik pas Rezolutës së Informbyrosë më 1948 me të cilën dënohej Jugosllavia, u janë nënshtruar trajtave më të paimagjinueshme të dhunës disa qindra mija komunistë e jokomunistë, të cilët adhuronin Rusinë a Stalinin, kurse janë likuiduar disa dhjetëra mijë.
Më tej, me të dhëna arkivore është dëshmuar se në vitin e parë pas çlirimit prej pushtimit gjerman vetëm në Beograd janë pushkatuar rreth njëqind mijë veta të konsideruar armiq ideologjikë dhe politikë, pjesëtarë të formacionit luftarak çetnik të Drazha Mihailloviqit, armiq të revolucionit, kundërshtarë të kolektivizimit, bashkëpunëtorë të pushtuesit, argëtues të pushtuesve. E të tjerë. Midis të pushkatuarve kishte edhe: studiues të njohur shkencorë, shkrimtarë të njohur, piktorë të njohur, skulptorë, aktorë, këngëtarë. Shkruhet se ndër të pushkatuarit ishte edhe aktorja më e lavdishme e teatrit serb, e akuzuar se kishte argëtuar gjermanët me artin e saj teatror.
Aspak më e mëshirshme dhe aspak më e rrudhur nuk ishte dhuna as ndaj kundërshtarëve ideologjikë e politikë, sidomos, ndaj pjesëtarëve dhe ithtarëve të regjimit kuisling të ustashëve në Kroaci.
Me gjithë këtë dhunë shumë të përshtrirë e të shumëmënyrshme në Jugosllavinë komuniste, as serbët, as kroatët, as sllovenët, as malazeztë, as boshnjakët, as maqedonasit, nuk flasin dhe nuk shkruajnë se në kohën e komunizmit është bërë gjenocid ndaj tyre. Si të flasin e të shkruajnë? Të gjithë, natyrisht, cilët më shumë e cilët më pak, ishin në pushtet, prandaj vetëdija politike, vetëdija historike, dinjiteti kombëtar nuk i lejon të thonë se, ja, paskan bërë gjenocid ndaj vetvetes.
Menjëherë pas çlirimit të Francës prej pushtimit gjerman, në Francë janë bërë shumë pushkatime: janë pushkatuar, thuhet dhe shkruhet, shumë francezë që kanë marrë pjesë në administratën e regjimit kolaboracionist të Petenit, janë pushkatuar shumë bashkëpunëtorë të tjerë të pushtuesve, janë pushkatuar shumë pronarë të hoteleve, të restoranteve, të kafeneve, që u kanë shërbyer gjermanëve, janë pushkatuar shumë artistë dhe joartistë – zbavitës të gjermanëve.
Numri më i madh i të pushkatuarve ishte në Paris. Një ditë, shpejt pas fillimit të pushkatimeve, njëri prej bashkëpunëtorëve të tij do t’ia tregojë Sharl De Golit numrin e të dënuarve me vdekje. I befasuar, De Goli do t’i thotë: ndalojeni dënimin me vdekje se kështu do ta dënojmë me vdekje gjithë Parisin!
Askush, asnjë kundërshtar a armik i Lëvizjes Franceze të Rezistencës dhe i Sharl De Golit nuk ka thënë dhe nuk ka shkruar ndonjëherë se në Francë është bërë gjenocid.
Francezët e mençur nuk thonë dhe nuk shkruajnë – kurrë dhe kurrkund, as se francezët kanë bërë gjenocid ndaj vetvetes në kohën e Revolucionit të vitit 1789 kur gijotina me vite ka punuar çdo ditë. Me të, me gijotinën, do të priten kokat e mija e mija francezëve, madje edhe të disa krijuesve e filozofëve mendjendritur që nuk i harron historia.
Francezët e mençur nuk thonë dhe nuk shkruajnë se francezët kanë bërë gjenocid ndaj vetvetes as gjatë tiranisë pesëmbëdhjetëvjeçare të Napoleon Bonapartit, megjithëse luftërat e tij e kishin lënë Francën pa rini mashkullore, e cila dhunshëm mobilizohej në Armatën e tij, duke e përgjysmuar numrin e përgjithshëm të popullsisë franceze.
Për gjenocid të bërë ndaj vetvetes, ndërkaq, nuk flasin dhe nuk shkruajnë as gjermanët: as gjermanët e Lindjes, as gjermanët e Perëndimit .
Pasojat e politikës naziste të Adolf Hitlerit, që do të shkaktojë Luftën e Dytë Botërore, do të jenë tragjike jo vetëm për numrin më të madh të shteteve të Evropës, por edhe për vetë Gjermaninë. Në vitin e fundit të luftës, Adolf Hitleri me bashkëpunëtorët e tij do ta vazhdojë luftën duke mobilizuar edhe të rinjtë e moshës jomadhore, madje edhe katërmbëdhjetëvjeçarët. Fundin e Luftës së Dytë Botërore, Gjermania do ta presë me numër tmerrshëm të zvogëluar të meshkujve. Politikanët dhe intelektualët e sotëm gjermanë thonë dhe shkruajnë se Gjermaninë e pasluftës e kanë ndërtuar gratë gjermane – se meshkuj gati se s’kishte! Por as politikanët, as intelektualët gjermanë nuk thonë e nuk shkruajnë se në shtetin gjerman prej vitit 1933, kur Hitleri do të vijë në pushtet, e deri në vitin 1945, kur Hitleri do të bëjë vetëvrasje, gjermanët na paskan bërë gjenocid ndaj vetvetes. Jo. Nazistët kanë bërë gjenocid ndaj hebrenjve, por jo ndaj gjermanëve.
Megjithëse komunizmi në Republikën e ashtuquajtur Demokratike Gjermane ishte jashtëzakonisht i egër, shumë më i egër se në disa vende të tjera komuniste, politikanët dhe historianët gjermanë, që kishin jetuar atje, sot flasin e shkruajnë për përndjekjet dhe për dhunën e jashtëzakonshme, por jo për farë gjenocidi që mund të kenë bërë gjermanët lindorë ndaj vetvetes.
E dimë, ndoshta të gjithë, se në Mesjetën e vonshme, ishte një organizim me shtrirje në disa vende të Evropës, që quhej Inkuizicion e që – si thonë studiuesit e tij – ushtronte dhunë të paramenduar e sistematike ndaj të ashtuquajturve heretikë, që në gjuhën e sotme do të quheshin disidentë fetarë, ndaj grave të trajtuara shtriga dhe ndaj rrënjësve të kolonive. Viktima të Inkuizicionit do të jenë: në Evropë – mbi një milion gra dhe disa qindra mijëra meshkuj, ndër të cilët edhe shkencëtarë e krijues të tjerë të lavdishëm dhe në kolonitë – miliona pjesëtarë të rrënjësve! Por, as anglezët e mençur, as francezët e mençur, as spanjollët, italianët e holandezët e mençur nuk thonë e nuk e shkruajnë se organizatat e inkuizicionit kanë bërë gjenocid jo vetëm ndaj popujve të vet, por as ndaj rrënjësve të kolonive.
Të vazhdojmë më tej dhe të pranojmë për një çast se ja, Partia e Punës e Shqipërisë, e kjo domethënë se shqiptarët, paskan bërë gjenocid ndaj vetvetes, ta pranojmë, pra, për një çast këtë marrëzi e të shohim se ku na çon ky pohim dhe me çfarë obligimesh politike, shoqërore dhe morale ngarkohen ata që e pranojnë e, sidomos, ata që e kanë trilluar.
5. Në qoftë se në Shqipërinë shtetërore, në kohën e komunizmit, na qenka bërë gjenocid ndaj popullit shqiptar, pashmangshëm do të shtrohet edhe kjo pyetje: a mund të quhet i liruar prej çdo faji, çdo përgjegjësie politike e morale për sendërtimin e gjenocidit në kohën e komunizmit edhe ideologu politik dhe ndërtuesi shtetëror i PAVIJONIT Të GJENOCIDIT, kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha? A mund të quhet i liruar prej çdo faji, çdo përgjegjësie politike e morale, njeriu i cili ka pranuar të bëhet sekretar i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Fakultetin e Mjekësisë, në të vërtetë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, i cili njëkohësisht ka pranuar të bëhet kandidat (i merituar) për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili ishte mik i familjes së diktatorit, Enver Hoxha, në kohën kur bëhej “gjenocidi” komunist në Shqipëri? Njeriu me mendje sado kudo të shëndoshë, sado kudo të ndershme, sado kudo etike, sado kudo të përgjegjshme pashmangshëm do t’i bëjë pyetje këtij trilluesi të gjenocidit: ku ishe ti atëherë? Pse heshtje derisa po bëhej gjenocid ndaj popullit të cilit i përkisje? Pse nuk e thoshe bile një fjalë mospajtimi me atë gjenocid dhe të bëje një a pesë a dhjetë vjet burg siç kanë bërë disa që nuk janë pajtuar me përndjekjet politike e shtetërore në kohën e komunizmit? Pse, more shok, shikoje se si po bëhej gjenocidi ndaj popullit të cilit i përkisje, ndërsa pranoje të bëheshe anëtar i nomenklaturës komuniste, pranoje të bëheshe sekretar në Partinë e Punës, që ishte parti dhe shtet njëkohësisht dhe, madje, kandidat për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ku na qenkan ndërtuar ideologjia, politika, taktika dhe strategjia e gjenocidit ndaj popullit të cilit i përket? Pse, more shok, e shihje se si po vazhdonte gjenocidi ndaj popullit të cilit i përkisje, ndërsa bëje çmos që të futeshe në shtëpinë e kryeprojektuesit të “gjenocidit”, diktatorit Enver Hoxha?
A ka kush, a ka njeri me mendje sado kudo të shëndoshë, me mendje sado kudo etike, me përgjegjshmëri elementare qytetare, me vetëdije kombëtare që do të thoshte se ti, mor shok, si vidhë sado e vogël e makinerisë së gjenocidit, na qenke plotësisht i pastër, plotësisht i pastërpikur prej çdo pike të gjakut të shkaktuar nga ai “gjenocid”! A ka kush, a ka njeri me mendje sado kudo të shëndoshë, me mendje sado kudo etike, me përgjegjshmëri elementare qytetare, me vetëdije kombëtare, që do të thoshte se ti na qenke i vetmi sekretar në Partinë e Punës dhe i vetmi kandidat për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, i cili as me fajin më të vockël nuk mund të quhet bashkëpjesëmarrës në atë “gjenocid”? Në qoftë se përgjigjet në këto pyetje janë përgjigje që në asnjë mënyrë, as para Krishtit e Muhamedit, as para popullit nuk mund të të shpallin të pastër, atëherë të shtrohet edhe një pyetje: pse, more shok, e ke shpikur gjenocidin dhe pse e lejon ekzistimin e atij pavijoni të quajtur PAVIJONI I GJENOCIDIT në Muzeun Historik Kombëtar?
A të shkon mendja se në njëzet e shtatë nënndarjet e sallës së PAVIJONIT TË GJENOCIDIT prej rreth 800 metrash katrorë, mund të gjenden edhe dokumente të tjera për reshperinë tënde politike për të cilat do të bëje çmos që të mos shiheshin aty?
Sa mirë! Vizitorët e ardhshëm të PAVIJONIT TË GJENOCIDIT, numri i të cilëve, thonë organizuesit e tij, do të jetë i madh, do të kenë rastin që aty, në nënndarjet e superstrukturës së gjenocidit, të shohin e të lexojnë procesverbalet e mbledhjeve të organizatës themelore të Partisë së Punës në Universitetin Shtetëror të Tiranës, të kryesuara prej Sali Berishës, si sekretar i saj, natyrisht në qoftë se nuk i ka zhdukur SHIK-u në kohën kur Sali Berisha ishte kryetar i Shqipërisë; të shohin e të lexojnë procesverbalin e mbledhjes së Komitetit Qendror të PPSH-së, në të cilën ishte pranuar kandidatura e Sali Berishës për kandidat të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. E dokumente të tjera qoftë si fotografi, qoftë të shkruara për të – për kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, për kryetarin e djeshëm të Shqipërisë, për kryetarin njëzetvjeçar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për sekretarin e organizatës themelore të Partisë së Punës në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Sali Berisha.
Si i gjithë Muzeu Historik Kombëtar, ashtu edhe PAVIJONI I GJENOCIDIT, përpos strukturës, do të duhej të ketë edhe superstrukturën e tij. Organizuesit e tij, merenduesit e tij, si historianë që janë, si shkencëtarë që janë, si intelektualë që janë do të jenë shkencërisht të obliguar që në të të paraqesin edhe atë superstrukturë të “gjenocidit”. Pse jo? Përpos praktikës tragjike, gjenocidet kanë edhe ideologjinë, teorinë, metodologjinë dhe propagandën e tyre, zakonisht të mbajtura në vepra shkencore, publicistike, letrare e të tjera artistike!
Sa mirë! Sa mirë! Vizitorët e ardhshëm të PAVIJONIT Të GJENOCIDIT do të kenë rastin që t’i shohin aty, në një vend, veprat shkencore, publicistike, letrare, muzikore, filmike, artistike-figurative në të cilat e me të cilat madhërohen rendi politik-shoqëror e shtetëror, si dhe Partia që paska bërë “gjenocid” ndaj popullit të vet! E numri i veprave të tilla është aq i madh saqë, ndoshta, do të jetë e nevojshme që hapësira e PAVIJONIT TË GJENOCIDIT shpejt të dyfishohet a të trefishohet!
Meqenëse Kryeideologu dhe Kryeurdhëruesi i “gjenocidit” ishte Enver Hoxha, është e kuptueshme se ai do të jetë edhe Protagonisti i nënndarjeve të këtij Pavijoni, në të cilat do të paraqitet superstruktura e “gjenocidit”. Aty, prandaj, vizitorët kureshtarë, të brendshëm e të jashtëm, do të kenë rastin të shohin bustet, shtatoret dhe portretet që për të, për Enver Hoxhën, kanë bërë skulptorët dhe piktorët; filmat dokumentarë e artistikë që për të, për jetën e tij, për luftën e tij, për ndërtimin e vendit nën udhëheqjen e tij, kanë bërë skenaristët, regjisorët dhe aktorët; vjershat dhe poemat, tregimet dhe novelat, dramat dhe romanet që për të – të frymëzuara prej jetëshkrimit të tij, prej ideologjisë së tij komuniste, prej politikës së tij të brendshme e të jashtme, prej kolektivizimit, prej luftës së klasave, prej luftës së tij politike kundër kapitalizmit dhe imperializmit amerikan, prej luftës teorike kundër letërsisë dhe, në përgjithësi, artit modern dekadent perëndimor – do të shkruajnë poetët, tregimtarët, dramaturgët, romancierët. Ata që kanë jetuar në kohën e komunizmit, ata do ta dinë, pa i përkujtuar unë, se vendi qendror në nënndarjet kushtuar superstrukturës në PAVIJONIN E GJENOCIDIT do t’i takojë apologjisë letrare të stalinizmit – romanit DIMRI I MADH, në të cilin Enver Hoxha madhërohet më dhuntishëm (më talentueshëm) se në asnjë roman a vepër tjetër artistike dhe madhërohet prej shkrimtarit më të popullarizuar të kohës, kurse prej Shtetit e prej Partisë së Punës dhe prej vetë Enver Hoxhës më të stolisur me dekorata, medalje, diploma, çmime, poste, shpërblime, pasaporta diplomatike. E të tjera.
Po këtu, në këto nënndarjet e superstrukturës në PAVIJONIN E GJENOCIDIT, pashmangshëm do të paraqiten edhe shkrimet e shumta publicistike, qoftë të botuara në përmbledhje të veçanta qoftë të mbetura në gazeta e revista për Enver Hoxhën, për jetën, politikën, ideologjinë dhe, në përgjithësi, veprën e tij. Oh, sa i madh, sa i pafund e i pa skaj, është numri i këtyre shkrimeve.
Por, në nënndarjet e PAVIJONIT TË GJENOCIDIT, kushtuar superstrukturës, vizitorët kureshtarë do të duhej të mund të shihnin edhe dokumentet – fotografi, procesverbale, diskutime, biseda, të autorëve të ndryshëm të asaj superstrukture, të ngritur në anëtarë a në funksione të Partisë së Punës, të Frontit Demokratik të Shqipërisë, si levë e Partisë së Punës, në deputetë të Kuvendit Popullor. Shumë përshtypjelënëse për shikuesit do të jenë edhe fotografitë dhe insertet televizive në të cilat, përpos deputetëve të tjerë, shihen edhe krijuesit – deputetë duke votuar, të shkrirë në gaz, domethënë të lumtur, për miratimin e Nenit 55 të Kodit Penal me të cilin dënoheshin pamëshirshëm agjitacioni dhe propaganda, në Kuvendin e Republikës Popullore të Shqipërisë.
Dhe, kështu, duke e formuar PAVIJONIN E GJENOCIDIT në Muzeun Historik Kombëtar, themeluesi dhe organizuesit e këtij Pavijoni, Sali Berisha me pretorianët e tij partiakë i bën krijuesit shqiptarë që ishin anëtarë a funksionarë të Partisë së Punës së Shqipërisë a të ndonjë parti tjetër, levë e sa, që kishin krijuar vepra për Enver Hoxhën, që kishin krijuar vepra në të cilat me gjuhën artistike a shkencore përkrahnin rendin politik shoqëror, Partinë dhe Shtetin, i bën, pra, ata, krijuesit e arteve e të shkencave tona, qoftë përkrahës, qoftë pjesëmarrës në atë “gjenocid” të cilit, ja, i është kushtuar PAVIJONI I GJENOCIDIT!
E krijuesit tonë, shkrimtarët tonë, artistët tonë, punonjësit tonë shkencorë, prej vitit 1996, kur është themeluar, e shikojnë këtë PAVIJON të gënjeshtërt, ndoshta disa prej tyre edhe e vizitojnë, duke heshtur si të mos ekzistonte. A është e mundshme? O tempora! O mores!
Edhe me një pyetje, më në fund, e ballafaqon PAVIJONI I GJENOCIDIT mendjen, ndërgjegjen dhe etikën kombëtare shqiptare dhe kjo është pyetja:
6. Çka do të thonë vizitorët e huaj të Muzeut Historik Kombëtar mbasi ta shohin lëndën e të gjitha nënndarjeve të PAVIJONIT TË GJENOCIDIT?
Mund të supozojmë, me të drejtë, se, mbasi të mësojnë në këtë PAVIJON TË GJENOCIDIT, se shqiptarët na qenkan mbajtur si popull i tërësishëm, i njësuar, edhe nën sundimin romak, edhe nën sundimin bizantin, edhe nën sundimin serb, edhe nën sundimin otoman, edhe nën sundimin e sërishëm serb – një pjesë e tyre, edhe nën sundimin italian e gjerman ata, vizitorët e huaj, do të mund të pyesnin vetveten: çfarë populli është ky që mbas të gjitha atyre pushtimeve prej të huajve, në fund, në pjesën e dytë të shekullit njëzet, të shekullit të krijimit të shteteve të reja në botë, bën gjenocid ndaj vetvetes? Si është e mundshme që ky popull të mos përjetojë kurrfarë gjenocidi as kurrfarë përpjekje për gjenocid as nën sundimin romak, as nën sundimin bizantin, as nën sundimin e parë serb, as nën sundimin otoman, as nën sundimin italian dhe gjerman, as nën sundimin e sërishëm serb – një pjesë e këtij populli, por të bëjë gjenocid ndaj vetvetes?
A kanë menduar, O Zot, trilluesit e gjenocidit të shqiptarëve ndaj vetvetes në kohën e komunizmit dhe organizuesit e merenduesit e PAVIJONIT TË GJENOCIDIT në kuadrin e Muzeut Historik Kombëtar se vizitorët e huaj, mbasi t’i shikojnë dëshmitë lëndore dhe dëshmitë shpirtërore, dëshmitë e strukturës dhe dëshmitë e superstrukturës së “gjenocidit”, do të mund të thoshin: po çfarë populli na qenka ky që aq lehtë pranon ta turpërojë vetveten me atë pavijon: me PAVIJONIN E GJENOCIDIT?
Asnjë gazetar, asnjë publicist, asnjë sociolog a politikolog, asnjë politikan a shtetar evropian, amerikan, aziatik, afrikan a australian nuk ka folur dhe nuk ka shkruar deri sot se Enver Hoxha dhe Partia e tij paskan bërë gjenocid ndaj popullit të vet, domethënë ndaj vetvetes, por ja, këtë kretinizëm e thotë dhe e përsërit ish sekretari i Partisë së Punës në Universitetin Shtetëror të Tiranës, kandidati për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, miku i familjes së Enver Hoxhës, kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, me pretorianët dhe me historianët e tij partiakë!
A është e mundshme kjo?
Hiqeni, prandaj, sa më parë mbishkrimin PAVIJONI I GJENOCIDIT mbi derën e asaj salle në Muzeun Historik Kombëtar: sepse ai mbishkrim i rrejshëm e nxin historinë shqiptare dhe e nxin Shqipërinë e cila pikërisht në kohën që ju e quani koha e gjenocidit që shqiptarët paskan bërë ndaj vetes ishte palë e kjo do të thotë nënshkruese e Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit (më 1955) dhe e Konventës për moszbatimin e kufizimeve statusore ndaj krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit (më 1971); sepse ai mbishkrim i rrejshëm e cenon rëndë, e fyen rëndë vetëdijen historike të popullit shqiptar, vetëdijen kombëtare të popullit shqiptar, etikën e lartë, dikur botërisht të çmuar, të popullit shqiptar, nderin dhe dinjitetin e popullit shqiptar! Hiqeni sa më parë mbishkrimin PAVIJONI I GJENOCIDIT sepse ky pavijon e komprometon rëndë Mendjen shqiptare!
Quajeni Pavijoni i përndjekjeve komuniste, a Pavijoni i dhunës komuniste, por jo PAVIJONI I GJENOCIDIT!
Për të qenë pjesë vërtet historike, pjesë vërtet shkencore e Muzeut Historik Kombëtar, ky pavijon do të duhej të përfshinte shkeljen e të drejtave të njeriut, përndjekjet, dhunën politike e pushtetore prej se është krijuar Shqipëria shtetërore e deri sot. Mendja shkencore, prandaj, do ta quante Pavijon të shkeljeve të të drejtave të njeriut, ose Pavijon i dhunës politike dhe shtetërore ndaj qytetarëve, ose Pavijon i dhunës pushtetore. Nuk janë shkelur të drejtat e njeriut, nuk janë përndjekur shqiptarët, nuk është ushtruar dhunë mbi qytetarët e shtetit shqiptar vetëm në kohën e komunizmit. Të gjitha këto të këqija që ua bënte shteti qytetarëve të vet ishin më të përshtrira, më të ndryshme, më të shumëllojshme, në kohën e komunizmit, por të drejtat e njeriut shkeleshin, shqiptarët përndiqeshin, mbi qytetarët shqiptarë ushtrohej dhunë edhe në regjimin e mbretit Ahmet Zogu, edhe në kohën e pushtimit italian e gjerman, edhe në regjimin dhunëtar të Sali Berishës prej se është në pushtet.
Mos të harrojmë se nën këqyrjen e Ahmet Zogut janë vrarë figura të shquara historike si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, janë përndjekur e gjykuar me shumë vite burgje krijues, shkrimtarë, si Haki Stërmilli, janë dënuar me vdekje publicistë me dhunti të madhe si Ismet Toto. E të tjerë. E të tjerë.
Mos të harrojmë se nën sundimin e Sali Berishës dhe si fryt i zi i politikës së tij të ndarjeve, përçarjeve, të konfliktit, shqiptarët janë gjetur në luftë qytetare, që ka sjellë disa mijëra të vrarë, shumë të mbytur në det, shumë e shumë të plagosur, shumë të shpërngulur në botë. Mos të harrojmë se politika e Sali Berishës është edhe sot politikë e dhunës jo vetëm me gojë: ajo është politikë edhe e zhvendosjes së afër një milion shqiptarëve në botë, edhe e shantazheve, e trysnive politike, e vrasjeve, si në Gërdec, si në protestën e 21 janarit, e nxjerrjeve nga puna për shkak të përkatësisë partiake e të punësimit për shkak të përkatësisë partiake. E të tjera. E të tjera.
E di, sigurt, se mbishkrimi PAVIJONI I GJENOCIDIT nuk do të hiqet menjëherë pas këtij shkrimi, por e di se pashmangshëm do të hiqet një ditë, madje më shpejt seç mendojnë projektuesi politik dhe organizuesit e merenduesit e tij, dhe e di, gjithashtu, se emrat e projektuesit, të organizuesve dhe merenduesve të tij, të PAVIJONIT TË GJENOCIDIT, të këtij pavijoni të rrejshëm, të shpikur, kundërkombëtar, për gjenocidin që shqiptarët gjoja paskan bërë ndaj vetvetes, do të kujtohen me dëshpërim, pezëm e neveri në kujtesën historike të popullit shqiptar.
Comments are closed.
A ka mundesi ti redaktoni me mire para se ti publikoni shkrimet e ketij antishqiptari te maskuar si nje njeri qe e don shqiptarine. Ky qenka nje komunist i peshtire qe trillon dhe minimizon ato qe ka bere diktatura shqiptare e cilesuar si nje nder me te egrat ne bote. Mbi te gjitha nuk e kuptoj cfare eshte ky lloj hakerrimi ndaj Sali Berishes, i cili po ben nje lobim te papare per njohjen e Kosoves ne te gjithe boten.
Te te vije turp zoti Rexhep.
Fitil Ferrnella, nuk gjete ndonje nofke tjeter, apo ta ka dhene baca Sali kete!
Pi ariu, do te pije edhe miu. Shkruan akademiku Rexhep Qosja, qe eshte i fundmi i rilindesave shqiptare, i fundit rilindas i gjalle, kerkon te shkruaj edhe “Fitil ferrnella”. Po rri o fitil dhe fut duart ne ndonje xhep udhetari ne autobuzin e unazes, vidh ndonje pensionist, merri ato lek dhe ik leri ne ndonje bingo. Te gjthe e dine se fitili i ferrnelles, kur ndizet vetem tym te zi nxjerr.
Me vjen keq qe kete qe po cilesoj per ty o fitil nga mendja dhe fernelle nga koha se nese ka nje njeri ne bote qe duhet t’i vije turp nga niveli i tij kulturor , i vetedijes personale dhe me pas i papergjeshmerise kombetare je ti o Fitil Fernella.
E keqja eshte se ti ke jetuar dhe jeton ne roberi mendore dhe per rrjedhim nuk njeh gje tjeter veçse injorancen dhe servilizmin , cilesi me te vyerat te paturp , per t’i sherbyer Sali Berishes dhe gjithe qeverive diktatoriale. Jam i sigurt se nese do te zhvendoseshim para ne kohe , ti do te ishe nje piko komunisti idiot qe kushedi sa jete njerezish do te kishe marre me qafe.
Po ku ke nivel dhe fytyre ti qe te kuptosh se çfare shkruan dhe kujt i detyrohet ky shkrim , shkruar nga i nderuari pafundesisht , akademik Rexhep Qosja . Ti meroton shume te te them , por mjere ti me mendjen dhe nivelin qe ke , ti je per t’u meshiruar dhe Zoti vente dore mbi mendjen tende !
Akademiku i Madh i Kombit shqiptar nuk ka nevojen e ‘fitil ferrnelles” per ta vleresuar! Historia i ka dhene Z.Qosja vend nderi, kurse ty, Fitil karafil, vetem nje ”ferrnelle” qe te te nxirrose shpirtin edhe me keq se c’e ke.
Shikoni KUSH voton per Berishen e BASHEN:
http://www.youtube.com/watch?v=4aM5rEjpUt8&feature=youtu.be
O zot cfare injorantesh! Nga kane zbritur keta ne kete vend???????? OMG!
qosja eshte nga te paktet shqiptare me ‘vegla’.ceshtja eshte se ne kemi me shumice shqiptaruce te tredhur qe i lepihen akoma shqiptaro-greko-serbit berisha i cili do me cdo kusht te percaje shqiptaret qe mos munden te bashkohen kurre .ne kembim te kesaj mbeshtetje e madhe greke (dhe e lobit grek) qe te rrije ne pushtet esat pashe berisha
Mero, eshte fatkeqesi e kombit shqiptar qe ka shume pak mendje si e Rexhep Qoses dhe me shumice si e Sali Berishes.Mero kofidenciale:(jo se jam per censurim mendimi te komenteve te ndryshme por komente te tipit “Furrnella” nuk i bejne nder kesaj rrubrike)
I nderuar e shumë i respektuar PROFESOR REXHEP QOSJA; Kontributi juaj në demaskimin e rregjimit të urryer neofashist të Salih Geddaf Gërdec Gërdallës, këtij kusari, vrasësi e tradhtari, është shumë i madh dhe vlerësohet nga gjithë shqiptarët e ndershëm, kudo që janë.
Fatkeqësisht për këtë Popull, ka edhe zorraxhinj e shërbëtorë të verbër të këtij diktatori, si puna e këtij kapsollës fitil barrut fërrnellës, që iu shoftë fara.
I dashur Fitil Ferrnella,
Une mendoj se :
– Ne shkrimin e tij Rexhep Qosja spjegon :
“E nocioni gjenocid, si thuhet, shkurt, në numrin më të madh të fjalorëve të sociologjisë, të politikologjisë a të filozofisë është: “çdo veprimtari për zhdukje ose shfarosje të paramenduar dhe sistematike të krejt një kombi, grupi etnik, racor ose kulturor”.
Ai eshte akademik dhe mua personalisht me sqaroi se cfare do te thote fjale genocid se une nuk e dija. Une nuk e di se sa vjec je ti por une kam jetuar ne Shqiperi dhe i jap te drejte Qoses se ne Shqipri ka patur krime te tmershme por jo Genocit, sipas nocinit te mesiperm.
– Mendoj se Qosja ka te drejte kur thote :
“Quajeni Pavijoni i përndjekjeve komuniste, a Pavijoni i dhunës komuniste, por jo PAVIJONI I GJENOCIDIT!
– Une personalisht kam mendimin se Sala i ben keto gjera ( pavjoni Genocid, prishja e piramides) per te genjyer boten dhe veten se sa antikomunist i madh eshte. Ai ne fakt i hedh balte vet-vehtes se ai vete ka qene sekretar partie, doktaor i shtabit te doktoreve te Enverit, njeri i familjes se Enverit ( shif fotografite ), deshmitar vullnetar ne gjyqe te turpeshme.
– Jam dakord me shqetesimin e Qoses, ne kuptimin qe per qellimet e zeza te mesiperme te Sales, ai don te nxije te verteten mbi Shqiperine dhe shqiptaret.
Fitil do te thote qe eshte nje send qe e vendos Berr-isha diku per di bere keq dikujt.E leme kete.Rexhep Qosja eshte Rexhep Qosja edhe sikur te jete antishqiptar siç e cileson fitili dmtyh sendi.Saliu nuk dihet akoma se cili eshte.Kur shet troje e ujera shqiptare nje k.minister a do te quhet shqiptar apo antishqiptar?Po kur vret demonstrues paqesore ne mes te bulevardit çfare mund te quhet perveç se vrases?Saliu edhe vete nuk di me se kush eshte.Ai eshte nje pupac qe e perdorin hajdutet e trafikantet per tu mbrojtur nga ligji.Rexhepi askend nuk ka vrare.Asgje nuk ka shitur veç krijimtarise se tij.Ndersa Saliu ka grabitur dhe shitur Shqiperine per interesat e familjes se tij politike.Rexhepi i ka duart dhe ndergjegjen te paster.Saliu eshte i perlyer deri ne fyt me korrupsion te gjakosur.
Mos u cudisni me Fitil Fernellen…
Ai ka nje hall…
Vajguri eshte shtrenjtuar shume…
Ka bere nje “shpikje”:
E ka zevendesuar me…urine !!!
Kjo eshte aresyeja qe komenti i tij kuterbon…
une mendoj,se duhet t’i jemi mirenjohes profesor qoses per mendimet e vyera qe jep here pas here ne shtypin tone.ai shkruan si nje filozof dhe kuptohet,mendimet e tij nuk mund te pershtaten me trurin e personave qe u ka mbaruar fitili.profesori ne menyre shkencore na sqaroi termin genocid dhe hodhi ide te vyera se si duhet te trajtohen ceshtje te tilla,per me teper qe filozofet tane nuk begenisin ta lodhin trurin me kesi gjerash.sa per fitilin,mund t’i kujtoj qe edhe ne shqiperi fitili eshte zevendesuar me rezistence,prandaj mos na ngaterro me kohen e baba qemos.por qe tipa si ty te kuptojne c’ka shkruan profesor qosja,duhet te pakten te kene kryer 4 klase fillore,gje te cilen ti nuk eke.prandaj,kryej kete pune dhe pastaj mund te afrohesh ne kete faqe,por jo kur flet profesori.tani fli pak,qe te rritesh.
Z.Qosja eshte jo vetem nje filozof i madh ,po dhe shqiptar i madh..Sali Berisha eshte e kunderta e tij..nje felliqsire ,maskara ,hajdut,vrases,tradhtar dhe i pa bese ..
Profesor Rexhep Qose! Thjesht fare, fjala genocid perkufizohet si nje tentative per te zhdukur nje race apo soj tjeter. Kete beri Sala ne 1997, kur dy avionet MIG-19 te Kuçoves u urdheruan te bombardonin me LHL zonat e Delvines dhe Sarandes, gje qe per fat nuk ndodhi sepse pilotet i hodhen ato ne mal dhe u arratisen ne Itali. Nje gjyq ushtarak nuk eshte hapur ende per kete urdher nga Xhahili i gardes se 1997-tes. Fakte ka me mijera por te pakten te kapemi te nje dhe ti nxjerrim fundin.
Zoti Rexhep Qosja je me te vertete monument i gjalle je sot rilindasi yne,Respekte,Jete te gjate.Pas ju vjen Arber Xhaferi.
mire e ke o Rexhep,..po ke sqaron! e kush te degjon!,,ne e beme kete punen e gjenocidit e persekutimit,per te fshehur e justifikuar palacolleqet e demokracise,,per te justifikuar rrumpallen politike e ekonomike ku e zhytem shqiperine,,na u desh te shpifim e shumfishojme akte e veprime te padrejta per te ngritur e mbrojtur padrejtesi te pa para e degjuara ndonjehere,,ai sistem i poshter,kishte me shume ndershemeri,sepse,denonte ata qe shkelnin ligjin,(kuptohet perfshihen edhe ligjet e pa drejta),,historia e dhimbeshme demokratike tregoi se ai shtet te denonte kot se koti,,ama, nga ta qe denoi ndonje e i rrall ka qene burr i mire,kjo per faktin se po te kishin qene burra te mire ata qe u denuan do kishte dal ndonjeri qe do na ndertonte demokracine e vertet,por ndodhi e kunderta ,ata ndertuan demokracine me balt se sa diktatura,,nuk mund te ndertohet shteti me ata qe shkelnin ligjet e shtetit, edhe kur ky eshte nje shtet i keq u vertetua plotesisht ne shqiperin tone te dashur,,shumica e atyre qe u denuan per politike ju vesh ky epitet per te justifikuar futien ne burg,por ne shume raste ishin njerez qe as u kishte shkuar ne mendje e as kishin haber nga politka.historia e demokracise i vertetoi te gjitha keto flluska sapuni,,ore po nje per be nuk doli,te ishte bere shembull e idhull per te tjeret,po te gjith zvarre mbas bythes se Berishes,sa edhe Nexhmije Hoxha nuk pati guximin kur e futen ne burg ti thoshte ;”ore qen bir qeni,po ke ngren buke te shtepia ime”,,ndaj o Rexhep kemi rruge te gjat per te bere si komb ,deri sa te vije dita qe secili ti thuhet ajo qe i takon ne sy,,ashtu si po ja thua ti Sali Berishes,,ti, hallall qe i bie drejt,,mos u merzit me ata qe nuk te kuptojne,se do te kuptojne,kur te shajne keta qe te mburrin sot,se keshtu e kemi ne.si histori e Saiut me Fatosin
Ke shkruar shume gjate profesor Rexhepi,dhe nuk te ndoqa dot se s’kam kohe.Por ke riperseritur aq here fjalen Pavion,qe mua me shkon mbare per pavionin spitalor.Duhet Berisha te çohet nga nje pavion ne tjetrin,se u semur ai vete,na semuri dhe neve;tani po semur dhe te vdekurit…Allah na ruaj,kemi ne krye nje burre te tymosur nga mendja,qe shpesh s’di ç’te beje;edhe kur do te rregulloje prish akoma me keq.
Unè besoj tek ZOTI, nè mrekullitè e tijè. Unè besoj tek ata BURRA qè i japin kètijè populli NDER dhe Lavdi. Duke patur fatin e madh tè lexoj kètè ‘Titull Doktorate’ mbi titujt e tjera qè mban ky luftètar i paepur i Shqiptarizmit. Pikèrisht sot dua tè rèfehem se kam mallkuar zotin qè i solli pèr sipèr njè “Djall”si Sali Berisha popullit tim. Por si thotè populli: Zoti me njè dorè tè rreh dhe me tjetrèn tè mban.
Bekoje o Zot kètè ‘dorè’ kètè ‘mendje’, kètè ‘filozof,kètè udhèrèfyes tè shqipètarève. Shqipèria kurrè nuk do tè zhduket. Mendjen e kemi dhe shumè tè shèndoshè, Na mbetet veç tè lidhim krahèt. Si luftètarèt e SKENDERBEUT. Si partizanèt e ENVERIT: Faleminderit REXHEP QOSJA.
Dita njemije prof. Qoses! Kemi 20 vjet qe na kane mberthyer nje tufe tradhtaresh e s’po e leshojne Shqiperine. Vetem nje organizim I fuqishem dhe veprimi I ligjit nga gjykatat ( ose vete populli) mund t’a shpejtoj kombin.
Akadeleshi Qosja prap ka brockollitur me rreshta te tera qe vetem shqiptare foles qe i bashkon vetem urrejtja e verber ndaj Berishes dhe as qe e kane idene a nga genocidi as se cfare deshtaku, plaku zevzek i vogel eshte qosja.
Respekte pafund i nderuar akademik Rexhep Qosja ! Shqiperia dhe gjithe shqiptaret kane nevoje ne keto kohe te veshtira per mendje te ndritura si e juaja .
Do te zbardhe nje dite… shume shpejt, qe shqiptaret te SHIKOJNE qarte ne syte e tyre kush eshte patriot i vertete dhe kush eshte hajdut e vrases i kombit!
Po kam frike se nje hajdut si Saliu, Meta e Basha – nuk i dallojne dot ‘shoket e tyre’ pasi jane te se njejtes race e soj sorollopi! Ata vetem kerkojne te vene ne shenjester njerezit e ndershem qe ua perplasin ne fytyre te verteten lakuriq, me emer e mbiemer, sic deshmon zoti Qosja!
Ja sa bukure trajton Profesori problemin Politik shqiptar — Ai ben krahasimin e fenomenit tone me te ngjashmit si ne —— krahasim qe asnje nga intelektualet shqiptare s’eka bere —Ta besh krahasimin me fakte ,dhe jo te flasesh ne menrye te pergjithsme dhe te biehs ne kurthin e Sales
Thote Sala diktatura shqiptare eshte diktatura me e eger ne Europe ,dhe te gjithe e pranojne ne heshtje kete genjeshter trashanike te te ligut Berisha
–Une ketu kam ;lexuar ne lirbine diaspores greke per komunizmin ne Greqi se :–Komunsitet greke qe ndejtne ne pushtet vetem 4 a 5 vjete dhe qe zoteronin ne veri te Greqise qe ishte ne madhesi sa cereku i Shqiperise ,dhe Ata vrane 250,000 te rinj dhe te reja greke——— Shiko ca shifre skandaloze ne nje kohe prej 4-5 vjetesh dhe ne nje popullsi prej me pak se milion vetash,komunistet greke vrane 250,000 njerez ,pagjyq pa azgje -Dhe askush ne Greqi nukmerret me keto krime ,sepse do te thote qe nqs do flisnin per keto krime te benin muze etj do te fyenin veten e tyre
———-Dhe Profesori e ka kapur kete Ceshtje ne menrye te shkelqyer –Tamam AKADEMIK
–Perdor metoden e krahasimit me fakte dhe i vendos Nderin ne vend te Kaluares se Lavdishme te asaj kohe te Stuhishme
kur Komunsiotet shqiptare me Enverin ne Krye megjithse te vetmuar ,te rethuar nga armiq ,me nje lufte mbi shpine nga greket
–Harriten ta nxjerin Shqiperine nga keneta mesjetare ototmane dhe ta TRANSFORMOJNE ne nje vend Industrialo -Agrar , sic thote Enciklopedia Britanike
–Ndersa sipa Komisionit Parlamentar te kryesuar nga Godo ne 1996 ,diktatura Shqiptare per 50 vjet ka vrare me pak se 3,000 veta —-
——–Kjo shifer eshte e dokumentuar sipas komisionit Godo qe perbehej nga shumica te djathte —
–Pra karhasaur me te gjitha diktaturat diktuatura shqiptare ka bere krime me pak se kushdo tjeter –dhe per te gjitha keto krime –asnje nga keto nuk ka ndodhur pa gjyq te regullt
—-Dhe diktatura shqiptare kishte edhe dicka qe edhe kur te internonte ne fshat ,te jepte nje shpi ku te fusje koken dhe nje pune me te cilen ti mund te ushqeheshe –
—————- Ndersa Sala kur te hiqte nga puna , te hidhte ne ruge te jepte nje asistence per 6 muajsh dhe pastja shko vri veten —
——–Sala me reformen e tij e diskretitoi demorkacine , e beri me keq se diktatura —
–Le pastaj ajo lloj reforme ekonomike qe i nxirte nejerezit nga puna ne shumice dhe fabriken ja jepte nje personi te vetem
qe nuk kishte lidhje fare me fabriken ,por vetem kishte qene i persekutuar —Kjo ishte tmerr fare –As ne mesjete nuki ka pasur padrjetesi te tille si ligjet e privatizmit qe beri Sala
———-Aty profesori e trajton kete ceshtjen e genocidit me guxim dhe inteligjence dhe na hap syte te gjitheve
Sepse duke Berisha fyer e diskretituar te kaluaren komuniste te Shqiperise kafyer e diskretituar popullin tone
————Ky eshte krimi me i madh Moral qe Berisha i ka bere Kombit Shqiptar ,dhe per me teper nuk eshtee vertete
Biles per ate koheedhe Vacislav Havelkur erdhi ne Tirane e mburri Sjelljen heroike te Shqiperise ne kohen e komunizmit ,kur Shqiperia evetme u ngrit ne mbrojtje te Cekosllavakise se pushtuar nga Ruset,kur asnje tjeter ne Europe nukktha as gjysem fjale ne mbrojtje te popullit cekosllovak
_ Dhe Havel tha :”………….Ne kurre nuk do harojme Shqiperine qe e vetme u ngrit ne mbrojtje te popullit cekosllovak te pushtuar nga Bashkimi Sovjetik….” ——
…por atehere Shqipertia fliste me zerin e Enverit —— E pra ate kohe na e mburrin njerez te shquar te huaj si Havel , e mburin enciklopedite me te shquara te botes moderne ,….. dhe mundohet te na e shaje nje Sherbetor i piste i asaj kohe si Sala ….
–Perfekt e ben edeh karahasimin Proefesori ne lidhje me Zhvillimin qe u harrit ne ate kohe ne cdo fushe dhe shkaterimet qe ber Sala ne keto 20 vjet duke detyruar 1 milion shqiptare te ikin nga vendi i tyre …sepse Sala i nxorri te tepert ne shtetin e tyre …
———-Asnje intelektual shqiptar nuk e ka mare persiper ta beje kete krahasim
dhe Opozita duhej te ishte e para qe duhej te bente krahasmin direkt te ketyre 20 vjeteve te Saliut me 20 vitet e para te Komunzimit
dhe te shikonin njereizit se si qendrojne keto periudha me njera tjetren
–Sepse 20 vitet e para te komunzimit quhen vite Zhvillimi edhe nga Enciklopedite boterore
–Ndersa 20 vitet e para te Berishes quhen vite ………Shkaterrimi ..pa fund
—Biles opozita duhet ti publikoje ne mes te Tiranes te gjhitha shkateriemt qe ka bere Sala ne keto 20 vjet –
——— Te krijoje atje diku MURIN E TURPIT te Berishes dhe te shkruaje te gjitha qe nga shkaterimi i Ekonomise –industrise , bujqesise, Pyejve,kanalizmeve ,,Kultures,arsmit — sherbimit spitalor , Mbrojtjes –shkaterimit te Akademive ushtarake dhe shkencore , veprat e tradhetise se Sales ———-
Ky do jete Monumenti i Turpit te Berishes …………..Monument te cilin po ja ngrre per se gjalli Profesor Qosja
–Dikush aty me dashamiresi thote qe Profesori nuk eshte dhe aq vleresuar ne dy anet e kufirit –Jo , eshte gabim
————Gjithe Shqiperia e do PROFESORIN ————-Absolutisht ai eshte njeriu me i vleresuar per Shqiptaret–Me kedoqe te bisedosh dodegjosh fjalet me te mira per Porfesorin ……
——– Sepse ai paraqet zerin e Protestes se cdo shqiptari ne formen me sublime per kete tranzicion kriminal dhe te pa fund te ideuar nga Berisha , tranzicion i cili po shkateron ne menyre te pandalshme jeten e shqiptareve ………..
……………….. dhe pa asnej dyshim , brezat qe do vijne do vendosin atje ne Muzeun Kombetar :—
—- Pavionin e Shkaterrimit Berishian…….
Z.Qose ka te drejte te kete ankesa,kritika etj dhe ti bej publike ato sepse ne fund te fundit per kete pune jane Profesoret,Akademiket Dijetaret etj…..Por Z.Qose duhet te dije mire se ne kohen kur ai dhe shume te tjere leviznin lirshem ne c’do shtet Europian (me pasaporte Jugosllave), ne shqiperine tone te kuqe ne shqiperine tone komuniste mund te denoheshe pse thoje NUK KA PATATE ose NUK ME PELQEN QUMESHTI etj etj etj.
E theksoj qe eshte pozitive fakti qe nje person si Z.qose te flase sepse duhet te flase.
Faleminderit Rexhep Qosja.Falemnderit o shqiptar i madh.Shqiperia ka nevoje te degjoje fjalet e tua.Ato jane fjalet e nje Plaku te Mencur,jane fjale zemre te nje Patrioti qe brengoset per fatin e tokes arbnore,jane keshilla te nje Intelektuali Paneuropian.Faleminderit o Krenaria e Kombit.
Prof. Rexhep Qosja eshte nje personalitet i padiskutueshem i kombit tone. Lexojeni se do te perfitoni shume nga ai filozof i madh.