Murinjo nuk është më “Special”

28 Prill 2011, 16:41Sport TEMA

Hoze Murinjo ka përfunduar nën akuzë nga të gjithë pas ndeshjes me Barcelonën. Janë të shumta arsyet në fakt, përse portugezi mund të kritikohet, duke nisur që nga loja e aplikuar, deri tek sulmi i paprecedentë ndaj Barcelonës dhe trajnerit të saj, Pep Guardiola. Tashmë të gjithë kanë ngritur pyetjen nëse Murinjo është akoma “Special One”. Pas ndeshjes me Barcelonën, shumë njerëz mendojnë që jo. Tekniku portugez ka dështuar jo vetëm me rezultat, por edhe në filozofi. Ndeshja përballë Barcelonës tregoi se ndeshjet nuk mund të fitohen duke u mbrojtur gjatë gjithë ndeshje, për të kundërsulmuar pastaj, me shpresën që kundërshtarët do të lënë hapësira. Reali nuk e ka praktikuar kurrë këtë lojë, pasi jo më kot është konsideruar si ekipi më i madh në Europë. Të gjitha sukseset e veta, Reali i ka arritur duke bërë një lojë të bukur dhe sulmuese. Kjo gjë nuk ndodhi përballë Barcelonës, edhe pse Reali luante në fushën e vet. Të vinte keq, kur shihje Realin që të luante njësoj sikur të ishte ndonjë ekip mediokër, që mbrohej gjatë gjithë kohës, duke mos dalë asnjëherë nga mesfusha e vet. Të kesh në përbërje lojtarë të tillë si Kristiano Ronaldo, Kaka, Benzema, Higuain, Ozil etj dhe të mbrohesh, është e pabesueshme. Kushedi so do të jenë ndjerë futbollistët që kanë bërë historinë e madrilenëve, duke parë lojën e zhvilluar të Realit përballë Barcelonës.

Shifrat, përveç rezultatit, ishin të frikshme. Barcelona e mbajti qarkullimin e topit 71% të kohës, ndërsa Reali, që luante përballë 80 mijë mbështetësve të vet, e mbajti topin vetëm 29% të kohës. Ndërsa Murinjo ngrinte një sërë pyetjesh pas ndeshjes me Barcelonën, mediat botërore ngrejnë një sërë pyetjesh të tjera, të cilat i drejtohen portugezit. Si ka mundësi që ky i fundit nuk aktivizoi në formacionin e parë asnjë prej lojtarëve të tillë si Kaka, Higuain, Benzema, kur këta të fundit vetëm katër ditë më parë dhanë spektakël në Valencia, duke arritur një fitore tenistike?

Murinjo, pas ndeshjes tha se gjyqtari i prishi lojën Realit, me nxjerrjen e Pepes me karton të kuq. Por, mediat e huaja thonë se për çfarë loje e ka fjalën Murinjo, sepse Reali nuk ishte në asnjë moment në ndeshje dhe nuk zhvilloi lojë? E vetmja gjë që Reali bëri, ishte të mbrohej. Dhe, këtë gjë e bëri në mënyrën më të gabuar, me dhunë, çka për pasojë solli edhe nxjerrjen me karton të kuq të Pepes.

Vetë Murinjo e pranoi në konferencën e shtypit se kërkonte që të arrinte ta çonte ndeshjen 0-0 deri në minutën e ’70, për të future pastaj Kakanë dhe për të sulmuar. Por, Murinjo duhet të dijë se ndeshja luhet 90 minuta dhe jo 70. Për më tepër që është e paimagjinueshme që të mendohet për një lojë të tillë të Realit.

Por, ajo që është e pafalshme për Murinjon, është sjellja e tij në përfundim të ndeshjes. Të gjithë e njohin portugezin dhe e dinë që ai është i paparashikueshëm dhe karizmatik në konferencat e shtypit. Vetëm se, sulmi ndaj Barcelonës dhe trajnerit të saj, Pep Guardiola, ishte i ekzagjeruar. Murinjo, në vend që të pranonte supermacinë e kundërshtarëve, është përpjekur që ta gjejë fajtorin tek gjyqtarët. Për mediat e huaja, Murinjo e tepëroi më shumë se çduhet me akuzat e tij ndaj Barcelonës, kur dihet që ekipi i drejtuar nga Guardiola aktualisht është më i forti në botë.

Me të gjitha këto veprime, epiteti “Special One” për Murinjon është vënë në dyshim. Dhe me të drejtë në fakt. Një “Special” nuk mund të sillet në mënyrë të tillë, duke aplikuar një lojë antifutboll dhe pastaj të thotë që lojën e prishi gjyqtari.

5 komente në “Murinjo nuk është më “Special””

  1. plaku says:

    M.gj.s. nuk marr shume vesh nga futbolli, mendoj se artikullshkruesi ka te drejte, por ama duhet thene se ne se Murinjo do kishte fituar, te gjithe komentatoret sportive te botes ( edhe une ) do shkruanin hymne lavdie per Murinjon. C’est la vie.

  2. jani says:

    Ca loje mund te prisje nga Reali, formacion me mbrojtes se ai i djeshmi une nuk kam pare ndonjehere me pare!!!!! Reali luajti me formacionin 1 (portieri),5(mbrojtesa) dhe 5(mesfushore)!!!!!! Ku jane sulmuesit??????? Real nuk kishte aspak klas, turp per Murinjon.

  3. plaku says:

    Po Adebajor, c’far ishte ai ne gjysmen e dyte ? Nuk ishte ai sulmues ?

    1. jani says:

      Mbajtja e topit ne ndeshje ishte 71% me 29% ne favor te Barcelones, kjo quhet loje mbrojtese! Murinjo luajti Pepe si mesfushor, eshte i papare!
      Pershendetje Plaku.

  4. ben says:

    Murinjo ben futboll alla italionce te viteve 70-80.Murinjo luan per rezultat,jo per te bo futboll.Nuk ka per tu mbajte men Interi i vjetshem ne aspektin e lojes,do kujtohet qe mori tre kupa.Ndersa Barcelona edhe po nuk fitoi trofe keto vite,do mbahet mend.Te luaj Reali me 7mbrojtes ne fushen e vet,se kishim pa ndonje here,ndersa sa ka trajner Murinjon ndeshje per ndeshje te forte rraset ne porte .Mourinjo mund te jete trajner i mire per mentalitetin, qe i karikon skuadres gjate javes,por per loje merre me long se mishi ka maru.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje