Sandri publikon sondazhin me Zamirin tek QTU

28 Prill 2011, 20:59Antena TEMA

Sandri vendosi më në fund të bëjë sondazhin tek QTU me Zamirin. Vendosën nga një kuti tek çdo arkë dalëse. Kutisë ia shkruajtën emrin Instituti Gjerman i Statistikave. Para se ta bënin këtë, Zamiri u interesua se mos ekzistonte vërtetë ndonjë institut i tillë dhe i përgënjeshtronte. Pasi u bind se nuk ekzistonte një i tillë, ja nisën punës. Gratë që mbledhin lekët tek arka u bënin një ofertë me 1 për qind zbritje njerëzve që donin të votonin. Në fillim pati disa ngurrime, por ulja prej 1 për qind filloi të funksiononte. Një prej shitësve u dërgoi sms gjithë punonjësve të QTU të votonin. Shitësja bëri llogaritë dhe afërsisht i binte që QTU të kishte 30 milionë lek xhiro. 1 për qind e shumës i thoshin 3 milionë lek. Ja nisi punës duke mbushur kutinë e votimit. Duke ditur se Zamiri me Sandrin ishin me Bashën, mbushi 40 për qind vetë. Pastaj ua la radhën shokëve të punës dhe ndonjë blerësi që s’kishte frikë të votonte. Në mbrëmje bëri bilancin, mori 1 përqindëshin dhe lajmëroi Zamirin se kutia ishte gati.

Zamiri me Sandrin thirrën dhe Zhejin. U ngjitën në kat të dytë tek zyra e Zamirit dhe hapën kutinë. Filluan të numëronin.

Në një anë vendosnin fletët e Lulit, në anën tjetër të Ramës. Rezultati në fund doli Rama 20 përqind para.

I shqetësuar, Zamiri zbret poshtë dhe thirri arkëtaren.

– Kush ka votuar në kuti, tha, i ke parë?

– Shefo, i kam parë. S’di të them, po 40 përqind i ke të sigurt me Bashën se i kam hedhur me këto duar.

– Po mi po, i tha Zamiri, po kush janë këta 60 përqind se qenkan të gjithë me Ramën.

– S’e di vallai, tha. Njerëz të huaj ishin.

Zamiri u ngjit sërish lart i tronditur, ndërsa shitësja nisi me folë me vete.

-Qyqja, sa të fshehtë qenkan këta njerëz, tha. Qenkan të gjithë me Ed Ramën dhe nuk tregojnë. Ene unë me të jam, po thashë mos i duheshin shefit votat.

Lart në kat të dytë Sandri me Zhejin po diskutonin si do ta menaxhonin sondazhin.

E para u vendos të thuhej që Basha ka fitu 58 përqind dhe lajmi të jepej në ATSH. E dyta u vendos që të gënjehej dhe Basha që ka dalë mirë që të mos demoralizohej. Por Sandri bëri propozimin e tretë më interesant.

-Vari k…, tha daç ta marrë vesh Basha, daç Berisha, s’ka problem se e dinë që humbasin, po mos ta marrë vesh Fevziu se na kthehet që sot me Ed Ramën dhe na shkërdhen fushatën.

Ashtu u vendos. Heshtje varrit ndaj Fevziut dhe optimizëm për Bashën.

-Si nuk i ec këtij njeriu mor burrë, tha Zheji. Dhe dje erdhi ambasadori amerikan me pa ndeshjen me të, për 45 minuta sikur kish folë Rama me Pepe Guardiolën nuk u bë gol. Iku tek socialistët pjesën e dytë, u bënë dy gola. Ça është kështu mor burrë?

– Lëre, lëre, tha Sandri, se ajo ishte e poshtër shumë. Unë e dhashë dhe ndeshjen në TV Klan tokësor, nuk e shita vetëm se mendova se ambasadori do rrinte deri në fund në ndeshje. Po më e forta ishte me atë k… Lulin. Pasi i iku ambasadori, ishte përqëndru dhe po shifte TV Klanin dhe ëm merr në telefon: O Sandër, po ti s’ke lajme, ndeshje jep më tha.

-Po ndeshje mo k…, i thashë, se më the do takohem me ambasadorin.

-Ou, tha, pse e njëjta ndeshje si ajo që po shikoja me atë është dhe kjo?

-A ti je k…, i thashë, s’ke faj, kam faj që unë harxhoj lekët dhe e jap falas, jo ta shesh tek Supersporti. Po bëre ndonjë muhabet me ambasadorin, i thashë, i tregove me kë je tifoz?

-Po, po, fola, i tha Luli. I thashë që jam tifoz me Çikago Bulls.

-Ç’është kjo Çikago Bulls mor burrë, nga e gjete këtë?

-Po ku di unë. Dëgjova ambasadorin që tha jam tifoz me Çikago Bulls dhe unë i thashë me atë jam. Dhe mu duk se ishin ata që ishin blu e kuq.

– Ah ti je k…, i thashë. Po ajo ishte Barcelona me Realin mo burrë, çafrë Çikago më thua ti? Po s’ke faj ti, faj kam vet që jap ndeshje falas për ty. Ti s’di as kush luan.

 

2 komente në “Sandri publikon sondazhin me Zamirin tek QTU”

  1. Epirioti says:

    Pikante dhe brilante. Mero mos u merakos se nuk i bejme shume komente “Antenes brenda familjes”, nuk kane nevoje per komente, por lexohet e para dhe nga te gjithe. Eshte nje cepe buzeqeshjeje ne ate ngrysje buzesh nga cudite e perditshme qe Berisha ua ngriu vertet buzeqeshjen ne buze shqiptareve sa te jete gjalle.

  2. MEMEDHETARI says:

    “Pasi u bind se nuk ekzistonte nje i tille,ja nisen punes”… ? ?

Comments are closed.

Lini një Përgjigje