Flamuri është bërë me dhimbje koke nga fushata e Lulit. Ky i fundit i ka bërë një listë të gjatë të takimeve me komunitet në Tiranë. Për shembull i ka kërkuar takim me gratë dibrane të administratës, takim me gratë kuksiane të administratës, takim me gratë tropojane të administratës… pastaj takime më Gollobordën, takime me Lumën, takime me Nikaj Mërturin… Nuk dinte nga t’ia niste i pari. Në dispozicion i kishte lënë dy gra, Ildën dhe Mesilën.
Problemi i parë i Flamurit ishte se nuk dinte nga t’ia niste, pra si t’i identifikonte gratë në administratë sipas krahinave. Edhe pse i kishte futur të gjitha në punë vetë, prapë e kishte të vështirë. Jozin s’e pyeste dot se ajo i thoshte mos i bëj takimet fare. Atëherë i hodhi një sy listës së ministrave. Kë ministër kishte dibran… Myqeremi, në rregull. Atëherë me siguri që gratë dibrane duhet të ishin me shumicë tek Arsimi dhe Ministria e Jashtme… I vuri detyrë Mesilës dhe Ildës të merreshin me këtë punë. Koordinator i caktoi Malën.
Por dje iu prish terezia. Sapo Flamuri kishte bërë gati takimin me gratë e Dibrës me Lul Bashën, ia plas ai burri në mbledhje qeverie duke thënë mos i bëni presion administratës. Kaq kishin dashur gratë dhe i kishin bërë naze Malës dhe Ildës. Mala dhe Ilda ua kishin shpjeguar që kryeministri e thotë për sy e faqe të OSBE, por gratë kishin bërë sikur respektonin statusin e nëpunësit. Takimi po dështonte.
-Po dhe unë dua që duhet t’i gjej patjetër gra dibrane këtij, tha. Hapi bllokun e vet dhe filloi të numërojë gjithë gratë kuksiane, tropojane, shkodrane dhe ndonjë dibrane që kish futur në punë. Vuri sekretaren tu bënte telefon dhe i njoftuan të gjitha për takim në Sallën e Operës dhe Baletit.
Në mbrëmje salla u mbush plot. Luli bëri kujdes që kamerat mos të depërtonin brenda dhe filloi të mbajë fjalimin.
-Jam shumë i nderuar, tha, që po flas para grave dibrane. Gjyshja ime ka qenë njeriu më i dashur për mua dhe për shkak të saj vazhdoj të ndjehem dibran.
-Kë ka pasë gjyshe, pyet një grua tjetrën në krah.
-S’di vallahi, Nexhmije Hoxhën thonë, tha gruaja duke qeshur.
Ratë filluan të çuçurisin me njëra- tjetrën dhe po tërhiqnin vëmendjen. Ilda u tërhoqi vërejtje. Luli filloi të ngrejë zërin në shenjë nervozizmi.
-Imazhi i gruas dibrane ka mbetur i gjallë prej meje prej gjyshes, që siç u thashë ishte një njeri i fortë dhe shumë i dashur për mua..
-Më falni, u ngrit një grua nga salla. Unë jam prej Tropojet dhe kena pasë respekt për ty se ke thënë në një intervistë që e ke pa gjyshen prej Pejet dhe ka rënë në Vuthaj e prej anej përmes Tropoje ka rënë në Tiranë, si na.
Luli buzëqeshi.
-Patjetër, tha. Po ajo është gjyshja tjetër. Meqë paskemi dhe një nga Tropoja këtu, që besoj se duhet të jesh nuse në Dibër, do të flas pak dhe për rrugëtimin e gjyshes time tjetër, e cila ishte po ashtu një grua e fortë dhe që vdiq me ëndrrën se një ditë rruga e kombit do të ndërtohej…
-Or ti çun, nuk bajmë krushqi me dibranë na. E kam tropojs burrin tem. Kush të ka thënë ty se jena prej Dibre…?
-Po kështu e kemi titulluar takimin, tha Luli, si takim me gratë e Dibrës.
-Jo orë çun se këtu janë gra të Tropojës e të Kukësit. Ne jena në punë në administratë i tash. Ato të Dibrës kanë kenë para ‘96, kur ishte i fortë Gazidede dhe Zhulali. Kanë vdekë ata.
Në sallë filluan të qeshurat. Luli u ndje keq dhe pa nga Mesila me Ildën.
-Edhe unë kuksiane jam, tha Mesila. I ngeli barra vetëm Ildës.
-Nuk ka rëndësi, tha ajo, e kemi si takim me gratë e zonë verilindore, të cilat janë shumicë në administratë dhe që është një nga arritjet e mëdha të PD-së.
-Jo oj çikë, i tha tropojania. Ti fol për kohën tënde, na për tonën. Ty të ka fut në punë çuni i Fatosit më 2000 kur ne gratë e Tropojës bajshim mitingje me molotov për Salihin.. Ti ke pasë qenë e qeverisë atëherë. Këtë rradhë jena krejt prej Kukësi e Tropoje.
Ilda nuk foli më. Luli kaptoi disa herë pështymën, dhe thirri njeriun që po regjistronte me kamerë.
-Zhdukeni këtë kasetë, mos t’i bjerë njeriu në dorë, zhdukeni se na kanë sabotu takimin. E ka bërë Jozi me Flamurin. Unë u kërkova dibrane, më kanë sjellë tropojane dhe kuksiane.
-Po ndoshta s’ka faj shumë, i tha kameramani, se gjithë administrata andej i ka gratë.
-Kështu si të them unë, i tha. Zhduk kasetën. Të tjerat rregullohen.
U qetësua disi dhe desh ta mbyllte. Sidoqoftë, tha, unë dua të përshëndes gratë dibrane, kuksiane, pukjane, tropojane, gjithë gratë e veriut të Shqipërisë që diskriminohen në Tiranë prej kryetarit të Bashkisë …
-Vallahi jo veç prej tij, por dhe prej ktij tonit, i tha tropojania. Krejt detyrat e rënda ne na i japin. Krejt drejtoresha e shefe na kanë ba e vetë bajnë qejf, rrijnë specialista. Ke të drejtë.
Regjisori lëshoi duartrokitjet e incizuara që përdoren në çdo miting dhe Luli u ngrit për të treguar se takimi mbaroi.
Comments are closed.
Urime Antenes,me jep cdo dite kenaqesi.
Rrofshin shkrimet e Antenes, qe na bejne per te qeshur me keta karagjoze. Desha tju kujtoj nje detaj! A i keni vene re dhembet e Artur Zhejit, nxine nga nje kilometer larg! Mund tju hyje ne pune;)
Jani, me dhembet dhe mustaqet e Zhejit, merret Bushati. Megjithese ideologun e Nanos dhe rrogetarin e berishes e mbeshtet dhe Cani-plera Andi i ben qe te flasi me veten. Mero ka nje çike pune me thesin e qelbur plot te LUL-bukuroshit.
mero na knaqe shpirtin. . . Je i madh . . .
i nderuar moderator , dyshoj qe fjalia e fundit mund te jete keqkuptuar, rruga e shkurter te nxjerr me gjate. Fjala eshte qe Mero ka pune per te diskredituar dhe nxjerre ne shesh gjithe te palarat ( nje thes plot) te Lulit.
Edhe vete ‘antena’ e paska me siklet ate punen e gjyshes! lol…
pene e mprehte dhe humor i zgjuar.