Kosovarët, "brazilianët e rinj" të elitës suedeze

2 Maj 2011, 11:38Sport TEMA

Ardian Gashi me sukses kontrollon mesfushën e skuadrës së Helsingborgut, që aktualisht prin në kampionatin suedez. Sulmuesi Agon Mehmeti është lojtari kyç te Malmo, që është kampion në fuqi. Dardan Rexhepi llogaritet si njëri ndër talentët më të mëdhenj në ligën suedeze “Allsvenskan”. Astrit Ajdareviq është ndër më të dalluarit te Norrkopingu, që këtë edicion u promovua në elitë. Etrit Berisha ia ka zënë vendin Petter Wastes te Kalmari në portë. Dukuri kjo që për herë të parë ka ndodhur të Kalmari pas 15 vjetësh. Valdet Rama e Kushtrim Lushtaku e kanë nisur mbarë të Orebro dhe po korrin suksese.
Futbollistët kosovarë që aktivizohen nëpër skuadrat elite te Suedisë janë më atraktivët në Allsvenskan.
Dhe natyrshëm shtrohet pyetja: Si është e mundur për një shtet, i cili ende nuk është i pranuar në Kombet e Bashkuara, si Kosova, që ka popullatë dukshëm më të vogël se Suedia, të ketë kaq shumë futbollistë të talentuar?
Sot, në Suedi jetojnë mbi 40 mijë kosovarë që kanë migruar në vitet e 90-ta për shkak të situatës së tensionuar në Kosovë. Në mesin e tyre janë edhe familjet e Agon Mehmetit, Dardan Rexhepit e Astrit Ajdareviqit.
Futbolli është sporti më i popullarizuar në Kosovë, kurse tregu i futbollistëve është shumë i lirë. Futbollistët janë të talentuar dhe ata në të ardhmen do të jenë atraktivë edhe për ligat e tjera evropiane.
Rol të rëndësishëm në sjelljen e futbollistëve kosovarë nëpër skuadrat suedeze ka Albert Bunjaki, aktualisht seleksionues i Përfaqësueses së Kosovës. Bunjaki për disa vjet ishte asistent i trajnerit të parë te skuadra e Kalmarit.
Kalmari dhe Orebro në radhët e tyre kanë pesë futbollistë kosovarë, kurse tash për tash të suksesshëm janë treguar Rama, Lushtaku e Berisha. Dragusha e Leci ende nuk e kanë dëshmuar veten shkaku i lëndimeve para fillimit të këtij edicioni.
“Do të jenë edhe më shumë futbollistë kosovarë në skuadrat suedeze në të ardhmen. Me siguri se tregu i futbollistëve kosovarë është më i liri në Evropë. Merr lojtarë të mirë për një shumë të vogël të të hollave”, ka thënë Gashi. Ai është vetëm një nga 15-16 kosovarët që aktivizohen me ekipet e para të këtij vendi.
Bunjaki së fundi ka negociuar edhe për Shqipron Skerajn, i cili tashmë ka kryer të gjitha formalitetet me skuadrën e Djurgardenit.
Tash për tash futbollistët kosovarë jo vetëm që janë më atraktivët në ligën e Suedisë, por po llogariten edhe si brazilianë, falë talentit që po tregojnë.
“Nuk i dihet, ndoshta edhe jemi brazilianët e rinj. Është fakt se krahas brazilianëve, të vetmit futbollistë ofensiv në ligë janë kosovarët. Të gjithë kërkojnë topin për të udhëhequr lojën, kanë dëshirë të driblojnë, kurse brohoritjet e publikut janë diçka e veçantë”, u shpreh Gashi, ish-reprezentues i Norvegjisë. “Mendoj se kjo ka të bëjë me kulturën”./KD/

Lini një Përgjigje