Manuel Nojer është një nga futbollistët për të cilët po diskutohet më së shumti gjatë ditëve të fundit. Pas paraqitjes së tij mbreslënëse në Ligën e Kampioneve kundër Mançester Junaited, shumë kanë filluar që ta konsiderojnë atë si portierin më të mirë në botë. Paraqitjet e tij kanë bërë që Junaited të ofrojë 27 milionë euro për ta marrë portierin e kombëtares gjermane, i cili kërkohet edhe nga Bajerni i Mynihut. Vetëm se bavarezët ofrojnë 10 milionë euro më pak nga Junaited. Gjithsesi, mediat gjermane bëjnë me dije se Nojer tashmë ka arritur një marrëveshje me Bajernin dhe sezonin e ardhshëm do të luajë pikërisht për bavarezët. Por, Nojer ka bërë edhe një veprim, i cili ka tërhequr vëmëndjen e mediave. Sipas “Bild”, portieri i kombëtares gjermane ka siguruar duart dhe në rast të një dëmtimi të mundshëm, ai do të përfitojë tre milionë euro. Në fakt, portierët dëmtohen shumë rrallë në dorë. Gjithsesi, Nojer e ka bërë këtë veprim për të qenë i sigurtë.