Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit e ka shtyrë sërish vendimin për ndeshjen mes Laçit dhe Flamurtarit. Kur pritej me ankth se çfarë do të vendoste ky Komision, është bërë e ditur se vendimi do të jepet gjatë ditës së nesërme.
Flamurtari ka kërkuar që t’i jepen tre pikë në tavolinë, pas dhunës së pësuar në fushën e Laçit, ku u godit me në kokë portieri Shpëtim Moçka. Nuk dihen arsyet e shtyrjes së këtij vendimi, por duket se Komisioni ka vendosur që ta zvarrisë sa më shumë këtë çështje, për të ulur tensionin dhe zemërimin e tifozëve të Flamurtarit. Jo vetëm kaq, por tashmë është krijuar ideja se Skënderbeu është shpallur kampion, edhe pse kanë mbetur për t’u luajtur edhe dy ndeshje dhe për më tepër është një vendim për t’u marrë, ai i Komisionit të Disiplinës, që po shtyhet në mënyrë të paprecedentë. Normalisht, ky vendim duhet të ishte dhënë me kohë dhe ai duhej të ishte në favor të Flamurtarit, pasi kjo gjë rezulton në rregullore, por edhe në precedentët e mëparshëm që kanë ndodhur jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe atë europian dhe botëror.
Ndërkohë, ndërsa Komisioni i Disiplinës bëhej gati që të jepte vendimin, të cilin sërish e shtyhu, tifozë të shumtë të Flamurtarit kanë ardhur në Tiranë dhe kanë protestuar për padrejtësinë që po i bëhet ekipit të tyre. Tifozët e skuadrës së Flamurtarit kanë kërcënuar me bllokimin e Urës së Milofit, në rast se Komisioni i Disiplinës në FSHF nuk do t’i japë ekipit të tyre fitoren në tavolinë për ngjarjet që ndodhën 8 ditë më parë, në ndeshjen me Laçin, ku mbeti i plagosur portieri i Flamurtarit, Shpëtim Moçka.
“Komisioni me mendje të kthjellët duhet t’i japë tre pikët në tavolinë Flamurtarit. Në të kundërtën ne do të marrim masa deri në bllokimin e Urës së Mifolit”, është shprehur Agron Sinani, kryetari i shoqatës së tifozave “Dragonjtë kuqezi”.
Gjatë protestës së tyre, tifozët e Flamurtarit kanë hedhur parrulla dhe fyerje të shumta në drejtim të FSHF-së dhe presidentit të saj, Armando Duka, të cilin e konsiderojnë si njeriun që ka shkatërruar futbollin shqiptar dhe ka persekutuar ekipin e tyre.
Adresa e fyerjeve dhe sharjeve të tyre ishte dhe skuadra e Skënderbeut dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, si një nga mbështetësit kryesorë të skuadrës korçare.
Tifozët e Flamurtarit kanë kërkuar më pas të zhvendosin protestën e tyre para zyrave të FSHF-së, por nuk janë lejuar nga policia, sipas të cilës, leja për këtë veprimtari ishte marrë vetëm për këtë zonë. Leja e dhënë nga drejtoria e policisë së qarkut Tiranë, ka qenë për 60 minuta. Tifozët vlonjatë kanë thënë se do t’i intesifikojnë protestat e tyre, në rast se Komisioni i Disiplinës nuk i jep fitoren në tavolinë Flamurtarit për ndeshjen me Laçin.
Pavarësisht të gjithave, një gjë është e sigurtë, nëse Komisioni i Disiplinës merr ndonjë vendim në shkelje me rregulloren dhe që nuk do të ishte në favor të Flamurtarit, pasojat mund të ishin të rënda jo vetëm për futbollin shqiptar, por edhe në aspektin social, pasi do vlonjatët janë shumë të ndjeshëm ndaj padrejtësive dhe mund të reagojnë në mënyrë të paparashikueshme.