Vazhdojnë polemikat për titullin e 2006-s në Itali

22 Korrik 2011, 17:59Sport TEMA

Në Itali vazhdojnë debatet me tone të larta për titullin e vitit 2006, i cili ju dha në tavolinë Interit. Pas zbardhjes së fakteve të reja, në të cilat duket qartë që edhe Interi ka qenë i përfshirë në atë që është quajtur “Kalçiopoli”, janë shtuar zërat që Interit t’i hiqet titulli që ju mor Juventusit dhe ju dha zikaltërve në tavolinë.

Presidenti i Fiorentinës, Dela Vale, deklaroi një ditë më parë se presidenti i Interit, Masimo Morati, duhet të japë shpjegime për atë që ndodhi pesë vjet më parë. Por, i mënjëhershëm ka qenë reagimi i Moratit, që ka deklaruar se nuk ka se çfarë të shpjegoj.

“Nuk shikoj se çfarë shpjegimesh të jap. Mendoj akoma se ajo që ka ndodhur ka qenë kundër nesh. Janë të tjerët që duhet të na jepin shpjegime”, ka deklaruar Morati.

Edhe pse prokuroria ka vërtetuar përfshirjen e Interit në ndikimin e arbitrave për t’u favorizuar, Interi nuk ka pranuar që ta dorëzojë titullin e 2006-s, i cili tashmë qartazi mund të thuhet se nuk u përket më zikaltërve.

Këta të fundit e mbajtën titullin vetëm falë procedurave, duke qenë se në Itali, nëse kalojnë pesë vjet nga një çështje, ajo nuk mund të rihapet. Drejtuesit e Juventusit ndërkohë kanë deklaruar se do të vazhdojnë betejën e tyre ligjore për të rimarrë titullin e 2006-s.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje