Kunati i Lulit falënderon Gimin e Puros për shkrimin kundër Ramës

12 Gusht 2011, 20:44Antena TEMA

Kunati i Lulit u surprizua dje në mëngjes. Shkoi në zyrë në Bashki, hapi gazetat dhe papritur shikon gazeta MAPO i kishte lënë vend kryesor Gim Neshos, ose Gimit Puros siç njihet në Tiranë. U çudit shumë se ka pak njohje me të dhe në çdo tavolinë që flitet për të, flitet vetëm për puron që të kërkon sa herë bën ndonjë punë dhe barsoleta të tjera. Asnjëherë nuk kishte dëgjuar se bën dhe shkrime.

U ul dhe po e lexonte. Fantastike. Të gjitha ato që ai bisedon me Lulin i kishte thënë dhe Gimi. E vetmja ide më guximtare ishte që në vend të Ramës duhet vënë Ben Malaj. Këtë as Luli nuk e thotë.

Entuziast për avancimin e Gimit, e mori në telefon për ta uruar.

-Urime Gimi, zoti Kunat jam.

-Kunati…, ah, mirë, ç’kemi, tha Gimi i hutuar, duke u përpjekur të kujtojë cili nga ish- kunetërit mund të ishte.

-Zoti Kunat, zoti Kunat, Kunati i Lulit, i tha kunati që e pikasi hutimin.

-Ou, po ku je i madh? Po të njoha mo burrë, si nuk të njoha, por kisha dikë këtu. I madh je. Faleminderit shumë, faleminderit. Nuk di në e lexoi zoti Kryetar i Bashkisë. Kam një respekt të veçantë për të. I kisha thënë që gjayë fushatës që do ta shkatërrojmë. I madh je, po si thua ti “go scarface”. I madh je, i madh!

-Më pëlqeu shumë shkrimi, dhe Lulit i kishte pëlqyer, bile e gjeta duke ja lexuar Doktorit në telefon…

-Ashtu, vërtet? I madh është. Shumë virtuoz. Këtë të premte e kisha lënë të vija dhe unë në një takim, por jam shumë i zënë se po pres urimet për shkrimin dhe po pi një kafe me zotin Ministër të Financave.

-Ah, je me Ridvanin aty?

-Jo, jo, me zotin Malaj, Ministrin e Financave, ti e di që unë i respektoj titujt e dikurshëm. Ki durim se dhe ky do bëhet një ditë kryeministër. Nuk më gënjen parandjenja mua. I madh je, i madh, po si i thua atij të gjatit: Go scarface, hahaha, i madh je, i madh.

-Bëji të fala shumë. Kemi shumë respekt për të. Unë nuk e njoh nga afër, por babi dhe mami më kanë folur mirë për të. Atëherë kur ishte koha e firmave, babi me mamin ishin tek Vefa, ai tek Cenaj, por shkonin mirë, nuk kishin rivalitet. Dhe babai ka një shije të mirë për të. Nuk na hapi probleme as më pas për lekët, tha. Ai Farudini desh të na merrte diçka, i dhamë një gjë nën dorë dhe rregulluam. Beni s’na kërkoi kurrë asgjë, tha. Kishte shumë respekt.

-Është njeri fisnik, dhe zemërgjerë, i tha Gimi. Unë e njoh prej vitesh. Por do kesh kohë do ta njohësh. Po atë të gjatin e shkatërruam fare. Është tërbuar fare me mua. Dy armiq kam, thotë tani, Gimin dhe Lulin. Po un i jam betuar e nuk i ndahem. Shpreson se do ketë raport të mirë ODIHR. Budalla. Fola me ambasadorin e OSBE. Sapo ishte kthyer nga panairi i birrës në Korçë. E pyeta si do shkojë puna e raportit? Ka për të qenë raporti më i mirë i gjithë kohërave, më tha. Unë nuk kam pirë as në Gjermani birrë të tillë. Ka gojë të liga që më akuzojnë pse shkoj gjithmonë pi birra Korça. Kam shkuar dhe do shkoj për qejfin tim, tha, dhe sa herë të shkoj do bëj raport pozitiv për të. Tani vari trapin, kishte pirë pak dhe nuk po e merrte vesh se ç’raport i thosha unë. Mendoi se i thashë a do bësh raport për birrën.

-Hahaha, është burrë i mirë shumë. Dhe kur vjen tek Luli, flet shumë për birrën, por ka respekt dhe për rakinë dhe qoftet. Luli i ka thënë: Po ka probleme OSBE, më thuaj ta ndihmojmë të rrijë sa më gjatë këtu. Edhe pse ajo ka disa pengesa në statut se duhet të merret me demokracinë dhe lirinë e shtypit, Luli i ka thënë se është mirë të shkruajë dhe për arritjet në bujqësi, blegtori, turizëm dhe sidomos në prodhimin vendas të pijeve alkoolike. Ai na ka dhënë fjalën.

-Është i mrekullueshëm zoti Kunat. Nuk di a e ke njohur nga afër, po është i mrekullueshëm. I thashë një ditë që Edi Ramën do ta shkatërrojmë, se ai ka qëllime të zeza t’i marrë pushtetin Doktorit. U çudit shumë. Mos u thotë gjë Doktori, tha, se ndoshta i duhet i gjallë. Është naiv pak, por shumë burrë i mirë. Mezi e pret këtë javën e dytë të gushtit për këtë panairin e birrës. Po dhe kur të ikësh, i kam thënë do t’i dërgojmë birrat çdo gusht atje ku të jesh. Vetëm kujdes raportin. Na ka dhënë fjalën, ku di unë tani. Njoh dhe atë zëvendësin e tij. Pimë kafe bashkë në Rogner. Vë baste për gara me kuaj shumë. Gjithmonë vë për të dytin dhe fiton. Është i madh shumë.

-Shumë interesant Gimi. Më vjen mirë që folëm dhe ke bërë një artikul të mrekullueshëm. Do flas me Lulin për ndonjë hall që ke se t’i di hallet. Atë borxhet me Qerimin mund të dërgojmë njërin t’i lajë, por duam shifrën tamam se deri tani kemi 6 shifra. Më tha dhe Luli, i thuaj Gimit të na e japë shifrën tamam dhe përfundimtare dhe do bëjmë diçka.

-I madh je. E dija që është zemërgjerë shumë. T’i jep vëllai të gjitha. Nuk janë shumë, por ca paradhënie. Do blinim ca gazeta e revista dhe u kemi marrë të gjithave nga 60 mijë paradhënie, por Qerimi i prishi se WAZ ishte në krizë dhe ai loboi që të kalonte krizën. Po më ndihmuat për këto, mos ça kokë se me atë të gjatin merrem vetë unë. I madh je. Po si i thua ti, go scarface. I madh je, i madh.

 

 

 

2 komente në “Kunati i Lulit falënderon Gimin e Puros për shkrimin kundër Ramës”

  1. Vlora says:

    te gjithe jane te zhgaravitur, por ai pisi i OSBE eshte nje stere e madhe per shqiperine…
    habitem me keta te PS si nuk kerkojne largimin e tij,,,,,,,

  2. kastrioti says:

    Falnderoj gazeten tema per keto satira kaq te goditura,jane nga te paktat gjera qe na kane mbetur e na bejne te veme buzen ne gaz.Megjithse satire ka brenda te pakten 70% te vertet.Bravo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje