Kunati i Lulit mahnitet nga fjalimi i Doktorit në qeveri

3 Gusht 2011, 20:44Antena TEMA
Kunati i Lulit mahnitet nga fjalimi i Doktorit në qeveri

Fjalimi i plotë i Berishës në mbledhje të qeverisë pas rekordit të notit

(Transkriptuar pa censurë)

 

Kopja e vetme e fjalimit të Doktorit në mbledhje të qeverisë i erdhi në e-mail Lulit, dhe Kunati që kontrollon e-mail-in filloi ta lexonte me një frymë. Pas ikjes nga qeveria Luli ka të drejtë të marrë të zbardhura pa censurë gjithë fjalimet me qëllim që të informohet për idetë e Doktorit. Kunati filloi ta lexonte….

“Tani po e bëjmë këtë mbledhje në një kohë kur shumica e shqiptarëve po pushojnë, por siç dihet ne kemi standardet tona, d.m.th standardet e qeverisë së kafshatës dhe zemrës së dhembshur dhe ne nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e pushimeve në këto kohë. Por tani do thoni ju që ka lajme që dhe ne shkojmë në pushime. E vërtetë, por sa i përket atij lajmi (qesh pak nën buzë dhe shikon nga Majlinda), tani ju e dini si është punë e atij lajmi se unë nuk mund të lija Sali Berishën e vitit 2010 kampion. Pse nuk mund ta lija thoni ju, nuk mund ta lija zotërinj se ne jemi një qeveri e progresit, qeveria me rritjen ekonomike më të madhe në botë, qeveria me më shumë investime në botë, qeveria që i ka dhënë botës Tavën e Kosit më të mirë në botë, qeveria që i ka dhënë botës kryebashkiakun më të mirë në botë… (ndalon pak dhe qesh), jo ai i pari, jo, e kishte kot atë titull, ky tjetri, tani ne jemi këta që jemi dhe unë s’mund ta lija Sali Berishën e vitit 2010 kampion ndaj vendosa ta sfidoj, por meqë FMN dhe Banka Botërore ngulin këmbë se rritja jonë ekonomike nuk është aq e madhe sa ne themi, dhe unë u tregova modest dhe e theva vetëm me 5 minuta. Majlinda, dëgjo mua, mund ta thyeja dhe me një orë, deti ishte një qilim fluturues që valëvitej lehtë sa herë unë tentoja të zhytesha poshtë, por polumbarët tanë, që janë të standardeve të NATO, në të vërtetë dëshmuan se qëndrojnë nën ujë 132 minuta, por dhe 180 minuta nëse do të duhej, dhe jam shumë i kënaqur për këtë. Ishin shumë të sjellshëm, edhe pse askush nuk i bezdiste me kamera, ata nuk e nxorën kokën asnjëherë mbi ujë. Gjej rastin këtu të falenderoj zotin Imami për përgatitjen e tyre …

Ndërhyn Nishani

-Janë të forcave speciale ata Doktor, janë tanët.

-Ashtu, aq më mirë atëherë, i falenderoj shumë. Tani të futemi në temë dhe të diskutojmë për disa problematika që na dikton ritmi i lartë i zhvillimit. Siç e dini ka ardhur në Shqipëri një delegacion i nivelit të lartë të Kinës dhe siç e dini Partia Komuniste e Kinës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë dy parti që kanë kontribut historik në vendet e tyre për ndryshimin e vendit. Ne dhe Kina kemi ritëm të lartë të rritjes ekonomike dhe për këtë jemi krenarë. Tani Ministri i Jashtëm do të nënshkruajë disa marrëveshje, por bisedimet kryesore janë përqendruar tek blerja e Telekomit. Do thoni pse duhet të merret më qeveria me shitjen e Telekomit se ajo është private? Jo zotëri nuk është ashtu. Unë kam përgjegjësi për atë kompani dhe u kam thënë që kur ua kam shitur miqve të mi turq se zëre sikur është imja dhe kujdesi im nuk do pushojë asnjë moment. Ndaj unë nuk mund t’i lë ata në telashet që kanë, por do t’i ndihmoj deri në fund. Fola me Ministrin e Jashtëm kinez dhe ai do të bindë qeverinë dhe partinë e tij që qeveria dhe partia jonë ka nevojë që të rishitet Telekomi pasi kemi shumë nevoja. Ju do thoni se ne si qeveri nuk fitojmë gjë, por në fakt unë siç u kam thënë kur ua kam shitur miqve të mi turq, u kam thënë zëre se po e blej vetë, e kam si mallin tim, ndaj mos kini merak, në çdo të mirë dhe të keqe jemi bashkë. Tani Ministri i Jashtëm për ta mbuluar qëllimin e vizitës do të nëshkruajë dhe disa marrëveshje formale me ministri të tjera në rang zëvendësministrash, por gjëja kryesore është shitja e Telekomit. Tani ti Aldo do presësh zëvendësministrin e Kulturës kineze dhe do nënshkruani një traktat bashkëpunimi.

-Por mos duhet ta firmosë zëvendësministri, tha Aldo.

-Tani Aldo ti e di punën e zëvendësministrit. Zëvendësministri o zotëri, se ti s’ke qenë këtu, ke qenë në Qipro, është armik i Kinës se njeh Republikën e Kinës dhe jo Republikën Popullore të Kinës. Tani Republikë e Kinës është Tajvani dhe Nikolla njeh Tajvanin. Kinezët janë shumë të mërzitur me këtë çështje dhe duhet korrigjuar. Kështu që duhet të firmosësh ti në vend të Nikollës dhe duhet të thuash që Nikolla nuk ka të drejtë firme në marrëdhëniet ndërkombëtare si mik i Tajvanit. Po të pyetën pse e mbani në qeveri, thuaj se kemi një plan ta përdorim si agjent në Tajvan dhe të marrim të dhëna pro jush.

-Mirë, tha Aldo, e kuptova, dhe qeshi i lumtur. Kam një pyetje, tha prapë pa filluar Doktori.

-Po, i tha Doktori, fol.

-Po sikur Nikolla mos të dojë të bëhet agjent i Tajvanit, ça të bëj unë…?

-Tani Aldo janë ca gjëra që s’t’i shpjegoj dot menjëherë, por hap pas hapi kur të vijë problemi. Desha ta vazhdoj këtë mbledhje me një temë të rëndësishme lidhur me boronicat. Boronicat zoti Ruli, se andej nga Libohova kam dëgjuar që nuk rriten, janë sekreti i jetëgjatësisë dhe gjyshi im pat thënë se kush rron me boronica, e vë përpara hasmin.

-E kemi dhe ne këtë, tha Ruli, por e kemi ‘kush jeton pa shejtazira e vë përpara hasmin’. Nuk e kemi me boronicë.

-Tani dëgjo mua ti, se nuk tu drejtova kot ty, se ti as boronicën nuk e njeh dhe as nga shejtazirat nuk heq dorë, kështu që zotëri ka mundësi ta kesh më të shkurtër jetën se mandatin në qeveri…

Arben Imami qeshi me të madhe me sy nga Doktori.

-Tani këto çështje kisha unë, tha Doktori, dhe siç e thashë në fillim, qëllimi i kësaj mbledhje është që të tregojmë se ne nuk bëjmë pushime. Jo zotëri, se këta borgjezët e rinj kanë marr rrugët e botës, Hafiz Imam Haxhi Fevziu për shembull ka shkuar në Mekë, Zamiri me Sandrin në ishujt Kanarie, bile dhe Remzi Lani me Ylli Rakipin sillen nëpër kafe në Tiranë dhe thonë kemi marr lejen e zakonshme dhe kemi ardhë në Shqipëri, por askush nga ata nuk ka mundësi të shijojë kënaqësinë e ujit në Dhërmi. Ta dija që uji të jepte aq kënaqësi do kisha shmangur një nga gjërat më të pandreqshme që kam bërë në jetë, faktin që deri në moshën 64 vjeç nuk jam fut asnjëherë në ujë. Por tani do ta kompensoj. Dhe diçka tjetër Majlinda, nuk di a e ke lexuar një shkrimtar të famshëm francez ka qenë dhe Ministër i Jashtëm, e kam mik, nejse, po s’e njeh s’po ta them emrin, ai ka kaluar oqeanin me varkë se mendoi se do vdiste nga tumori, e kaloi dhe kur shpëtoi gjallë shkruajti një libër ku tha se ‘Oqeani ishte një shkretëtirë e shëmtuar’, në fakt në disa faqe të librit thoshte ishte me nder ashtu.. e dini vetë ju, por mua mu duk një qilim valvitës. Ju përshëndes…”

4 komente në “Kunati i Lulit mahnitet nga fjalimi i Doktorit në qeveri”

  1. dymi says:

    Ku ishte kunati ketu? Mero, te lutem, mos e injoro kaq shume. E permend ne titull; edhe nje here shkarazi ne paragrafin e pare dhe pastaj hic fare. Ta dish neser do te te merzitet shume.

  2. gjethi says:

    Bravo Mero qe ne fillimte korrikut Tema e dha lajmin per shitjen e Albtelekomit te huwei kinez.I hape telashe pa fund Sales duke ia nxjerre hesapet e familjes ne pazar. U detyrua drejori kinez per Shqiperine i kesaj firmes te jepte nje interviste sa nje carcaf te gazeta e koco kokedhimes. Intervista ishte doni me per Belulin.Donte te lante mutin e blerjes se Albtelekomit me shurrre te Tualeti Shekullor i Koke-dhi-mes!

  3. eli-Tiv says:

    …tamam antena brenda familjes…na duhet te dime per kryefamljarin…nuk eshte e veshtire te shkruash satire per SB….niveli i tij i komunikimt eshte i nivelit te 8-vjecares ; Me kujtohet disa hartime te nxenesve nga fshati…nje lloj naiviti…qe te vinte per te qeshur…Pyes…pas kaq vjetesh qe SB jeton ne qytet…..Si nuk u ngrit pak..fare pak mbi kete nivel ??? Militantet e PD….ne kete pike nuk e mbulojne dot….

  4. ABESHI says:

    KRYEMINISTRI YNE I NDERUAR NA KA BERE NDER QE PO NA LE NE PUNE DHE TANI NE GUSHT.JA NE KETU HAME QOFTE ME BIRRA PRAPA MINISTRISE.SA KEQ QE TRAJANI ME KA SHKUAR ME LEJE:((

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje