Gimi i Puros viziton i shqetësuar selinë e LSI

13 Gusht 2011, 20:46Antena TEMA
Gimi i Puros viziton i shqetësuar selinë e LSI

Gimi i Puros dje doli nga shtëpia dhe u ndal si zakonisht tek dyqani i purove. Dy vajzat që e panë së largu bënë gati cigaren e tij të zakonshme, por Gimi i çuditi.

-Më jep 4 copë, i tha vajzës që shiste dhe nxori 60 mijë lek të vjetra.

-Paskeni ndonjë festë, i tha vajza kurioze.

-Je vajzë e zgjuar, tha Gimi, por duhet të lexosh dhe gazetat. Besoj e ke parë shkrimin tim të fundit…?

-Ua, tek Paloma nuk kishte gjë, i tha vajza. Si e ke emrin tamam ti, se gazetat ta thonë Gimi i Puros?

-Unë jam Gim Nesho, i tha Gimi i skuqur. Mos lexo ato plehrat, lexo gazetat prej vërteti.

-Ua, Paloma nuk është plehër. Unë e lexoj gjithmonë, tha vajza e mërzitur nga Gimi.

Gimi mori purot, i futi në xhaketë dhe ktheu rrugën për në selinë e LSI. Donte doemos të sqarohej për këtë sherrin Tavo- Vasili, pasi po i krijonte makth. Ia tha dhe Kaçi këtë shqetësim. “Ne po bëhemi gati të hyjmë në LSI, këta po dalin, i tha. Shko shiko njëherë çfarë bëhet”.

Gimi hyri në selinë e LSI dhe në kafe gjeti vetëm Luan Ramën. I tundi kokën dhe e përshëndeti.

-Si je zoti Ministër, i tha.

Luani ktheu kokën majtas- djathtas, pa që nuk kishte njeri tjetër veç tij dhe i tundi kokën.

-Me mua e ke, i tha.

-Po patjetër zoti Ministër, i tha Gimi. I madh je, me mua e ke thotë, po natyrisht me kë ta kem. Ti e di që unë respektoj protokollin se kam qenë ambasador.

-Aha, tha Luani pa shuam humor. Thashë se ishte pas meje Petrit Vasili.

-I madh je, i tha Gimi. Për atë do të pyesja dhe unë. Isha pak dhe me Kaçin dje dhe më tha dil shiko njëherë çfarë po bëjnë ata. Ne po bëhemi gati të hyjmë tek ju, ju ziheni me njëri- tjetrin.

-Është çështje personale, i tha Luani, nuk është parimore.

-Po mirë mo flori, po duhet të përmbaheni tani se ne po luftojmë ta shkatërrojmë Edi Ramën, ju i jepni oksigjen. Dhe kam ca dyshime tek ai Petrit Vasili se ai e ka kushëri Edi Ramën nga Vunoi.

-Nuk ka faj Petriti, i tha Luani, është problem Tavoja.

-Po çfarë ka ai Tavoja. Mua më tha Kaçi që dhe Lëkurësin që donte, ja dhamë. Sa firmosi hipoteka Lëkurësin, filloi sherret ai?

-Do ministër vëlla se dhe ky shefi jonë u premton të gjithëve kur i merr, pastaj shkon bën tipa si Haxhinasia…

-Po pse mo flori, Haxhinasja goxha djalë. Mos dëgjo ata që thonë për atë punën e pordhës se nuk e ka thënë. E kam dëgjuar unë me kujdes, e kam filtruar zërin.

-Ore kush çan kokë a ka thënë atë punën a jo, tha Luani, por është njeri kot, pa kontribute politike. Nuk dua ta krahasoj me veten, por as me një militant të thjeshtë të LSI nuk krahasohet.

-Po mirë mo flori, po duhen zgjidhur me kujdes këto gjëra, se është delikate situata. Se po dolëm në opozitë pastaj, na mori lumi, ngjallet prapë Rama.

-Gimo, kjo punë do një rotacion, dy vjet ata ministra, dy vjet ne. Boll Haxhinasia me Vasilin tani, duhet të futemi dhe unë me Tavon.

-I madh je. Po mirë mo, unë nuk thashë gjë, por vetëm kam hall e përçarjes. Vetëm ajo më tremb. I madh je, bëhem unë thotë në vend të Haxhinases. Po të bëhesh mo flori. Unë nuk është se kam ndonjë interes për Haxhinasen. Falas i kam dhënë këshillat. Dhe nuk është se më ka rregulluar njeri në punë. I madh je. Na ndize një, i tha dhe nxori puron.

-Bjere ta provojmë njëherë, tha Luani, se ndoshta na ecën dhe ne se kemi gjithë jetën që punojmë dhe s’na dalin kurrë lekët për puro. Ti gjithë jetën pallë dhe prapë pi puro.

-I madh je, i tha Gimi duke qeshur. Do iki në Budva këtë fundjavë, se do hedh një dorë, i tha. Po deshe, eja. Fola dhe me Kaçin dhe ma la si amanet këtë punën e sherrit. Ne nuk jemi kundër që ti dhe Tavo të futeni në qeveri, por aman vetëm përçarje të mos ketë se na mori lumi.

-Po jo mo burrë ca përçarje do ketë, por një rotacion duhet të ketë. Më mirë rotacion i brendshëm se i përgjithshëm.

-I madh je. Ke të drejtë. Unë të thashë dhe po u bëre Ministër i Jashtëm ti, unë do vazhdoj falas për ato këshillat, se unë e bëj si profesionist, por puna është të mos ketë përçarje.

-Nuk dua i Jashtëm unë, dua tek Imami i tha Luani. Atë fushë njoh mirë. Unë kam ëndërruar vite të tëra këto ditë kur do nxirrja në privatizim gjithë repartet. Unë i bëra gati, Imami po i gëzon. Dhe turp i madh. Më thanë ka dekoruar dhe Zhulalin vetëm që t’i bëjë qejfin Aldo Bumçit që ta fuste në kryesi. Përfytyro një ish gjeneral i revoltës që trembi Zhulalin dhe e hodhi në det me anije, kthehet ministër në vend të tij dhe e dekoron. Turp i madh.

-I madh je, i tha Gimi. E di, e di, turp i madh është, por aman vetëm përçarje të mos ketë. I madh je.

 

 

 

 

 

3 komente në “Gimi i Puros viziton i shqetësuar selinë e LSI”

  1. 2011 says:

    Sic po duket po vjen era lecke…..hahahahahaha. Kerkojne rrotacion per te vjedhur te gjithe…hahahahaha.

  2. Denisi says:

    Pret Luan Rama qe Meta te shkoje atje ku e meriton ne burg e te behet vete Kryetar i LSI. Mashtrues i madh eshte qerratai me keq se banditi Nano qe e beri lesh e li te majten.

  3. mendim says:

    Shkruani ndonje ilber dhe vleresoni shitjet,se keto nuk vlejne per gazete

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje