Kunati i Lulit rikujton zgjedhjet nga raporti i ODIHR-it

15 Gusht 2011, 21:28Antena TEMA

Kunati ishte i pari që u njoftua për raportin. Luli i dërgoi një sms ku thuhej: “Raporti ka dalë. Më kanë nxirë fare. Ata i ka paguar Rama”. Kunati e njeh mirë këtë stil. Kur Luli është shumë i dëshpëruar, nuk ka guxim as të marrë në telefon, por komunikon me sms. Nuk ka nerva as të diskutojë. Hapi urgjent faqen e ODIHR në internet dhe filloi të lexonte. Fillimi iu duk i mirë. Flitej për zgjedhje transparente dhe konkurrente. Por gëzimi ju shua shpejt kur e kuptoi që bëhej fjalë për zgjedhjet në gjithë Shqipërinë. Pjesa për Tiranën ishte sterrë. Ristanin e shkretë e kishin nxjerrë edhe të paaftë, edhe të njëanshëm dhe budalla. Vendosi ta lexonte pjesën negative dhe të kujtonte skenat se si kishte ndodhur. Filloi të lexonte: “Drafti jozyrtar që u propozua nga kryetari nuk ofronte një bazë të qartë ligjore për veprimet e KQZ, por listonte një seri nenesh, që duket se nuk kanë lidhje direkte me veprimet e KQZ. KQZ nisi të hapë kutitë menjëherë pasi votoi në parim, çka tregon se kutitë e votimit kishin arritur në ambientet e KQZ”.

Kunatit ju kujtua skena. Po, ishte tamam më 17 maj. Pasi kishin sajuar 100 fletë votimi për t’i hedhur në kutitë që ishin duke u numëruar gjoja si vota të hedhura në kutitë e gabuara, kutitë kishin shkuar në KQZ. Kunati u kujtua për një gjë që dhe qeshnin dhe trembeshin ato ditë. Kutitë ku këta kishin futur fletët i çuan drejt e në KQZ pa i kërkuar njeri. Dhe në momentin kur Ristani tha të hapen këto kuti, ato ishin aty dhe nisën të hapeshin. Ishte një anglez aty që pa i çuditur se kur erdhën kutitë, por ata të administratës i thanë s’dimë anglisht dhe nuk e sqaruan. I kujtohej fare mirë kjo skenë, se e mori vetë Luli i nxehur në telefon dhe i tha ‘idiot, pse i kini çuar pa u hapur mbledhja’. Dhe kunati i kish thënë ‘kishim frikë se na ngatërroheshin atje me ato të rregulltat’. Pastaj ju kujtua sikleti i Ristanit. Luli i thoshte Kunatit në telefon që thuaj të bëjë vendim paraprak. Kunati ja thoshte një femre që e përdornin për të qetësuar Ristanin, ajo ja thoshte Ristanit. Ristani tundte gishtin, jo. Pastaj merrte prapë Luli, pastaj Kunati atë femrën, pastaj ajo shkonte tek veshi Ristanit. Ai tundte prapë gishtin. Më në fund u mor vesh pse. Ristani thoshte ‘nuk di ç’të shkruaj tek ky vendimi paraprak, s’kam asnjë bazë ligjore, më thoni ça të shkruaj’. Pastaj Luli mori Doktorin, Doktori mori Bylykbashin, pastaj mori prapë Lulin, pastaj Luli Kunatin dhe ai atë vajzën dhe ajo i tha Ristanit: Thuaj është vendim në parim dhe i zbardhur do bëhet më vonë se do ulet Bylykbashi ta shkruajë. Ashtu u bë. Ristani kishte pirë dhe disa gota uiski dhe e kishte shkelur fare pasi tek vendimi paraprak kishte shkruar gjëra që s’kanë lidhje me KQZ.

-E paskan kapur këta pisat e ODIHR, tha Kunati dhe ju kujtua ai anglezi që rrinte spiunonte aty. Bile në një moment ndodh një skandal. Në një kuti kur doli Luli para, administrata kishte duartrokitur dhe anglezi po mbante shënim… Ishte spiruan ai, e dija, tha me vete.

Vazhdoi të lexonte më poshtë. Në raport thuhet se vendimi përfundimtar i KQZ ishte i ndryshëm nga ai fillestar. “Vendimi përdorte një bazë tjetër ligjore nga ajo e cituar në draft vendimin e 18 majit”.

-E kanë kapur pisat, tha me inat. Në fakt dhe ai Bylykbashi u vonua shumë. Tre ditë për të shkruar një vendim dy faqe. Dhe Doktori kishte faj se ja kishte kthyer 5 herë. Nuk e gjenin dot  si ta formulonin. I kujtohej Ristani që e merrte përmes asaj gocës dhjetë herë dita. E bezdiste. Më groposët fare thoshte. Më premtuat vendimin, s’ma kini shkruar akoma. Kunati i thoshte që kam mbaruar në Hollandë dhe atje s’ka fare ligje për KQZ. Dhe Luli po ashtu. Vetëm ata që kanë mbaru shkollë në Shqipëri kuptojnë nga KQZ, i tha. Ndaj duhet ta bëjë Doktori. I kujtohej mirë kjo skemë. E paskan kapur pisat, tha. Më poshtë kishte dhe atë punën e votave në kuti të gabuara.

“Anëtarët e grupeve të numërimit mesa duket ishin trajnuar për të konsideruar vota të tilla si të pavlefshme dhe duket se votat e hedhura gabim ishin konsideruar të pavlefshme nga ekipet e numërimit në të gjithë vendin, përfshi dhe Tiranën”.

U kujtua dhe për këtë. Bile kishte marrë dhe ca lek për spote për këtë. Po vari trapin kësaj, tha, gjë e lehtë. Bile te njësia 5 kishin dhënë dhe fletë me njolla që të rritej probabiliteti i votave të pavlefshme të Ramës, por nuk u eci. Vari trapin, tha, paskan gjet dhe gjilpërën në kashtë.

Po më e rënda që Luli ishte tronditur ishte goditja që i jepej Kolegjit për vendimin përfundimtar. “Kolegji Zgjedhor la në fuqi vendimin e KQZ për të mos shqyrtuar në thellësi ankesën e PS. Ai vendosi se afati treditor gjatë të cilit subjektet zgjedhore mund të kërkojnë pavlefshmërinë nis kur KQZ shpalli rezultatet më 23 maj me vendimin 711. Megjithatë, vendimi bie në kontradiktë me një vendim të mëparshëm të Kolegjit Zgjedhor për të anuluar vendimin e KQZ numër 711”

-Çfarë pisash, tha. Ju kujtua kjo skemë. Anëtarët e Kolegjit ishin në siklet. Argita thirri Meribanin në zyrë dhe ja kujtoi të gjitha. Lulit i kishte ikur mendja. Ed Halimi u nis në Selanik dhe u takua m Sashenkën dhe atë gruan tjetër. U kopsit puna, por ata nuk merrnin përsipër ta shqyrtonin çështjen pasi po ta shqyrtonin duhet të hapeshin kutitë. Zgjidhja ishte vetëm lënia në fuqi e KQZ. Ishin në tension deri në mesnatë. Akoma nuk kishte dhënë fjalën Meribani. Argita thoshte ‘mua mu duk mirë në zyrë, por nuk më shikonte në sy’. Halimi dërgoi sms: Nga Selanku gjithçka në rregull. Kaparin ja dhashë. Kusurin e keni vetë. Ishim të gjithë në ankth. Filloi mbledhja e KQZ. Ishim në ankth mos kish ndodh ndonjë gjë. E sigurt ishte që socialistët nuk kishin kontaktuar se i kishim ruajtur telefonat e tyre, e-mailet, të afërmit, të gjithë. Bile Kollozi kishte premtuar që ruante 24 orë dhe shtëpinë e Sashenkës. Doli siç pritej. Lanë në fuqi KQZ dhe ikën. Këta pisat e paskan kapur, tha. Ka të drejtë Luli që mërzitet, s’ke ç’i bën, tha.  Vazhdoi mos gjente ndonjë gjë pozitive më poshtë, por ishte zi e më zi. “Por fakti se anëtarët e mazhorancës në KQZ zgjodhën të numërojnë disa (jo të gjitha) votat e hedhura gabim në mënyrë direkte, në një mënyrë jo konsensuale, pasi rezultatet paraprake ishin bërë të ditura, e pa marrë një vendim që mund të ishte sfiduar në Kolegjin Zgjedhor, krijoi perceptimin se ata po vepronin për llogari të mazhorancës në pushtet. Edhe pse disa nga vendimet e KQZ u pranuan pjesërisht nga Kolegji Zgjedhor, veprimet e tij minuan besimin në aftësinë e tij për të funksionuar në mënyrë të pavarur”.

-E paskan nxirë fare, tha. Nuk dinte çfarë t’i thoshte Lulit. Nuk i bëri as telefon. Shkoi në shtëpi, u shtri dhe ndezi televizorin gjithë frikë. Kur ç’të shikonte. Po fliste Doktori. I gëzuar, i qeshur, po vlerësonte raportin.

-Çfarë ka ndodhur, tha. Mos më kanë dhënë raport tjetër mua? Çfarë bën ky? Si gëzohet kështu për sulmin ndaj Lulit? Mos na ka shitur? Mos është mërzitur Gita me Lulin? Ç’bëhet kështu? I tromaksur ngre zërin të dëgjojë çfarë thotë. “Ky raport është objektiv, por edhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme. Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë i vlerësoi zgjedhjet vendore të majit, si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm.”

-Na paska shitur, tha. Pse vallë? Ç’i bëmë ne këtij? Ne akoma s’kemi nisur të qeverisim? Ca ka kërku Zeni do ja bëjmë? Pse po na shet, ç’i kemi bërë? Pyetjet i vinin lëmsh në kokë ndërkohë Doktori lavdëronte akoma raportin. Erdhi tek pjesa e Tiranës dhe vlerësoi dhe vendimet e Gjykatës. “Në raportin e ODHIR, dy vendimet e gjykatave për Tiranën janë cilësuar të drejta,” tha Doktori.

-Si është e mundur, tha me vete. Po raporti e bën copë vendimin… Pastaj u kthjellua. Aha, ai është vendimi i tretë, tha. Por është finali. U kthjellua. Doktori e kishte kapur bukur lojën. Përmendte vetëm gjëra pozitive nga raporti që s’kishin lidhje me Tiranën dhe i quante si pozitive. Shyqyr tha me vete. Thashë se na shiti. Shyqyr, se dhe kjo na duhej. Mirë ODIHR-i që durohet, por po na shiti ky, s’kemi ku mbytemi. Dhe u shtri i qetë në krevat. Ç’na duhet ODIHR ne, tha, kemi Doktorin me vete.

 

2 komente në “Kunati i Lulit rikujton zgjedhjet nga raporti i ODIHR-it”

  1. denny says:

    ODIHR nuk duhet të harronte pa përmendur kronikat e suksesshme pas zgjedhore si zbulimi i tatuazhit qafor të Eliza Dushkut në zyrën e kryetarit të ri.

  2. CFURKU says:

    PO GIMI I GAQKES CFARE KA BERE KETO DITE? THONE SE KA QENE ME AMBASADORIN E OSBE NE KORCE – SE ATJE KA MIQ E MIKESHA – KA EDHE IRFANIN QE JA MBUSH ME PURO BRIMEN.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje