Gimi i Puros u vu dje në alarm. Pa në faqet e shtypit se Presidenti Klinton në forumin që organizon çdo vit paralel me Samitin e OKB, kish takuar dhe kish dalë në fotografi dhe me dy kryeministrat shqiptarë, Berishën dhe Thaçin. I alarmuar deri në fund nga kjo foto, vendosi t’i dërgonte urgjent një e-mail ku të sqaronte keqkuptimet që ka pasur duke cituar vetë Presidentin Klinton në lidhje me Berishën. Hapi bllokun e vjetër të telefonave dhe ju kujtua një shqiptar i një restorant që bënte pica në New York, ai njifte atë shqiptarin që kishte komshi Klintonin. Ja gjeti numrin, u lidh me të urgjent, ja shpjegoi hallin dhe ai i premtoi se po t’ia niste shpejt në e-mail do t’ia çonte në çast presidentit Klinton.
Gimi u ul dhe zuri të shkruajë.
I nderuar zoti President!
Ndoshta nuk ju kujtohem, por unë jam ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, me seli në New York. Jemi takuar dy herë bashkë, një herë kur ka qenë tek Mëngjesi i Lutjeve Presidenti Meidani, dhe një herë tjetër kur ka qenë Presidenti Moisiu. Këta të dy janë ish presidentë të Shqipërisë. Nëse ju kujtohet, kur ju keni qenë president në Shqipëri, ka qenë president i nderuari zoti Sali Berisha. Në vitin 1997 kur ju sapo kishit nisur mandatin e dytë, ju ndoshta e kujtoni se në Shqipëri nisën disa trazira nga disa njerëz që kishin humbur paratë në firmat piramidale. Kishte zëra se thonin që trazirat i organizonte opozita, por tani kur e shikoj me kthjelltësi dhe paanësi mendoj se kanë qenë protesta banale qytetarësh pa integritet moral. Unë e di se ju në atë kohë keni qenë i zënë me çështjen e skandalit që armiqtë tuaj deshën të shpiknin me stazhieren Monika Levinski. Unë e kam ndjekur me interes reagimin tuaj dhe ato që njerëzit i quajnë qëndrime të ashpra tuajat me ish presidentin e nderuar, zotin Berisha. Por disa miq të mi ma kanë shpjeguar se ju nuk kishit asgjë me të, por disa herë nga nervozizmi i skandalit që kishit nëpër këmbë, ndonjë shprehja e jotja nënkuptohej si luftë ndaj Berishës. Për shembull, një herë kur Monika ishte në zyrën tuaj dhe këshilltari Stefanopullos hyri dhe ju ndërpreu bisedën për t’iu shpjeguar se Berisha në Shqipëri po bënte telashe me grekët, dhe se ndihmës/sekretari i Shtetit po priste pas dere tua sqaronte, ju keni thënë i nervozuar ‘ma hiqni qafe atë mos ta shikoj më’. Ju në fakt duhet të keni thënë për ndihmës/sekretarin që ju bezdiste, por ata e morën për Berishën dhe e hoqën nga pushteti. Kështu kjo histori pastaj u komplikua më shumë. Erdhi dhe zonja Ollbrajt në Shqipëri dhe ju rrëfye hapur në Ministri të Jashtme se ç’mendonte për Berishën, por njerëz të papërgjegjshëm ja nxorën në shtyp bisedën.
Dhe unë kisha krijuar keqkuptimin se ju e kishit zotin Berisha një armik. Nga ky keqkuptim që ka pasur, më kujtohet dhe takimi im i fundit me ju në vitin 2005 në OKB, kur ju ishit ish president dhe Berisha ishte rikthyer si kryeministër. Ju më takuat mua me zotin Moisiu dhe më kujtohet kur i thatë ‘a është kthyer prapë ai kafsha?”. Tani që po e mendoj mirë, e kuptoj që ju nuk e kishit fjalën për Berishën, por për Edi Ramën, i cili sapo ishte bërë kryetar i Partisë Socialiste në Shqipëri.
Takimi juaj i djeshëm me kryeministrin Berisha më gëzoi pa masë dhe desha tu shpreh sinqerisht mbështetjen time për këtë gjest. Në shenjë respekti për ju, unë do ta gris nga libri atë faqe ku kam përshkruar deklaratën tuaj fyese aksidentale për Berishën dhe ta korrektoj atë për ta vënë në vend këtë saktësi që rrezikon të shtrembërojë historinë.”
E shkroi emalin, ja nisi atij shqiptarit që ka restorant në Bronx, që njihte atë shqiptarin që ka komshi Klintonin në New York. Restorantaxhiu e mori, e printoi dhe ja dha komshiut të Klintonit. Ky e mori dhe ishte shumë i çuditur nga kërkesa.
-Tani bre unë po ja jap, tha, por mos bëjmë dëm se ndoshta s’e ka kuptu që e ka taku Berishën e kujtohet tash dhe bëhet keq prapë.
-Nuk di bre, një miku im i Shqipnisë kështu më tha, çoja letrën në dorë, tha, se do me i kërku falje Klintonit se nuk e ka ditë që e don Berishën.
-Or ti shoq, për të dashtë s’e don hiç, se e kena komshi e kena folë, por druhem me ja dhonë se kujtohet e i bën një send të keq, e na prish punë. Or ai dreq s’rrin as rehat, mirë Klintonin që e ka taku pa mendje, por i është hedh dhe gruas tij në qafë dhe e ka trembë, e pashë në TV. Ku-ku, kanë me u kujtu dhe kanë me ja ba më zi.
I zoti i restorantit u kthye prapë në Bronx. Mori Gimin e Puros në telefon dhe ja shpjegoi situatën.
-S’mujtëm me ja dhënë, tha, se ai komshiu ka frikë se Klintoni kujtohet dhe i bën noj send të keq, se e paska inat akoma.
-Po ndaj desha t’ia jepte letrën, i tha Gimi. Shko dhe një herë provoje. I thuaj që nuk është ky ai i keqi, është ai tjetri, po e ngatërroni ju se janë të dy të gjatë. I thuaj po ka ndonjë rezervë ta thot për atë tjetrin.
-S’di vallahi, por me e pa si është hedh Hilarisë në qafë, ku-ku, kanë me e akuzua për ngacmim seksual.
me pelqen antena dhe shpresoj qe edhe qeveris shqiptare po i tregon se si nuk po mundet me i mshefe shume gjera qe po behen prapa shpine te shqiptarve
ne fakt ia tha vertet Klintoni Gimit punen e Berishes, kuptohet nuk tha kafsha, por u habit dhe qeshi me ironi per kete budallalek te shqiptareve (rikthimin e Berishes ne pushtet)… ke qene dhe ti o Mero atehere ne NY…