Fahro lavdëron CV e tre ekspertëve të gjyqit të Metës

23 Shtator 2011, 05:26Antena TEMA

 

Fahro dje u pa me një tufë letrash në dorë duke dalë nga vila e Metës tek Gjiri i Lalzit. Sapo ishte ndarë me Metën dhe do takonte një nga gjykatësit. U ulën dhe pa humbur kohë nisi të shpjegojë.

-Po e nis me të parin, tha. Ky është më i miri. Ky me mbiemër Pollo. Tani po të klikosh në QKR del që ka një bar-kafe, po në fakt atë s’e ka gjë. Kam shkuar nja dy herë dhe bëjnë vetëm kafe dhe s’e kanë nga ajo e mira. Por në bar kanë disa pajisje elektronike. Për shembull jam çuditur se si banakieri kishte kompjuter dhe dinte të hapte atë. Unë shkova 60 vjeç dhe akoma nuk e hap vetë kompjuterin. Dhe shkrimet kur bëj i them me gojë dhe i shkruan sekretarja. Kurse ai e kishte shumë modern banakun, e kishte me kompjuter dhe këngët nuk ishin në CD, por në kompjuter. Jam çuditur shumë. U bëra kurioz dhe e pyeta se ku e keni gjetur këtë kompjuter kaq modern që ka dhe këngë, dhe më tha kamerieri e ka bërë pronari jonë, tha, se merr vesh nga kompjuterët. Aty e mora vesh që ishte ekspert i zoti. Ky na duhet, thashë, dhe ja prezantova dhe Metës. Dhe ai ra dakord. Unë them që është më i miri. Lidhjet që ka me Pollon nuk janë shumë të rëndësishme, por zotësia e tij është e dëshmuar. Më gjej mua ti një pronar kafeneje në Tiranë që di t’i lidhë vetë pajisjet elektronike si kompjuterin apo atë muzikën. I vetmi ai është. Ndaj them që me këtë i kemi punët në rregull.

Gjyqtari po e dëgjonte i mahnitur.

-Shiko, tha, se nuk duhet dhe aq i zoti, se po të jetë shumë i zoti, mund të na prishë punë dhe na e nxjerr videon origjinale.

-Jo, jo, mos ki merak, ato ua kemi shkruar ça të thonë, por po të tregoj sa i zoti është.

-Po tjetri, tjetri, pyeti gjyqtari.

-Ah, tjetri është gjirokastrit. Është djalë i mirë nga Dnavati. E ke parasysh është lagjia sipër që është fqinje me Lazaratin. Ai është djalë i mirë. Ka mbaruar për farmaci, por ka qenë i vetmi nga farmacistët që merrte vesh nga kompjuteri. Dhe kur ka hapur farmacinë e parë është i vetmi që ka futur listën e barnave në kompjuter. Shkon ti, i kërkon aspirinë, tak klikon në kompjuter dhe del aspirina ku është dhe ta jep. Është i jashtëzakonshëm. Por jo vetëm kaq. Ka avancuar shumë në fushën e elektronikës. Përveç kompjuterit, ai di të përdorë dhe peshoren elektronike. Është i pari që ka futur peshoren elektronike në farmaci se më parë përdornin nga ato kandarët me majë të hollë që peshojnë miligramët. Ky futi atë peshoren me numra elektronike. Është i jashtëzakonshëm, është gjeni.

-Po ky ka licencë për ekspert informatike?

-Po si mos ka. Po ky di kompjuterin. E kam parë me sytë e mi, e ndez vetë, e hap vetë dhe shkruan vetë. Bile dhe peshoren e përdor vetë, atë peshoren elektronike. Ku ka më të aftë se kaq. Pse ça kujton ti se është ai, amerikani apo ai anglezi që ka marrë prokuroria? Ndonjë kaubojs kot nga ata që pinë birra dhe hedhin një firmë aty se për Shqipëri është? Ky është djalë i përgjegjshëm, i rregullt, patriot. S’ka djalë më të mirë. Dhe e ka ndihmuar shumë sistemin shëndetësor. Petrit Vasili s’e heq nga goja. E do shumë. Na ka shpëtuar, thotë, se na i mban gjithë shënimet në kompjuter dhe nuk na humbasin. Duhet patjetër. Ke për të parë çfarë mjeshtri është.

-Por po të jetë i mirë shumë nuk na duhet, i tha gjykatësi, se na nxjerr videon origjinale…

 

-Po lëre atë muhabet se e kemi shkruar çfarë do thonë, por po të tregoj që të mos kesh kompleks për profesionin e tij.

-Po i treti si është?

-Ah, ky është figurë. Ky na ka shpëtuar se e ka shkruar dhe në QKR që është ekspert. Atij s’kanë ç’i thonë asgjë. I thashë a je regjistruar tek QKL, tek ajo e licencave apo jo? Jo, më tha, se nuk ka nevojë, të gjithë më thërrasin ekspert. S’është nevoja për licencë. Është vlonjat, patriot, i ndershëm, djalë për së mbari. E ke të betuar për ekspertizë. Çfarëdolloj ekspertize t’i japësh, e bën. Për prona, për financa, për kompjuter, për gjithçka. Hipa një ditë në makinë të tij dhe e kishte makinën me ekran përpara si Q7 im, por unë s’di ta përdor, as unë, as shoferi. Ai i dinte të gjitha ato germat që dalin në ekran. Le që të fuste adresën në makinë dhe e gjente vetë makina rrugën. Ishte njësh në informatikë. S’kam pa më të zotin se atë. Fantastik ishte. Ai e qan atë punë. Tani kam dhe unë një hall, i tha Fahro.

-Çfarë ke, fol, i tha gjyqtari.

-Ju do të kërkoni në gjyq të administroni kompjuterin e Priftit. Ai atje ka dhe videon time dhe ca video të tjera. Dua t’i kopjoni t’i kemi se nuk mbaj mend ç’kam thënë dhe dua ta di. Edhe Iliri do të dijë ç’ka thënë ai vartësi i tij pas krahëve. Na duhet ajo prandaj duhet ta bëni këtë kërkesë.

-Patjetër, i tha gjykatësi. Më çlirove nga ankthi me këta ekspertët. Qenkan vërtet të mirë.

6 komente në “Fahro lavdëron CV e tre ekspertëve të gjyqit të Metës”

  1. luli i bashajve says:

    ku mbaron shakaja dhe ku fillon e verteta? identike!

  2. gello says:

    tartabiqi fahro e ka ne thes gjygjtarin e larte bile i tha bëji të fala dhe shpresës nga ana e metës

  3. Frank says:

    E papare ! Sa humor aq edhe e vertete ! Mero, je 1 !

  4. Leone-53 says:

    Je i madh Mero BAZE! Ne emigranteve na e bie cdo dite afer SHQIPERINE “hallemadhe”! Faleminderit! Milano!.

  5. Arberia says:

    Pse merreni me kete mut muti qe e ka emrin qe e ka emrin Fari e shkon dhe me kunaten e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje