Peripecitë e Kunatit të Lulit për vizitën tek Dritëroi

13 Tetor 2011, 21:23Antena TEMA
Peripecitë e Kunatit të Lulit për vizitën tek Dritëroi

Kunati i Lulit dje u ngrit herët. Në fillim thirri motrën e shoferit të motrës që punon tek tatimet për ta pyetur se cilës firmë lulesh t’i merrnin një buqetë lulesh pa lek me 80 lule. Motra e shoferit të motrës, pyeti disa vetë në telefon dhe e siguroi që lulet do ishin gati për një orë. Pastaj i bëri telefon gocës së tezes që punon tek kuadri ta priste urgjent në zyrë.

-Duhet t’i bëjmë një vizitë Dritëro Agollit, i tha. Shiko ndonjë gjë çfarë mund t’i dhurojmë nga Bashkia.

-Ku ka punuar më parë ky burri, pyeti gocë e tezes, që ta shikoj çfarë merita ka?

-Ky s’ka punuar në Bashki i tha Kunati. Më duket se ky është marrë me të shkruara, s’merr vesh nga Bashkia.

-Qyqja, mos është nga këta gazetarët që kanë sharë Lulin, tha gocë e tezes.

-Jo, jo, është Kadareja ai, i tha Kunati. Ky e ka uruar, të korra të mbara. D.m.th bëjmë noj lek.

-Eh, qenka rob zoti ky, tha gocë e tezes duke kërkuar kot nëpër sirtarë mos gjente ndonjë tjetër që ta lidhte Dritëroin me Bashkinë.

-Unë them më mirë vetëm lulet, i tha ajo. Ça ta ngatërrojmë kot me gjëra të tjera.

-Gjeta dhe unë kë të pyes, psherëtiu Kunati.

-E mo dhe ti ç’bën kot, i tha gocë e tezes, pak se po i shkon Luli në shtëpi, po t’i çojë dhe dhuratë. Këtu po lusin njerëzit të paguajnë.

Kunati doli në korridor dhe pa një grua që punonte më parë tek Kuadri që nuk e kishin hequr akoma.

-Më fal, i tha, a mund të më thuash ndonjë ide çfarë libri mund t’i dhurojë Luli Dritëroit?

-Kush jeni ju, e pyeti gruaja.

-Unë jam zoti Kunat, i tha Kunati i Lulit.

-Aha, po. Po Zylon t’i çojë, shumë i mirë është, se ndoshta e ka harruar dhe Dritëroi.

-Si e ka titullin, tha gjithë entuziazëm Kunati.

-‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’, i tha gruaja.

-Po përse flet, përse flet se Luli e do përmbledhjen në një copë letër se e ngatërron?

-Tallet me burokratët, tha, që u servilosen shefave, ka dhe gjëra të tjera të lezetshme. Jam e sigurt që Dritëroit do t’i bëhet qejfi se do ta ketë harruar fare si libër.

Kuanti fluturoi shkallëve dhe thirri shoferin.

-Shko urgjent, tha, më gjej një libër me titull “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

-Patjetër, i tha shoferi dhe iku.

Ndërkohë Luli mbërriti në Bashki. Policia Bashkiake ndërkohë kishte rrethuar shtëpinë e Dritëroit dhe kontrollonte njerëzit që hynin e dilnin në pallat.

Ndërkohë që rojet kishin nxirë rrugicën para pallatit, një grua e vjetër afrohet dhe po shkonte drejt derës.

-Ku shkon, i tha kryepolici i vrenjtur në fytyrë.

-Tek shtëpi e Ismail Kadaresë, i tha gruaja.

-S’e ka shtëpinë këtu Ismail Kadareja, i tha polici, e ka Dritëroi.

-Këtu e ka të keqen, i tha gruaja. Unë jam pastruesja, shkoj ia ajros shtëpinë dhe ia pastroj.

Polici u turbullua dhe mblodhi me urgjencë policët e tjerë.

-Idiotë, u ulëriti. U thashë të ruani shtëpinë e Agollit, keni rrethuar të Kadaresë. Keni dash me bë incident, me e çu Lulin në shtëpi të armikut. Policët filluan të flasin në radio dhe nuk lëvizën nga vendi.

-Këtu e ka shef, i thanë. E paskan të dy në një vend, por duhet me bë kujdes mos i ngatërrojnë derën kur të ngjitet shefi.

Polici pa një njeri që lyente këpucët para pallatit dhe e thirri.

-Eja këtu, sa vjet ke që lyen këpucë këtu, i tha.

-30 vjet, i tha lustraxhiu.

-Si ja bënin njerëzit kur shkonin për Dritëroi dhe tek Ismaili, si e kuptoje ti për shembull?

-Ça me të thonë shefo. Kur vinte ndonjë me ndonjë mish, peshk apo raki e dishim të gjithë që shkonte tek Dritëroi, kur vinte ndonjë me noj libër a fletore me vjersha shkojte tek Ismaili. Po janë harru zakonet. S’kam pa njeri gjallë me çanta më.

Kryepolici e ndërpreu bisedën. Mori urgjent Kunatin në telefon.

-E gjeta, tha. Duhet me ble patjetër ndonjë gjë ushqimore, o raki, o mish, o peshk.

-Po ne kemi ble një libër, i tha Kunati, kemi ble një libër me titull “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

-Më ka thënë lustraxhiu me libra kanë pas shku tek Ismaili, me çanta kanë pas shku tek Dritëroi. Ndërroje të lutem se mos kena noj incident.

 

 

 

8 komente në “Peripecitë e Kunatit të Lulit për vizitën tek Dritëroi”

  1. Neorealizmi says:

    Brilante. Nga me te mirat tek Antena.

    1. Vlora says:

      SHUM HERE….BRAVO ANTENA…..JENI NJESHA

  2. +10 says:

    Gjigante. Bravo Antena.

  3. keni says:

    si i japin skenarin antenes keta te marre per cdo dite ketu tregohen gjera shume te verteta se si kjo sot me shokun zylo kjo e sodit qenka brilante

  4. ivani i madh says:

    Edhe artikulli edhe libri i tij i pershtatet per veprimet e bera se fundi bravo Mero qe je i pa haritshem qe i kap ne cast njgjarjet aktuale.

  5. majaeverest says:

    Sa i mire qenka bere babaxhani Dritero per larot e PD-se! Po si ka mundesi, xhanem? C’te kete ndodhur qe qenkan bere kaq bujare e te sjellshem me nje komunist te PS-se? Cfare xhevahiri ka nxjerre nga goja Driteroi qe i paska ngazellyer keto kodoshet e PD-se?! Nuk qenka pucist ky, si ish-nenkryetari i PD-se?

  6. Leka says:

    Pershendetje Mero, per penelin, qe na e jep Agollin ashtu sic e ka bere nena,pa kollaren, pa kostumin allafrenga dhe pa bibelinat poshte tij.

  7. agim fortiqi says:

    Kjo qenka me e bukura e deritanishme e “antenes”! Ky pushtet blika kedo! Driteroin psh, ndonese u shit mjaft kollaj i ziu! Dhe per cfare?! Per nje vazhdimesi panairi. C’te beka femija, s’te beka Perendia! Dhe per cudi, tani nuk me duken me visare llafet qe flet Driteroi. Sepse ato dalin nga goja e nje njeriu te zakonshem, qe njihka friken e pushtetit deri ne palce.
    I dhente zoti edhe 100 vite te tjera, por c’trimeri duhet te kerkojme nga nje njeriu te thjeshte, kur ky “trim mbi trima”, i imunizuar ne cdo regjim, me shume se kushdo, eshte kthyer ne doreputhes. Dhe puth jo nje dore dosido, por nje dore te lyer me gjak.
    Mbete i vetem, o i madhi Lasgush! Edhe per nga madheshtia e vepres, edhe nga antikonformizmi yt i pashoq!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje