Andrea Stramaçioni është trajneri i të ardhmes te Inter, por jo i të ardhmes së afërt. Presidenti i zikaltërve po lëviz që të gjejë sa më shpejt një lider të ri për skuadrën, një trajner në gjendje të rindërtojë skuadrën nga e para dhe të ndjekë një projekt afatgjatë.
Karakteristikat çojnë të gjitha drejt trajnerit aktual të Italisë, Çezare Prandeli, për të cilin Masimo Morati ka një vlerësim maksimal. Tekniku i Italisë ka një kontratë deri në vitin 2014 me përfaqësuesen italiane, po do të merret në konsideratë dëshira e tij pas Euro 2012, edhe në varësi të rezultatit të arritur në këtë turne.
Në ndeshjen Fiorentina-Inter, ka patur kontaktin e radhës mes klubit dhe trajnerit, i cili ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur këtë takim. Ndonëse drejtori sportiv Marko Branka, e refuzoi zhvillimin e një takimi, mediat italiane raportojnë se bisedimet janë që tani në një fazë të avancuar.
Përflitet që janë hedhur në letër detajet e para të një projekti, ashtu si edhe plani i një kontratë trevjeçare nga e cila Prandeli do të fitojë 4 milionë euro në vit, shumë më tepër se sa merr tani nga kombëtarja italiane.
Në favor të Interit vijnë edhe problemet që ka shfaqur përfaqësuesja italiane gjatë kohëve të fundit, ku klubet kanë refuzuar që të japin lojtarët për seanca të veçanta stërvitore. Kjo, bashkë me dëshirën e trajnerit për të punuar çdo ditë, mund të ndihmojnë zikaltërit që të marrin një “po” nga Prandeli menjëherë pas përfundimit të Evropianit. Përsa i përket Stramaçionit, ai e ka të ardhmen të sigurt, te të rinjtë ose pjesëtar i stafit i trajnerit të ri, kushdo qoftë ai.
Vete Prandeli i ka pergenjshtruar keto zera. Asgje nuk dihet, perpara Prandelit kane qarkulluar edhe emrat e Villas Boas, Blanc, Bielsa dhe Zenges.