Duhej të ishte një formalitet dhe ashtu ka ndodhur. Antonio Konte, njeriu që riktheu Juventusin tek titulli kampion, ka zgjatur edhe për tre vjet të tjera kontratën me bardhezinjtë. Kështu, ai do të jetë në krye të Juventusit deri në vitin 2015.
Përveç rinovimit të kontratës, Antonio Kontes i është dyfishuar edhe paga. Kështu, ai tashmë do të paguhet 3 milionë euro në sezon, duke u bërë kështu trajneri më i paguar në Itali.
Konte është konsideruar si blerja më e rëndësishme e Juventusit, duke qenë se arriti që pas vitesh të tëra mungese, të rikthejë bardhezinjtë në majën e futbollit italian, ndërkohë që këtë gjë pretendon ta bëjë edhe në Europë.
Së fundmi ai është përfolur se ka pasur dijeni mbi disa ndeshje të trukuara nga ana e ish ekipit të vet Siena, gjë që e ka mohuar kategorikisht si Konte, ashtu edhe Juventusi. Dhe, rinovimi tregon se Juventusi beson tek pafajësia e teknikut të vet, që ishte përfolur, por pa bazë, se mund t’i lëshonte vendin Fabio Kapelos.