Blank: Francë-Angli, jo vetëm ndeshje futbolli

10 Qershor 2012, 18:59Sport TEMA

Trajneri i Francës, Loran Blank, ka shfaqur kujdes para ndeshjes së përfaqësueses së tij kundër Anglisë. Tekniku francez është i ndërgjegjshëm se Anglia është një rival i fortë, pavarësisht mungesave të rëndësishme që ka për shkak dëmtimesh apo pezullimesh.

“Ata nuk kanë forcën e tyre të plotë, por ajo që më shqetëson më shumë është mënyra se si do të luajnë. Do të na duhet të jemi jashtëzakonisht shumë të fortë fizikisht ndaj tyre. Ndaj besoj se kjo do të jetë një ndeshje e vështirë. Anglia do të japë gjithçka në këtë sfidë, pasi kur francezët vihen përballë anglezëve, loja kapërcen kufirin e një ndeshje ndërkombëtare. Por ne nuk i trembemi atyre më shumë se çdo skuadre tjetër”, tha trajneri i përfaqësueses që vjen në turne me serinë e 21 rezultateve pozitive radhazi, ku 15 prej tyre janë fitore.

Ndërsa një nga yjet e kësaj kombëtareje, sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, mendon se ky është momenti i duhur për t’u përballur me anglezët që kanë shumë mungesa.

“Po e jetojmë këtë Evropian ditë pas dite. Tani objektivi ynë i vetëm është të mundim Anglinë pasi mes pezullimit të Runit dhe mungesave të Lampard, Kahill e Berri, na jepet një shans shumë i madh për të fituar. Ata do të mundohen të bëjnë një ndeshje fizike, por ne jemi më të aftë teknikisht dhe do të bëjmë maksimumin tonë për të fituar”, tha Benzema.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje