Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë intensifikuar përpjekjet për të rifilluar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka paralajmëruar takime me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë në takimin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, transmeton KTV njoftimin. Ashton ka thënë se do t’i takojë Thaçin dhe Nikolicin, por nuk dihet nëse takimi do të jetë i përbashkët.
Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara fillojnë më 18 shtator. Zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiç ka thënë për mediet serbe se temë e diskutimit do të jetë vazhdimi i dialogut mes të dyja shteteve. “Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton do të bisedojë me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic dhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në New York”, ka thënë Kocijançiç.