Ashton i bashkon Thaçin e Nikoliçin

14 Shtator 2012, 11:30Rajoni TEMA

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë nisur përpjekjet intensive për të përshpejtuar rinisjen e dialogut Kosovë- Serbi. Shefja për Politikë të Jashtme dhe për Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka paralajmëruar një takim ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Tomislav Nikoliç, në Nju-Jork në fund të këtij muaji, të cilëve do t’u bëjë presion për vazhdimin e dialogut.

Takimi i Ashton me liderët e dy shteteve do realizohet gjtë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do të mbahet në Nju Jork në fund të këtij muaji. Kështu ka thënë në një prononcim për “Zëri”, Maja Kocijançiç, zëdhënësja e baroneshës Ashton.

“Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, do t’i takojë ndaras kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe presidentin serb, Tomislav Nikoliç. Ajo do t’i takojë ata gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në fund të këtij muaji në Nju Jork, dhe temë e diskutimit me ta do të jetë vazhdimi i dialogut”, ka thënë ajo.

Lidhur me deklaratat e fundit nëpër media se dialogun e ardhshëm do ta ndërmjetësojë Catherine Ashton me sekretaren e Shteteve të Bashkuara, Hillary Klinton, Kocijançiç nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar.

“Dialogu është mbajtur gjithmonë nën përkujdesjen e përfaqësueses së lartë të Evropës, Catherine Ashton. Ajo është shumë e angazhuar personalisht”, tha ajo, pa hyrë në detaje tjera.

Lidhur me temat e radhës që do të dialogohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kocijancic tha se modalitetet janë ende duke u diskutuar dhe se duhet të pritet deri në fund të konsultimeve për të parë kur dhe si do të zhvillohet dialogu i radhës./ZERI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje