Serbët nga veriu paralajmërojnë protesta kundër hapjes së tri “pilot kalimeve” në kufirin Kosovë – Serbi, shkruan sot gazeta e Beogradit “Veçernje Novosti”.
“Pilot-kalimet” do të vendosen në Jarinë, Konçull dhe në Merdar.
Për liderët serbë të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potok dhe Leposaviqit, zbatimi i marrëveshjes së arritur ndërmjet Borko Stefanoviç e Edita Tahirit, të cilën e kanë pranuar Ivica Daçic e Hashim Thaçi, është vendosje e kufijve shtetërorë ndërmjet Serbisë e Kosovës.
Dejan Paviçevic, shef i ekipit negociator serb ka thënë për “Novosti” se komunikon çdo ditë me përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe se megjithatë shpreson në ujdi në mënyrë që marrëveshja të implementohet.
“I kuptoj krejtësisht bashkëkombësit nga Kosova sepse ata shqetësohen për jetën e vet. Por nuk i kuptoj politikanët nga Beogradi të cilët pohojnë se në këtë mënyrë njihet Kosova. Serbia kurrë nuk do të pranonte të vërë kufi shtetëror me Kosovën. Sipas kësaj logjike të mbrapshtë, atëherë këtë kufi e kemi që nga viti 1999. tani vetëm në këto kalime, në vend se dy do të kemi një punkt në të cilët krahas serbëve e shqiptarëve, do të jetë edhe EULEX-i”, ka thënë ai .
Dobrosav Dobriç, i ashtuquajturi zëvendëskryetar i komunës së Zveçani pohon se nuk do të lejohet vëna e kufirit dhe se pilot-projekti në Jarinë do të dështojë. Ai nuk e përjashton as vënien e barrikadave.
“Të katër komunat janë krejtësisht unike. Do të kundërshtojmë vënien e kufirit të cilin as nazistë nuk kanë mundur ta vendosin në vitin. Kërkojmë bisedë me kryetarin e me kryeministrin. Është më mirë të na thonë se nuk na dëshirojnë në Serbi se sa të flasin se janë kundër pavarësisë dhe se e gjithë kjo bëhet për të mirën tonë”, thekson ai.