Diskursi politik-mediatik për pro-sllavizmin apo pro-greqizmin, pro-amerikanizmin apo thënë ndryshe, të qenit në shërbim të agjenturave të huaja të politikanëve shqiptarë, është një hamendësim, i cili edhe pse i afërmëndsh, mbetet i pavërtetueshëm përtej çdo dyshimi, të paktën deri në një momentin kur shërbimi hipotetik që ata ofrojnë është i parrezikshëm për interesat e atyrë që mund ti kenë rekrutuar. Dhe rrallë për të mos thënë kurrën e kurrës, ky informacion arrin të shoh dritën e deklasifikimit.
Berisha pro-sllav, Nano pro-grek, x pro-gjerman, apo y pro-italian, etj, etj, ka kohë që qarkullojnë si legjenda urbane shqiptare. Lidhjet mbesin të shkurtra në mungesë provash autentike, por një gjë mbetet e lexueshme; pasojat e veprimeve të tyre në të mirë të interesave të vendit apo në kundërshtim me to.
Që ka një shtim të interesave dhe pranisë së subjekteve serbe në Shqipëri pas ardhjes së Berishës në pushtet pas rënies si president dhe ringritjes si kryeministër, kjo është e dukshme. Që ka pasur një futje të ndjeshme të bizneseve greke në kohën e Nanos, edhe ajo ishte po aq e dukshme.
Që ka një shtim të pranisë turke në ekonominë shqiptare më shumë në vitet e fundit se sa më parë edhe kjo është lehtësisht e prekshme.
Që amerikanët bëjnë si të duan me politikanët shqiptarë dhe këta të fundit “heqin edhe brekët” përpara ambasadorëve amerikanë, ca me dëshirën dhe zellin e tyre, e ca të thirrur për të raportuar, siç dëshmuan edhe kabllogramet e Wikileaks, ky është një sekret publik tashmë.
E tërë kjo mund edhe të argumentohet si një rastësi apo produkt i rrethanave dhe situatave politike apo edhe ekonomike, apo edhe i partneritetit në demokraci me aleatët tanë të rinj, në periudha të ndryshme kohore të avancimit të Shqipërisë drejt kapitalizmit.
Kjo jo domosdoshmërisht mund të jetë nënprodukt i drejtpërdrejtë i lidhjeve apo rekrutimeve të tyre gjatë komunizmit apo më shumë pas rënies së tij.
Por që shërbimet e huaja inteligjente kanë interesa rekrutimi në Shqipëri, si në çdo vend të botës, kjo nuk mund të trajtohet më si teori boshe konspiracioni.
Që ata kanë krijuar dhe krijojnë rrjetet e tyre të influencës dhe kontrollit për interesat e vendeve të tyre specifikisht në Shqipëri, më shumë sesa për interesa në nivel dhe për qëllime më të gjera sesa të vendeve të tyre respektive, vetëm naivët mund të mos e besojnë.
Por ajo që është më shqetësuese në rastin e Shqipërisë dhe jo vetëm, por në një rrafsh pan-shqiptar, është cënueshmëria dhe të qenit të pambrojtur dhe të imunizuar të politikanëve shqiptarë nga penetrimi dhe aftësitë rekrutuese të shërbimeve të huaja të inteligjencës.
Si mund të jenë të imunizuar dhe të sigurt, politikanët shqiptar në veçanti, por çdo element me interes, kur telefonia dhe tërë kompanitë e shërbimeve celulare apo edhe shërbimeve të telefonisë tokësore janë të gjitha në pronësi apo administrim të të huajve.
Si mund të jenë të imunizuara komunikimet e tyre qoftë zanore apo mesazhet elektronike, apo e-mail-et që shkëmbejnë, kur të gjitha kalojnë nominalisht përmes Athinës apo Stambollit, p.sh.
Kjo është e frikshme për sigurinë kombëtare, pasi çdo informacion apo e dhënë, është lehtësisht e deshifruar, çdo lëvizje e lexuar, dhe tërë komunikimi zyrtar apo personal i dekonspiruar, ku çdo interes zyrtar shqiptar qofte edhe i administruar privatisht, është një hap apo lëvizje mbrapa.
Nuk po flas për interceptimet e shërbimeve të tjera të inteligjencës që përdorin teknologjinë elektronike më të sofistikuar të kohës, apo edhe metodat sa klasike aq edhe ato më elegante dhe të përpunuara të ditës.
Cënueshmëria dhe zbulueshmëria e politikanëve shqiptar realizohet mbi të gjitha edhe përmes korrupsionit të tyre dhe identifikimit të tij nga këto shërbime, të cilat vetëkuptueshmërisht e kanë më të lehtë, nëse përbëjnë objekt interesi, vënien në shërbim të tyre.
Transfertat e parave dhe depozitimet e tyre në banka të huaja në Shqipëri ose jo, apo edhe ato offshore, doemos që i ekspozojnë ata ndaj praktikave rekrutuese e cila më pas, parimisht përkthehet potencialisht edhe në vendimmarrje dhe dirigjim sipas udhëzimeve nga qendra të caktuara.
Vërtetë kohët kanë ndryshuar dhe imazhi i dikurshëm i spiunazhit mund të mos jetë identik me format moderne të funksionimit të këtij aktiviteti, por interesat për influencë politike nuk kanë ndryshuar, aq më pak ato të karakterit ekonomik dhe industrial, pa folur për shërbimet e vendeve fqinje historikisht armiqësore.
Sot mundësitë e rekrutimit janë shumë më të lehta dhe të shumëllojshme sesa dikur, në shoqërinë e izoluar dhe hermetike shqiptare.
Me politikanë dhe shtetarë të korruptuar, dhe njerëz që duan të mbrojnë privilegjet dhe përfitimet e paligjshme të depozituara jashtë vendit, thyerja e tyre dhe vënia e tyre në shërbim të të tjerëve, për shkak të ngrënies dikur të një luge çorbë të prishur, që parimisht i ekspozon ata drejt vjelljes tërë jetën.
Nëse kjo ndodh realisht apo gjithçka ndodh në Shqipëri në një pjesë të konsiderueshme është pasojë e kësaj cënueshmërie, kjo mbetet vështirësisht e paprovueshme me fakte, por shumë sjellje të dyshimta politike në Shqipërinë e dy dekadave të fundit, me pasoja afatgjata, dyshimshëm çojnë ujë në këtë hulli argumentimi, aspak reminishencë konspirative.
Edhe pse me tone te zbutura analiza Juaj eshte e sakte.Interesat e fqinjeve nuk jane shuar e sdo te shuhen asnjehere ndaj vendit e kombit tone.Edhe nese nje dite marrin fund padrejtesite e bera ndaj nesh ata serisht do perpiqen dhe do arrijne te zoterojne ekonomine,financen,nderlidhjen,pasi kombi yne e ka shume te te zhvilluar se fqinjet genin e tradhetise.
Po ti zoti manaj agjent i filipinasve je???
Luli te fala Nga Aleksander kondo …
S na the gje te re o Mane.
Te gjith shqiptart,I madh e I vogel,gra e Burra,te gjith hjekin brekt ke I huji.