Nga forumi në forum,, nga debati në debat, nga salloni televiziv në faqe gazetash letër apo të dixhitalizuara, është shumë e vështirë ta marrësh seriozisht dhe të meditosh në mënyrë kritike mbi diskursin politik. Në këto 22 vjet pseudo-demokraci, pseudo-politikanë të kalibrit të Berisha&Co e kanë zhytur politikën në llumin e shpifjes, intrigës dhe dhunës dialektikale. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Të mendosh kështu do të thotë të jesh naiv.
Kjo ka ndodhur me qëllimin e përjashtimit të individit, si person fizik dhe si burim mendimi dhe veprimi epiqendër të drejtash dhe lirish që përbëjnë thelbin e demokracisë, nga ajo hapësirë që është dimensioni kolektiv dhe social i qënies njerëzore. Politika është një instrument, njeriu është qënie politike dhe maskarai është thjesht maskara.
Individi shqiptar nuk merret me politikë, ai dhunohet ditën për diell nga aksioni i egosit të verbuar të një grupi njerëzish me ambicie dhe prirje provincialistësh, të cilët e shohin pushtetin si të vetmen mënyrë për t’u “hakmarrë” për atë çka ata në psiken e tyre të sëmurë quajnë padrejtësi. E keqja që na lëndon sot , i ka rrënjët larg në kohë, aty ku u ngjiz e u formua kjo kastë “intelektualësh” që aq bukur përfaqësohen sot në shëmbëlltyrën berishiane.
Neoliberalizmi kitsch është flamuri i qerres të kapitalizmit shqiptar, i cili, edhe pse nuk është akoma një Levjatan por, si përbindësh në embrion, i tillë pa dyshim do të bëhet një ditë, i ka deklaruar luftë të hapur të drejtave dhe lirive të individit. Asnjë dimension social nuk ka dhe nuk mund të gjesh në qeverisjen shqiptare të këtyre viteve të fundit. Individi është i përjashtuar nga politika si diskurs dhe po ashtu dhe nga politika si vendimmarrje dhe hartim strategjish mbi të ardhmen tonë si shoqëri.
Ekonomia shqiptare flet gjuhën e përfitimit sot për sot dhe të përqendrimit të të ardhurave në pak duar. Korrupsioni është çelësi i suksesit të sipërmarrjes shqiptares, sipërmarrje e cila nuk ka asnjë dimension social dhe asnjë benefit nuk po i sjell shoqërisë shqiptare.
Privatizimet e egra të burimeve natyrore, të gjitha në falimentim e sipër, bëjnë të mundur dhe përjashtimin final të individit nga dimension i pjesëmarrjes. Nëse demokracia ka nevojë për prezencën aktive të aktorit më të domosdoshëm për funksionimin e saj, siç është dhe qytetari (cilësi e shtetasit përtej lokalizimit të tij territorial), nuk kuptohet zvogëlimi, asgjesimi i publikes në emër të luftës ndaj korrupsionit (sipas teorisë të lashtë “të zotit vetëm ia ndjen për bahçen e vet”, ndaj e ne bëjmë zot të bahçes tahmaqarë e grykësa me zell e dell dhespotësh orientalë).
Ne. si shoqëri, kemi nevojë të ndërgjegjësohemi mbi mundësitë dhe aftësitë tona për të bashkëjetuar , ndërkohë në emrin tonë dhe për më tepër me një legjitimitet kallp, Doktori vjen e na thotë që nuk dimë ç’është bashkëpunimi, menaxhimi për të mirën e përbashkët të publikes, dhe … Dhe ia shet bahçen tonë rastësisht ndonjë klienti të qeverisë së tij.
Por nuk mjaftohet me kaq! Në defterin e “privatizimeve” të neoliberalizmit kitsch vijnë në radhë pas arsimit e burimeve natyrore, administrata publike mbushur me militantë dhe drejtësia, si sistem i përbërë nga gjykatat dhe prokuroria. Frerët e këtij sistemi dykrerësh i mbajnë duar besnikësh të udhëheqësit dhe kjo është arsyeja pse drejtësia jonë është tashmë një kullesë nga e cila kalojnë të gjithë: qeveritarë të korruptuar në praktikat e lëshimit të koncesioneve, kriminelë me dengje dollarësh dhe eurosh, dhe përbindësha si Prrenjasi e të tjerë, të cilët na lëndojnë aty ku na dhemb më shumë, tek fëmijët tanë, e ardhmja jonë e mishëruar në mish e gjak, mishi dhe gjaku ynë.
Kur prekemi në mishin dhe gjakun tonë, zgjohemi dhe hapim sytë. Të paktën kështu duhet të ndodhë por nuk po ndodhë. Turma është e egërsuar! Turma do kurban! Dënim me vdekje, të varet maskarai. Të shumtë janë ata që po t’u jepej mundësia do ta mbytnin me gurë përbindëshin në shesh përpara syve të frikësuar të fëmijëve tanë. Policia jo! Policia ka gjetur mënyrë të lukrojë dhe në mesin e makabritetit më të madh. Policia bën video, me regjisurë dhe skenar të improvizuar po ashtu si dhe shumë prej atyre personave që veshin uniformën apo zënë kolltuqe të lëkurta të Policisë së Shtetit, dhe më pas ia shet atë për dy pare gazetarëve, të improvizuar dhe këta në shumicën e rasteve.
Por dhimbja, dhimbja duhet të na zgjojë vërtetë. Të jesh zgjuar do të thotë ta shohësh të vërtetën me sytë e dritës dhe të ndriçohesh prej saj. Të zgjohesh do të thotë ta kapësh realitetin në tërësinë e tij. Realiteti nuk njeh dhoma vilash, apartamentesh, guvash ku t’i fshihesh e të mbrohesh prej tij. Realiteti është një dhe gjithçka është e lidhur në mënyrë të atillë sa dhe po ia mbathe dhe ik, prapë gjëma e tij pas do të të ndjekë.
Vjedhja e fondeve të rrugëve të lëna gërmadhë, kromi i vjedhur në minierat e Bulqizës ku baballarë vdesin si të ish mesjetë, Gërdeci dhe pafytyrësia e drejtësisë të munguar për 30 viktimat që shteti shkaktoi atje, gjithçka është e lidhur dhe po ta ndjekim fillin ka gjasa të na çojë tek ajo derë e hekurt e asaj shtëpie në Laprakë, ku u dhunua pafajësia e fëmijërisë për t’iu marr më pas jeta.
Nuk ka shpëtim nga situata ku ndodhemi si shoqëri po nuk u zgjuam vërtetë. Politika na përket, politika është instrument dhe ne duhet të kërkojmë nga ajo një vizion koherent dhe të shëndetshëm të shoqërisë dhe të së ardhmes tonë. Nuk ka shpëtim aty ku dështakët e politikës vazhdojnë e mbajnë pushtet me dhunë e legjitimitet kallp.
KONKLUZION:
Nje popull qe ha dhe fle,eshte i vdekur para kohe.Ky eshte populi i skiptareve.Qeverite e tij kane bere dhe bejne c’u thote BYTHA.
Shkrim i mire….
Specifikisht shume e goditur pjesa:
“….individi shqiptar nuk merret me politikë, ai dhunohet ditën për diell nga aksioni i egosit të verbuar të një grupi njerëzish me ambicie dhe prirje provincialistësh, të cilët e shohin pushtetin si të vetmen mënyrë për t’u “hakmarrë” për atë çka ata në psiken e tyre të sëmurë quajnë padrejtësi. “
Ky eshte thelbi i ceshtjes, kjo eshte e verteta e hidhur. Ca monstra te frustruar e me komplekse kerkojne te na thithin cdo gje te mire e te bukur, per tu hakmarre per ate qe s’jane, s’kane qene e s’do te jene : NJEREZ.
O njerez, mos i lini monstrat te na vrasin jeten tone. Tani eshte ceshtja sy per sy, dhemb per dhemb.
Shkrim i mire, me pelqeu.
Me koncept dhe gjykim te drejte.
Jane prekur te gjitha shkallet e krimit kombetar qe po ben pushteti i sotem, dhe nevoja urgjente e ndergjegjesimit qe duhet te bejme si popull per te ndalur doren kriminale te shtetit.
Ky po qe eshte shkrim per tu respektuar sepse merret direkt me shkakun e problemit dhe jo me esera per viktima dhe pedofile.