Vota e 16-vjeçarëve, realitet i kohës apo show politik?!

15 Mars 2013, 18:54Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Herë pas here kryeministri Berisha hedh në mbledhjet e qeverisë a gjetkë ndonjë iniciativë me të cilën nis e diskuton i gjithë publiku, pavarësisht peshës apo seriozitetit që ajo mbart. Edhe kur janë gjëra të cilat duan kohën e tyre për t’u zbatuar, ai sërish i shpalos ato. Por, duke qenë se kemi të bëjmë jo me qytetar të thjesht, por bash me të parin e ekzekutivit, s’mund të hiqemi sikur duam t’i injorojmë. Ato kanë një këndvështrim të caktuar pse bëhen: ose për të tërhequr vëmendjen nga çështje shumë të rëndësishme të ditës, ose për ta vënë në vështirësi palën kundërshtare kundrejt një grupi ta caktuar shoqëror.

E tillë është edhe iniciativa e ndërmarrë për të bërë të mundur që edhe shtetasit 16- 17 vjeçarë të kenë të njëjtat të drejta si bashkëmoshatarët e tyre pak më të rritur 18 vjeçar. Nuk po i hyj diskutimit që kjo moshë ëshë shumë herë më e lehtë për t’u trysnuar kur bëhet fjalë që në këmbim të një favori në shkollë t’i japë votën partisë në pushtet. Dihet se në këtë moshë je veçse në vit të parë gjimnaz dhe përvoja e deritanishme na ka treguar se presionit politik s’i kanë bërë dot ballë as prindërit e tyre.

Megjithatë unë po e heq si argument këtë aspekt që mund të jetë edhe paragjykues. Po kështu po heq edhe pengesën që vjen nga Kushtetuta, e cila s’mund të ndryshohet 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe ku mosha e lejuar për votim është sanksionuar ajo 18 vjeç.

Legjislacioni shqiptar ka parashikuar që çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç konsiderohet madhor, pra me zotësi të plotë juridike për të kuptuar e vepruar. Në këtë kuptim, ulja e moshës për të votuar s’mund të përfundojë vetëm duke ndryshuar nenin 45 të Kushtetutës.

Që të quhet paketë e plotë, ajo duhet pasuar me ndryshimin e nenit 51 të Kodit Penal, i cili favorizon të miturit që s’kanë mbushur moshën 18 vjeç duke i dënuar ata me gjysmën e dënimit të parashikuar për veprat penale. Në këtë kuptim, mosha favorizuese duhet ulur deri në 16 vjeç, meqenëse shtetasi 16 vjeç e lart tashmë duhen konsideruar si madhor.

Gjithashtu, duhet ndryshuar neni 99 i Kodit të Punës, i cili parashikon që grupmosha minorene 16- 18 vjeç mund të punësohet vetëm në punë të lehta, që nuk dëmtojnë shëndetin dhe formimin e tyre. Edhe këtu mosha duhet ulur deri në 16 vjeç dhe mbi këtë moshë, si madhor që je, mund të punosh në çdo front punë, përfshirë edhe në minierë.

Me propozimin e fundit, 16 vjeçarët po trajtohen si madhorë vetëm kur bëhet fjalë për të dhënë votën dhe, si minorenë kur bëjnë krime apo kur u duhet të bëjnë punë të vështira. Nëse duam të jemi seriozë, ata duhet trajtuar si madhorë në të gjitha aspektet dhe të marrin përgjegjësi jo thjesht vetëm për votën. Përndryshe, s’kemi bërë gjë tjetër veçse jemi tallur me ta.

3 komente në “Vota e 16-vjeçarëve, realitet i kohës apo show politik?!”

  1. ILIRET says:

    Po ligji i gjendjes civile? Martesa lejohet te lidhet, si per djalin dhe per vajzen kur mbushin moshen 18 vjec. Kete kryeministri nuk e dinte. Jo vetem ai, por dhe shume te tjere nuk e dine. Ne kohen e Enverit femra lejohej te martohej 16 vjec. Tani u ndryshua. U be 18.

  2. As says:

    BEHET QE BEHET PROPOZIMI PER ULJEN E MOSHES, LE TE BEHET PER 14 VJEC DHE JEMI ME RREGULL.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje