Monstra aksidentale?

18 Mars 2013, 20:26Blog TEMA

Nga Magdalena Ramohito

 

“Të rrisësh një fëmijë

duhet gjithë fshati”

Afrikane

 

Ka disa ditë që mediat po buçasin rreth ngjarjes së Njeriut Monstër, i cili në mënyrë krejt të papritur u shfaq në sytë tanë dhe drejtësia e papërgatitur po përpiqet të shohë dosjen “Mbi një ngjarje të ngjashme më parë”.

Dje gjithë ditën, sa herë hapnim televizionin, të tëra kanalet flisnin për Njeriun Monstër, që për mua interesantja ishte jo “vepra” e tij, sepse ato janë të ngjashme për të gjitha këto lloj speciesh, por fakti që ai punonte si lulishtar në Bashkinë e Tiranës.

Jo, mos prisni që të filloj të akuzoj Departamentet e Burimeve Njerëzore për mënyrën si i rekrutojnë njerëzit në punë, si p.sh, dalja e aplikantit përpara një komisioni mjekoligjor për të dëshmuar në lidhje me aftësinë mentale të personit edhe pse vendi i punës nuk kërkon në fakt një nivel të caktuar intelekti, por nëse kthehemi në të shkuarën tonë, (për të mos u krahasuar me Anglinë fjala vjen), një person që do të punonte në lulishten e qytetit, të paktën pak vite përpara ’90 duhej të kishte kryer shkollën e mesme të profilit agrar.

Përveç kësaj është kontradiktore në vetvete që një person që gjithë ditën merret me lule, të cilat përpos faktit që janë çlodhëse sa i përket estetikës (po në këtë rast nuk vlen) ato janë e vetmja qenie që nuk të bezdis kur punon me to, p.sh: nuk të kundërshtojnë në mënyrë që të të sjellin në një gjendje të tillë emocionale që diku tjetër të shpërthesh, madje nga psikologët njerëzve u këshillohet të merren me lule o me kafshë shtëpiake, ndërsa lindja dhe rritja e një fëmije është edhe më efektive, madje kjo e fundit e bën njeriun të jetojë më shumë se një jetë, sepse shndërrohet në qenie të lartë dhe ekzistenca e qenieve të larta është edhe qëllimi i jetës njerëzore. Për mirërritjen e fëmijëve ka literatura pa fund dhe diskutimi mbi të është ende i hapur, por mbi të gjitha teoria e të qëndruarit të nënës pranë tij në tre vjetët e parë të lindjes është imperativ. Në këtë shoqërinë tonë në tranzicion diskutimi “Mbi mirërritjen e fëmijës” thuajse nuk ka nisur ende, ndërsa politikat shtetërore janë tepër larg.

Ndërsa në të shkuarën Enver Hoxha dilte shumë rrallë në kontakt me popullin, një rast më ka mbetur në mendje ndoshta s’gaboj po në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër. Ai përpara një shtëpie ndali disa minuta dhe tha: “Lindni fëmijë, mbushini oborret se socializmi do t’i rrisë”, ndërsa një oborr mund të mbushej me fëmijë por, banesat ishin tepër të vogla për t’i kthyer në një ‘siguri bebi’, në mënyrë që rritja e tyre të ishte e pa frustruar nga mënyra e fjetjes të gjithë bashkë me prindërit duke mbrujtur në ta frikën ndaj Babait dhe më vonë frikën ndaj shtetit.

Përpara disa ditësh Kryeministri ynë, i cili na mbin në TV çdo ditë, iu drejtua grave në ditën e 8 majit: “Mos pranoni të bëheni shtëpiake, por gra karriere”, ndërsa nuk u premtoi që shtëpia e tyre të kthehet në një ‘siguri bebi’ dhe gjithashtu vendi i punës të mos jetë një kërcënim për to duke trazuar qetësinë e shpirtrave te vogla të bebeve.

Shpesh dëgjon prindër që ankohen se nuk ka ambiente për të luajtur fëmijët e tyre dhe rrallë diskutohet për tipat e lodrave që duhet të përdorin, apo për sasinë e kohë që duhet të shpenzojnë me lojën, apo shokët dhe shoqet që duhet të zgjedhin për të luajtur, apo ndonjëherë të mund të shkojnë tek gjyshërit (në fund javë) për të dëgjuar përrallën e kësulëkuqes fjala bie.. Gjithmonë e më tepër gratë e reja duket sikur tentojnë t’i largohen traditës, kur për bebin përkujdesej shumë gjyshja, pasi shoqërizimin në kopshte e konsiderojnë si të domosdoshëm ose kjo gjë është bërë si modë, por shpesh shoh nëpër bare nëna me bebe në karrocë në një mjedis të mbushur me nikotinë, në ndonjë rast tymos edhe mami me babin…

Ndërsa shëtitjet me karrocë në kodrat e liqenit më pëlqejnë kur i shoh, por nuk jam në gjendje të them nga anon balanca, për këto gjëra duhet të ketë studime nga Organizatat Jofitimprurëse për t’i bërë prezent pranë qeverisë, parlamentit me qëllim përmirësimin sa të jetë e mundur të Qëllimit më të lartë në jetë: mirërritjes së fëmijës.

Nuk mund të rri pa përmendur një eksperiencë gjermane (dakord nuk jemi si ata) shumë e thjeshtë në drejtim të formimit të botëkuptimit për jetën të fëmijëve të vegjël, por edhe për t’i lidhur brezat për të trashëguar traditat. Ministria përkatëse zhvillon politika të tilla që fëmija të shkojë në fundjavë tek gjyshja dhe në rastet kur palët e bëjnë këtë gjë me kënaqësi ai bëhet shembull ka edhe stimuj, por ka raste që gjyshërit paguhen nga shteti (honorar) për të qëndruar me nipat e mbesat në fundjavë.

Kush fillon të shkruajë diçka për rritjen e fëmijës nuk ka si të mos i kujtohet shprehja afrikane që e kam vendosur në krye të shkrimit tim.

Po policia jonë në mbrojtje të jetës e të shëndetit mendor të fëmijëve çfarë planesh ka? Ndoshta i ka të shkruara nëpër strategji, por ato nuk janë bërë publike. Si ka mundësi, më tha një mikja ime, një shtet që ka të skeduar gjithë militantët e simpatizantët opozitarë, nuk ka të skeduar njerëz me precedentë të tillë të rrezikshëm për fëmijët?

Është në të vërtetë turp për Ministrinë e Drejtësisë që tani u kujtua të rishikojë Dosjen e Përrenjasit.

Por është fakt i dhimbshëm që në një emision që i dedikohet njerëzve që mungojnë midis tyre ka plot fëmijë, për të cilët familjarët enden nëpër botë për të gjetur gjurmët e tyre.

Prandaj përpara se tu bëjë thirrje nënave të heqin dorë nga të qenit shtëpiake, apo të mbushin oborret me fëmijë, një Lider duhet përpiqet së paku tu krijojë kushtet të mirërritjes.

E sheh zoti Kryeministër sa e vështirë është të qeverisësh një vend kaq të vogël, kur në krye të rrugëtimit tënd nuk vendos parimet, të cilat të çojnë në mënyrë të natyrshme gjithmonë lart ashtu siç thuren gërshetat, ndërsa ato metodat dytësore të rrugës së shkurtër të detyrojnë që me zor të ecësh duke u kapur sa në një fije kashtë e sa në një degë të shqyer derisa përfundon teposhte si hinka.

2 komente në “Monstra aksidentale?”

  1. alma says:

    nje shkrim shume i ndjere, si gjithmone. jam shume dakort me zonjen Ramohito, ky kryeminister shkaterroi femijet e vet jo me te shqiptareve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje