Të vuajturit e mëdhenj të vegjël!

19 Mars 2013, 18:32Blog TEMA

Nga Ilir Metaj

Sigurisht maniakun pedofil nuk do ta dënojnë “me vdekje” sepse nuk e lejon Kushtetuta.

Ajo që besoj se do të ndodhë është dënimi “me burgim të përjetshëm”. Ajo që uroj të ndodhë më pas, është që çdo ditë të jetës së tij në burg të kaloje makthin më të madh të botës; çdo ditë, çdo i burgosur ta bëjë të vuajë atë që ka vuajtur vogëlushi, që mund të kishte qenë fëmija i secilit. Çdo ditë, çdo natë, çdo orë të përpëlitet mes vuajtjes e dhimbjeve të përdhunimit e duke pështyrë gjak, t’i lutet Zotit për një vdekje të shpejtë!

Ajo që do të duhet të ndodhte patjetër është edhe që brenda atij burgu, të tregohet i njëjti kujdes për gjykatësit që e lanë të lirë dhe që e çmuan rrezikun që i kanosej çdo fëmije sa një gjobë-parkimi në vendin e gabuar.

Por ky urim kurrë nuk mund të më plotësohet dot, e di! Sepse të vuash çfarë ka vuajtur fëmija duhet të kesh botën e dëlirë të asaj fëmije brenda. Duhet të kesh edhe botën e madhe të dashurisë së nënës së tij. Monstra dhe gjykatësi nuk kanë atë botë brenda! Ata kanë brenda vetes skëterrën, mortjen, paranë që blen gjithçka. Ndaj monstra nuk mund të vuajë kurrë sa ai fëmijë dhe ajo nënë. Ndaj urrejtja jone ndaj tyre mbetet e pashuar, e pashpërblyer kurrë. Nuk ka hakmarrje të mjaftueshme për ta!

Në një vend të rraskapitur si ky yni, për të gjetur se kush vuan më shumë ka shumë konkurrencë: të moshuarit e braktisur, mësuesit e papaguar, policët e keqpërdorur, të shtruarit në spitalet publike si të pasluftës… Radha është e gjatë, por përgjigja e paekuivok: të vuajturit e mëdhenj të shoqërisë sonë janë fëmijët e vegjël. Po, po fëmijët!

Fëmijët e këtij vendi përçudnohen çdo ditë nga ne të rriturit!

Ne i ushtrojmë të përkulen!

I sheh çdo ditë në mëngjes, rreth orës 7.30 tek shkojnë në shkollë. Nxënës apo ushtare?! Mbi shpinë një çantë e stër-rëndë si çantë ushtari; 30 kg për kurrizin e tyre ende të njomë! 30 kg dije, sepse tenderi i librave kërkon shumë kilogram…

Një komb që përkul fëmijët nuk mund ta drejtojë kurrë shtatin!

Ne i mësojmë të ëndërrojnë… partinë!

Vërtet nuk i vëmë të shkruajnë parulla me zaje nëpër faqe mali, por mjafton të futesh në ambientet e brendshme të shkollave për të parë se shumica e tyre kanë “Këndin e nderit”. Është një faqe muri me fotot e nxënësve “të dalluar” në vite që më pas janë bërë dikushi. Shkrimtarë, artistë, shkencëtarë? Jo, jo, dikushi thashë! Krenaria e shkollës janë të gjithë deputetë, ish- deputetë, ministra, kryetarë partie, drejtorë drejtorish… (rigorozisht të asaj në pushtet). Mund të kenë qenë nxënës të dobët, ose edhe qullashët nga ata që nuk kishin as shokë e shoqe, por ç’rëndësi ka! Janë pikërisht këta, që drejtoresha injorante-militante e shkollës u servir fëmijëve si shembull  për t’u ndjekur në jetë! Dhe ne e pranojmë në heshtje!

Ne i ushtrojmë të përdoren pa revoltë!

“Hajde shpejt, shpejt! Vendosuni në 4 rreshta për 8! Ti i gjati, mbaje këtë tabelën në dorë lart, ti me fjongo blu mbaji këto lulet në dorë! Hajde të gjithë të qeshur e të gëzuar! Ti aty, mos më kruaj hundën, po mendjen këtu se t’i skuqa veshët! Nuk kemi shumë kohë se janë duke ardhur! Kur të ngre unë dorën lart, do brohorasim së bashku: “Ne jemi ndryshimi! Përpara!” Kur ta ul unë dorën, do pushoni! Dëgjuat? Shpejt të bëjmë një prove tani!”

Ne u rrezikojmë jetën!

Duke lënë të na gjykojnë pa kundërshtim gjykatës-monstra që thyejnë çdo filiz të së drejtës në këtë vend.

Por sot është dita të kundërshtojme fort, sepse këta gjykatës guxuan të thyejnë edhe filizin më të shtrenjtë e më të shenjtë për të gjithë ne: fëmijën tonë, shpresën se një ditë do bëhet me mirë për ta! Të vuajturit e mëdhenj të vegjël!

9 komente në “Të vuajturit e mëdhenj të vegjël!”

  1. Pedofili me i Madh Shqiptar i te gjitha Koherave says:

    Fytyra e vertete e Pedofileve Shqiptare dhe Pedofili me i Madh Shqiptar i te gjitha Koherave
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/ne-pritje-me-padurim-per-pjesmarrjen-e.html

  2. SONJA says:

    Ilir te lexoj kur shkruan dhe mendoj se je nga4-5 penat me te mira te Temes ? Urime.

  3. tila says:

    shume i ashper shkrimi por shume i drejte. Ka ardhur koha te veprohet me ashpersi dhe drejtesi. Nuk mund te durohet me. Varferi, frike, arrogance dhe me e keqja kur i sheh mbi kurrizin e femijeve tane te pafajshem. Ky shtet eshte per turp.

  4. Tomi says:

    Ilir je nga Vlora ne mos gaboj…Dukesh edhe nga shkrimi ;).Ashpersi qe duhet ne keto kohe miku im.

  5. Mehmet D. says:

    rreptesi dhe ironi. shkrim tieter mjaft i mir nga ty ilir.

  6. Ladi says:

    Shume shume i ndjere dhe i vertete shkrimi. Akuza se fajtoret jemi pikerisht ne, e shpjeguar ne menyre elegante nga autori.., duhet te na vere ne mendime qe; 23 Qershori te jete edhe dita e tyre e fundit dhe ora e fundit e kesaj mbreterie te krimit dhe banalitetit..

  7. albana hodaj says:

    “Nje komb qe perkul femijet, nuk mund ta drejtoje kurre shtetin!”
    Te lumte!

  8. ola says:

    Fatkeqesi per ty o femije i gjore qe t’u desh te lindje ne kete vend. Fatkeqesi per ty o shoqeri qe s’ke me ndergjegje qytetare,qe me kete akt barbar qe te degjuan veshet do shkallmoje cdo dere gjykate, prokurorie e policie, por pranove heshtjen. Rane te gjitha, rane diten me diell, u njollosen nga gjaku i nje femije. Ty shtet s’te ve faj, e di pse? Sepse ti thjesht nuk je, ske qene kurre. Ty, nenes se atij engjelli skam force te te them ki force, por burrit tend, atit te atij engjelli i them kije forcen dhe vije drejtesine sepse je ne nje institucion kyc per te survejuar te dyshuarit qe vjedhin ne autobuza, jo me ata qe lajne bodrumet me gjakun e femijes tend. Ty, “gjakatare”ne postin e gjyqtares te them qe ndjej meshire qe cdo qelize e jotja eshte kalbezuar nga ca para qe sakrifikojne jeten e nje femije. Uroj qe shpirti i engjellit qe ne nuk ditem ta mbronim, te fluturoje larg, shume larg prej ketej per te harruar ato qe ne te gjithe i shkaktuam. Uroj qe parajsa te te jap femijerine qe ne te mohuam. Na fal te gjitheve, kam bindje qe do na falesh sepse ti nuk je si ne, ti je ENGJELL! Pergezime autorit per shkrimin, pergezime Temes per artikullin!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje