Kuvendi burlesk në seancën e jashtëzakonshme për Egin Cekën

27 Prill 2013, 17:14Blog TEMA

Nga Skënder Buçpapaj

Kuvendi aktual i Republikës së Shqipërisë, në seancën plenare të së enjtes në mbrëmje, u bë arenë e një burlesku të zi dhe e një eulogjie të panatyrshme për fjalorin e kryeministrit Sali Berisha, të pakohshme për shkak të kontekstit të afruar zgjedhor, të parakohshme ndaj Egin Cekës, një diplomati ende në fillimet e karrierës dhe tejet të paskohshme sa dhe të pavend ndaj prejardhjes së tij Ceka-Luarasi-Nikolla.

E vë në dijeni lexuesin se diplomati “i fisëm” Egin Ceka aktualisht vijon mandatin e tij në misionin e Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së në Vjenë, pasi ka mbaruar një mandat të plotë të mëparshëm në ambasadën e Republikës së Shqipërisë po në Vjenë. Egin Ceka është i biri i Neritan Cekës, aktualisht ambasador i Republikës së Shqipërisë në Romë, parandej shef i kabinetit të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha.

Ndërsa i përqasuri i Eginit është “i pafismi” Jan Jani, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë, i propozuar nga Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, i cili dha dorëheqjen para pak ditësh, në shenjë solidariteti me kolegun e tij të larguar me vendimin e Kuvendit.

“Nuk kemi mbajtur ndonjëherë zi politike, por dhjetë herë më erdhi mendja të ngrihesha në këmbë, për një minutë, për vdekje politike për Jani Janin.” Kështu tha, ndër të tjera, Sali Berisha. Për të qenë besnik në sjelljen e saj këtu, thënien e kam marrë drejtpërdrejt në gazetën Rilindja Demokratike, organin zyrtar të Partisë Demokratike.

Kjo thënie bën pjesë në burleskën e luajtur në sallën e Kuvendit, kur kryeministri ia evokoi Eginit të parët dhe të mbramët, shtrirë kohësisht në tre shekujt e fundit. Si drushtë virtuale, pra, shërbeu trungu, degët dhe rremat e lisit të gjakut dhe të tamlit të Eginit.

Nga pikëpamja kompozicionale, ajo paraprihet dhe vijohet në selitë partiake, zyrat shtetërore, studiot mediatike. Munxën lajmdhënëse, në mënyrën sensacionalisht të paralajmëruar, e dha kryehere Edith Harxhi, zëvendësministre e Jashtme, për çudi, pa e larguar asnjë çast nga fytyra buzëqeshjen.

Në mënyrën më engjëllore, ky Egin Ceka, paska marrë pjesë në takimin e zhvilluar nga kryetari i opozitës Edi Rama në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Dlirësisht ia paska bërë të mikpriturit të Akademisë pyetjen e pafajshme se pse nuk paska Rama besim që diplomatë si Ceka nuk i trajtuakan dhe numëruakan pastërtisht votat e diasporës më 23 qershor.

Midis engjëllit të zi, merret vesh kush është, dhe engjëllit të bardhë, edhe ky merret vesh kush është, qenka shpalosur një roman i tërë, i shtjelluar në dramë, krejt si në penën e Truman Kapotit. Miniatura të këtij romani, pra kryeradhë e pjesë të tij, u gogësitën bujshëm në sallën e Kuvendit, për t’u dhënë në perspektiva më të plota e më frymëzuese në mediat qeveritare.

Në asnjë qëndrim zyrtar të Ministrisë së Jashtme apo institucioneve të tjera të regjimit nuk pashë të sqarohet nëse diplomati kishte shkuar privatisht, në kohën e tij të lirë dhe me inciativën e tij vetjake apo kishte shkuar atje me lejen, dijeninë, pëlqimin, rekomandimin apo urdhërin e Ministrisë së Jashtme, më lart se Ministrisë së Jashtme apo thjesht me lejen e ambasadorit, pra titullarit të përfaqësisë sonë pranë OSBE-së në Vjenë.

Këtu, në të vërtetë, zë fill gjithçka. Nëse diplomati lejohet të marrë pjesë në një veprimtari në një vend të huaj, çfarëdo qoftë ajo, edhe një manifestim kulturor apo sportiv le të jetë, atëherë ai përfaqëson dinjitetin e shtetit përkatës dhe kurrsesi nuk mund ta tejkalojë këtë autorizim, kurrsesi, për hir a për hatër të askujt, nuk mund të dalë nga petku i diplomati për të vepruar në petkun e partiakut a çfarëdo petku tjetër. Në qofte se është lehtësisht i tundueshëm, si puna e Eginit, në asnjë mënyrë diplomati nuk lejohet të marrë pjesë në veprimtari delikate si ajo ku në qendër është kryeopozitari, alternativa kryesore për kryeministër të ardhshëm të Shqipërisë.

Versioni i Partisë Socialiste për të njëjtin subjekt është krejt i ndryshëm nga ai i Partisë Demokratike, Ministrisë së Jashtme dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Sipas këtij versioni, i vetmi fakt që i qëndron së vërtetës është se Edi Rama u prit në Vjenë me nderimet që i bëhen një kryeministri në ardhje.

Në rrethana të tilla, asnjë gjykim objektiv, nuk i merr parasysh dot asnjërën nga versionet. I vetmi version i besueshëm do të ishte ai që do të shërbehej nga Vjena zyrtare.

Romanin e Vjenës e bën më shumëplanësh një kryeqytet i tretë. Nga Roma, ku ndodhet, Neritan Ceka, i cili i ka mbushur plot 72 vjet më 11 shkurt, i ka drejtuar një letër të hapur ‘mikut të vjetër’ Edi Rama. Ia kujtojmë lexuesit se gjininë e letrave të hapura kryeministri e ka shumë zët historikisht, që nga koha e letrave të hapura të Enver Hoxhës.Konvaleshenti plak e firmos letrën e hapur si qytetar shqiptar në Romë. Jo se e ka dhënë dorëheqjen nga posti i ambasadorit, por ngaqë mendon se mund ta zhveshë atë cilësi që ka dhe ta ndërrojë me çfarëdo cilësie t’ia ketë qejfi, kur ai të dojë dhe si ai të dojë. Burleskë të cilën plakut të Romës mund t’ia kishte zili edhe vetë Dita Von Teese.

Neritani bën shumë llogje. Por qëllimi kryesor i letrës është që t’i japë udhë juridike procesit hetimor në drejtimin që ai do. Ai i drejtohet Ramës si qytetar nga Roma, ashtu si Ramës, gjoja, iu drejtua i biri, pra si qytetar nga Vjena. Duket qartë se qytetari nga Roma, me emrin Neritan Ceka, bashkëmendon e bashkëvepron me qytetarin nga Vjena, Egin Ceka. Dhe ua injekton këtë bashkëmendim e bashkëveprim qytetarëve të Tiranës në kreun e Ministrisë së Jashtme apo të qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Edhe në qoftë se Egini ka shkuar si qytetar tek Edi, ai ishte i detyruar të respektonte cilësinë e diplomatit. Në qoftë se të njëjtën gjë do t’ia kërkonte ai partnerit në komunikim.

Teksti i Neritanit i publikuar një ditë më vonë në media duket qartë se ka shërbyer si tekst i eulogjisë së kryeministrit për Eginin një ditë më parë. Nuk është e thënë që kryeministri ta ketë përsëritur dot përmendsh.

Hileja e plakut të Romës, nuk përfundon këtu. Në letrën e tij letrareske, të hapur, ai ia bën biografinë të birit, çka ka domethënien se, kur të vijë Rama në pushtet, nuk bën ta largojë Eginin nga detyra, natyrisht, as babain e Eginit, mikun e vjetër të Ramës, me aq shumë kujtime të ëmbla dhe të trëndafilta të së shkuarës.

Ceka plak nuk ka turp t’ia kujtojë Edit Gramo Ruçin, me të cilin, ai, Neritan Ceka, ka bërë kauzë të hapur që nga koha e mocionizmit të tij, sidomos gjatë zhvillimeve të vitit 1997 e post 1997.

Megjithatë hileja e tij kryesore është që ta bëjë fakt të kryer akuzën zyrtare të ngritur ndaj Edi Ramës nga qeveria.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në sallën e Kuvendit, ceku imunitetin e diplomatit Egin Ceka. Kjo e bën absolutisht delikate në tërësinë e tij objektin e një hetimi nga ana e një komisioni hetimor të ngritur nga Kuvendi, tashmë në ikje, i Republikës së Shqipërisë. Ky komision do të pësonte fiaskon më të bujshme, të pakrasueshme me asnjë nga fiaskot e panumërta të komisioneve hetimore të ngritur nga shumica aktuale.

Objekt kryesor i këtij hetimi do të ishte pikësëpari e deri pikësëfundi sistemi i Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë, gjithë komunikimi i tij lidhur me rastin. Dhe nëse ai ishte shtrirë përtej këtij sistemi, hetimi do të merrte përmasa shumëfish më të ndërlikuara se kaq.

Rrjedhimisht, hetimi do të ishte i mundur në rrethana krejtësisht të tjera nga këto në të cilat ka ndodhur çka ka ndodhur në Vjenë.

Koha e lejon, rrethanat e lejojnë vetëm një gjë: Partia Demokratike dhe regjimi aktual i Tiranës të mësohen dhe të pajtohen për ta gëlltitur sa më natyrshëm faktin se kreu i opozitës mund të ketë vizita apo turné vizitash të natyrës njohëse në kryeqytetet e vendeve mike dhe partnere. Folkloristika si kjo pas takimeve të Vjenës mund të shndërrohen në kapital për kundërshtarin dhe në bumerang për kurdisësin.

Kryeministri përmendi në sallën e Kuvendit paprekshmërinë e diplomatit. Nuk do harruar, pra, për asnjë çast edhe pacënueshmërinë e kryetarit të opozitës. Nuk do harruar se edhe kryetari i opozitës lëviz me pasaportë diplomati. Vetë kryeministri tha se kryetari i opozitës ka status ministri.

Me burleskun e zi të fundit në sallën e Kuvendit, shumica aktuale tregoi se i ka humbur nervat dhe nuk është në gjendje t’ia sigurojë Republikës së Shqipërisë një rrotacion normal.

Ish Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, pra, gjithnjë e më shumë kutërbon nëpërmjet ekraneve të vogla erë të gubët të padurueshme, çka e bën të pashmangshëm çrrënjosjen sa më të plotë të konfiguracionit dhe përbërjes aktuale të institucionit.

9 komente në “Kuvendi burlesk në seancën e jashtëzakonshme për Egin Cekën”

  1. dorjeta says:

    Kuvendi eshte shnderruar ne teatrin e marjonetave te saliut dhe ka humbur cdo funksion legjitim qe ne momentin qe nje grua burre si jozefina behet protagonistja e shfaqjes. Kuvendi shqiptar vetem vend miratimi ligjesh nuk eshte, eshte vend diskutimi i kesaj qeverie te deshtuar qe tallet me fatet e shqiptareve dhe nuk mjaftohet me rrenimet qe ka 8 vite qe i ben.

    1. z.Skënder Buçpapaj vertete nje djal i ekuilibruar i Tropojes dhe nje njeri i letersise dhe gazetarise te nivelit te respektuar.
      Me artkullin e mesiperm i ke bere nje skaner total bashkepatriotit tend Topojan, ndoshta pjella me e keqe dhe me perverse e Veriut dhe e Tropojes ne qindvjecaret e fundit, super-vrastar e super-hajdut e super-pecares te shqipetareve ne Shqiperi dhe neper Ballkan.
      Ju z.Skënder Buçpapaj e njihni mjafte mire Doktorin prej Tropoje dhe dhender te Serbise, mjekun e Hysni Kapos dhe Klinikes se Bllokut te PPSH, Sekretari i PPSH i Mjekesise Shqipetare ne kohen e Enver Hoxhes qe ka bere namin (deri dhe bashkepuntorin e Sigurimit te Shtetit me tre pseudonime cdo 10-vjet) ne fakultetin e Mjekesise dhe ne Spitalin Qendror te Tiranes.
      Prandaj me te drejte ju i jeni larguar “Kopes” apo “Bandave” me mercenare dhe paramilitare nga vise te Tropojes qe i sherbejne atije dhe femijeve te tij; ne vrasje dhe vjedhje keto 23-vite qe ai ka hyre ne Politike me urdher e orientim te Ramiz Alise & Nexhmije Hoxhes + Bllokut te PPSH + Sigurimit te Shtetit + Sherbimit Sekret Serb UDB.
      Shqipetaret e gjore te rene perseri nen nje rregjim tip tjeter Diktatorial te Sali Berishes me kompani biologjike dhe kompani politike-krahinore-policore-mediatike si Jozefina+Olldashi+Bode+Imami +Mediu+Idrizi+Ndoka+Ristani+Kulicaj+Brecani+Balliu+Frangaj+Fevziu+Cili+e shume e shume te tjere qe kurre nuk jane shumica derrmuese e popullit shqipetare qe dukshem eshte anti-Berishe, anti neo-Diktature pamvasisht emrit te Partise pushtet qe eshte Partia Demokratike, sepse ne fakt dhe Amerikanet e Britaniket prej kohesh e sidomos se fundi jane ne DEFINICIONIN final te: Shporrjes me cdo mjet e cmim te kesaj te keqje te madhe post-komuniste e mbajtur deri me sot ne Pushtet nga mbeturinat e PPSH dhe Sigurimit te Shtetit.
      Faleminderit z.Skënder Buçpapaj per shkrimet e fundit dhe presim edhe me shume edhe me fort nga pena jote.

  2. behar says:

    nuk e kam idene se si eshte e mundur qe Saliu i ka dhene kaq shume prioritete nje familjeje- babait(nje “prostitute politike”-here majtas dhe here djathtas) dhe “kamikazit” te ri-Enginit,per te cilin une qytetari me i thjeshte i Republikes se Shqiperise paguaj gjithe ato para(taksa). Duhet ta dije i biri i te vjetrit se mbaroi koha e dinastive. Kushdo qe e ka derguar atje,duhet t’i kete thene se nuk njihet me emrin e tij,por te Shqiperise. Ndjese paste ne ambjentet e ferrit “Esat Toptani”

  3. sadiku says:

    Parlamenti yne ne asnji minute nuk ka luajtur rolin per te cilin eshte formuar.Ai i ka ngjare konferencave qe mbaheshin ne kohen e diktatures ku ministrat ishin presidiumi i konferences,qe flisnin sa here te donin ,K/ministri flet pa pushim dhe ne fakt drejton dhe ofendon deputetet ne parlament ashtu simbas edukates dhe kultures qe ka marre ne VICIDOL.Jozefina eshte DEKORI i Parlamentit dhe aspak drejtuese e tije.
    ASAJ i pelqen vehtja dhe ata qe i bejne eliozhe.
    KETU MUNGON SHTETI, MUNGON QEVERIA,KETU KA VETEM LUFTE ARMIQESORE PER OPOZITEN SI KA MUNDESI!!! DERI KUR???

  4. pelivan says:

    Te lumt z.Skender!Analiza juaj,(per mua), eshte e mencur,ka llogjiken e nje intelektuali te mirefillet.Te fencurit,qe rrethojne ” mencurin ” e ketije kombi! Nxuarren syte,ndersa perpiqeshin per te vene vetullat…

  5. ALBAN DEGA says:

    Pafytyresi tjeter e demoSalise

    SALI BERISHA VETDEMASKON REGJIZORIN E “INCIDENTIT” TE VJENES

    – Nje diplorrugac i nje qevezie rrugace

    – Nga Alban Dega, Nju Jork

    Ceshtja Egin Ceka eshte bere ceshtja me e zhurmeshme e kryqezates se re te Sali Berishes dhe jesmeneve te tij kunder liderit dhe krejt opozites shqiptare.
    I terbuar nga izolimi total qe i ka sjelle politika e tij kusare e vrastare perballe Perendimit demokratik, i dalldisur nga pritja prestigjoze e liderit te opozites shqiptare Edvin Rama ne nivelet me te larta shteterore , perfshi Presidentin e Austrise, Sali Berishes dhe bandes se tij te gangstereve i duhej domosdo nje incident per te njollosur suksesin e tij…
    Nepermjet kanaleve dhe levave te komanduara prej tij, Sali Berisha kete shperdoroi pjellen e Neritan Cekes, nje lider politik te shperdoruar keqazi prej tij, Egin Ceken.
    Kush eshte Egin Ceka!?
    Diplomat apo rrugac!? Demokrat apo ushtar i partise se Salise!?
    Nje diplomat apo nje mitingash i Berishes qe ngaterron sallat e akademive prestigjoze diplomatike me sheshet e Berishes e Vicidolit!?
    Diplomat i Berishes do te thote rrugac i Berishes si krejt qevezia e tij rrugace e kusare me vota te vjedhura.
    Demokrat i Berishes do te thote mitingash, qe nuk kupton as cfare do te thote e jo me te lejoje e respektoje mendimin e lire te cilitdo qytetar shqiptar, aq me teper lideri politik, si i barabarti me te barabartin
    Cili kod apo cila etike diplomatike i jep te drejte nje diplomati jo vetem te futet pa leje paraprake por edhe te prishe nje takim apo konference te nje Akademie apo cfaredolloj institucioni diplomatik te nje shteti!?
    Cila etike apo kod diplomatik i jep tager nje diplomati apo qyetari te zakonshem te nderhyje, te nderprese apo te provokoje nje lider politik apo qofte edhe nje qytetar tjeter te thjeshte, i ftuar nga nje institucion me prestigj te mirenjohur kombetar e nderkombetar te nje shteti prestigjioz si Austria !?
    … Ne vend te shkarkonte dhe kthente ne Tirane brenda 24 oresh diplomatin e saj Egin Ceken, Ministria e Jashtme dhe qeveria faqezeze shqiptare behen avokatet e ketij rrugaci faqezi, duke u bere turpi i Evropes dhe i Botes.
    Gjysma e se keqes. E keqja e madhe: vete kryeministri me faqezi ne historine e Shqiperise Sali Berisha “mprehu shpaten edhe njehere per situaten!” duke udhezuar e sajuar keqazi kete incient te deshtuar qe mban vulen e demo-Salise.
    Si gjithnje ai nuk la shpifje e felliqesire pa nxjerr nga goja e tij e flliqte kunder opozites dhe liderit te saj Edi Rama!
    Si gjithnje ai nuk la ditiramb e himn pa i perkushtuar soldierit dhe mercanrit te tij Egin Cekes, “aftesive te tij”, “pergatitjes se tij” hyjnore diplomatike sikur te ishte Henri Kisingeri apo Richard Hollbruk e jo nje rrugac qe nuk njeh jo vetem rregullat me elementare diplomatike, por as etiken me minimale qytetare dhe normat elementare te dmeokracise, si liria e shprehjes dhe mendimit te lire.
    Si gjithnje kryeministri faqezi shqiptar nuk la mashtrim e sajim “per dhune barbare dhe grushta te Edvin Rames ” pa bere ne sy te shqiptareve e nderkombetareve duke e hequr edhe masken e fundit te regjizorit te ketij akti rrugac te nje diplomati rrugac si Egin Ceka.
    E keqja me e madhe, duke bere edhe kryeprokurorin edhe kryegjykatesin suprem, kreyministri Sali Berisha, urdheroi Kuvendin e sejmenet e tij te krijojne edhe “komision hetimor parlamentar” per incidentin me regjizor Sali Berishen dhe ekzekutor Egin Ceken.
    Krejt diplomacia shqiptare, krejt jesmenet e tij ne Kuvendin e Shqiperise, krejt qeveria kusare shqiptare,krejt korbat dhe sorrat mediatike berishiane kane mprehur sqepat, shpatat dhe krrakrramat e tyre kobzeza per te perdhosur, goditur anatemuar opoziten dhe liderin e saj.
    Tamam si i mbyturi qe kapet pas nje fije kashte per te shpetuar vetveten dhe banden e tij te gangstereve, sic e kane quajtur gazetat me prestigjoze te Londres qeverine e Sali Berishes qysh ne pranveren e vitit 1997.
    Cfare mund te pritet tjeter nga nje qeveri rrugace dhe diplo-rrugacet e saj!?
    Ashtu si furtuna e pranveres shqiptare 1997 fshiu jo vetem anijen por edhe timionerin e saj te cakardisur Berisha nga skena politike shqiptare edhe urgani demokratik i 23 qershorit 2013 do te fshije njehere e pergjithmone nga skena politike shqiptare regjizorin e fatkeqesise shqiptare Sali Berisha dhe ceten e tij te kusareve dhe vrastareve.
    Kambanat bien per ata qe kane veshe te degjojne!

  6. Jack says:

    faleminderit Skender,
    Me fal qe nuk te njoh, eshte faji im jam larg, shume larg. Me beri pershtypje jo vet ngjarja, se ajo eshte tejet banale, por doja te mesoja se deri ku shkon budallalleku i Saliut. Nga analiza jote kuptohet qe eshte nje autogol ne fund te ndeshjes finale. Por kjo nuk e ndalon saliun te reflektoje, por ai do vetem te krijoje probleme te paqena ne menyre qe te terheqe opoziten ne terrenin ku ai eshte i forte ne ne terrenin e injoranteve dhe aty ai eshte champion. Kujdes, saliu po kerkon koken e Opozites, mos e çaj karin Edi Rama! Shqiperia te do Kryeminister…

  7. Atdhetari.usa says:

    Faleminderit zoti Skender Bucpapa, se largu ju urojm shendet dhe suksese ne jet. Tash me diet qe neodiktatori sali zea e ka kethyer vendin ne ciflig te Ram Berishes dhe ben cfa i do b…a me ate popull qe akoma se ka kuptuar se cfar krimesh ka bere ne dem e ne kuriz te ati populli. Suksesi qe pati kryetari iPS zoti Edi Rama ne kryeqytetin austriak Vjen jo vetem nga audjenca e nje niveli te lart diplomatik, por edhe ngga preidenti i i Austris, si dhe dy apo tre ministra, e cilet i uruan fitore ne zgjedhjet e 23 Qershorit dhe mbas dates 24 Qershor te filloj nje ere e re dhe ndhme e gjithaneshme per qeverin e re te kualicjonit te majt. Esht kjo aresyeja qe e ka terbuar sa nuk po luan nga mend. Arkeologu plak Neritan ceka qe karakterizohet nga mungesa e karakterit politik duke kaluar sa majtas djathtas vetem e vetem te perfitonte sic perfitoj nga diktatiri sali berisha. Turp i madh per kete kriminel qe po shkateron shkateron demokracin dhe e ka zevendsuar me diktatur. Pinjolli Eugen Ceka duhet urgjentisht te ndiqet penalisht, dhe me ardhjen e qeeris te re te fshihet njeher e mir nepotizmi ,Ceka Baba ne Itali dhe I biri Ceka ne Austri. Vajza e Jozefines dhe dhe dhendri ne Paris, i vellai i xhozit ne ambasaden eshqiperis ne Itali, e keshtu vazhdojen niper, mbesa, kusherinj te saliut dhe ministrave dhe deputeteve te PD. I LUTEMI REDAKSIS TE GAZETES TEMA TE NA NXJER ZYRTARISHT NEPOTIZMIN QE KA ZBATUAR SALI BERISHA NE PERFAQESIT DIPLOMATIKE JASHT VENDIT, MBASI KETU NE SHBA, JEMI TE INTERESUAR TE DIM EDHE PER KETE PRAKTIK ANTILIGJORE QE KA SJELL NEPOTIZMI.

  8. Agimi, Detroit MI says:

    Zoti Skender Bucpapaj,
    Edhe une shpreh falenderimin tim per kete analizen e juaj (qe perputhet plotesisht me konkluzionet e mija) dhe per menyren shume gjakftohte te te shprehurit te mendimeve (qe nuk perputhet plotesisht me temperamentin tim teper impulsiv)
    Shpreh keqardhjen time qe nuk kam patur rast te te njihja personalisht.
    Ju uroj suksese!
    Gjithashtu mbas 23-Qershorit suksese dhe te gjithe shqiptareve qe deshirojne “RILINDJE NE SHQIPERI”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje